Kapet afro 1 ton marijuanë me vlerë 4 mln euro në Siçili, ishte blerë në Shqipëri. Durrësi, Vlora dhe Saranda: Anija nuk u nis nga portet tona (FOTO/VIDEO)

May 15, 2015 | 22:16
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Një ngarkesë marijuane “Made in Albania” e mbërritur në Siçili të Italisë përmes rrugëve detare është sekuestruar nga policia italiane dhe në pranga kanë rënë transportuesit e saj.

Anija ku u sekuestrua droga

Sipas mediave lokale në Siçili, sasia e lëndës narkotike po udhëtonte në bordin e një anije peshkimi “Fatima’,’ shoqëruar nga persona të pajisur me dy pushkë ‘Kallashnikov’.

Ka qenë një radar i Policisë Financiare që ka ndjekur rrugën e anijes për në Portin e Ripostos, destinacion ky i marijuanës që peshonte 880 kg. Policia ka pritur që anija ‘Fatima’ të hynte në port dhe ka nisur aksionin, duke rrethuar mjetin lundrues prej 12 metrash dhe arrestuar nëntë persona, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit.

Në pranga ranë: Rosario Giuliano 46 vjeç, Giuseppe Greco 33 vjeç, Antonino Riela 44 vjeç, Carmelo Bertolini 38 vjeç Massimiliano Brundo 42 vjeç, Enrico Maria Giaquinta 43 vjeç, Vincenzo Spampinato 42 vjeç, Fabio Spampinato 32 vjeç dhe William Patanè 34 vjeç.

Sipas prokurorisë italiane marijuana nuk kishte qëllim vetëm konsumin nga të rinjtë, por mbi të gjitha ajo është një burim i financimit për krimin e organizuar.

Anija ku u sekuestrua droga

Mësohet se me të mbërritur policia, anëtarët e ekuipazhit i hodhën dy armët në det, së bashku me një telefon celular, i cili përdorej për të mbajtur në kontakte për kalimin e drogës. Policia arrestoi anëtarët e ekuipazhit: Giuseppe Greco e Rosario Giuliano.

Lajmi në mediat siçiliane

Duke pritur për mbërritjen e ngarkesës, dy kilometra larg nga porti, në plazhin e Sant’Anna ishin Enrico Maria Giaquinta dhe Antonino Riela. Në të njëjtën zonë, fshehur prapa plazhit, ka qenë Carmelo Bertolini, Vincenzo Spampinato, William Patanè, Fabio Spampinato dhe Massimiliano Brundo, të gjithë në pritje për të marrë pjesë në shkarkimin e drogës.

Lajmi në mediat italiane

Sipas medias italiane ngarkesa e drogës ishte blerë në Shqipëri për 1 milion euro dhe sipas të gjitha gjasave synonte tregun e Catania-s dhe nëse do shitej me pakicë do të sillte fitime me vlerë më shumë se 4 milion euro.

Hetimet për këtë çështje vazhdojnë, për të identifikuar lidhjet me krimin e organizuar në Catania që ka urdhëruar ngarkesën. Shtatë prej të arrestuarve, pavarësisht se nuk kanë kontakte me mafien vendase, kanë një të kaluar kriminale për trafik droge, thanë hetuesit italianë.

Burime nga Porti i Durrësit i thanë “Panorama Online” se anija nuk është ankoruar dhe as nisur nga ky port.

Kurse burime policore thanë se droga mund të jetë ngarkuar në anije edhe në ujërat ndërkombëtarë.

Shefi i Policisë Kufitare në Sarandë, komisar Agim Cumani i kontaktuar nga “Panorama Online” ka deklaruar se anija “Fatima” nuk është nisur as nga ky port. 

Po ashtu burime nga Porti i Vlorës thanë se ‘deri më tani nuk është nisur prej andej anije me këtë emër’. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura