“Kanuni” arrestoi edhe mikun e politikanëve, tani motër e vëlla në pranga për…

Oct 19, 2017 | 17:05
SHPËRNDAJE

Policia e Durrësit arrestoi dje dy shtetas për llogari të dosjes “Kanun” nga drejtësia italiane, duke e çuar në katër numrin e të ndaluarve në ditët e fundit me qëllim ekstradimin.

Pas Durim Keçit dhe Riza Sheshit, dje, Policia arrestoi shtetasin Arben Plaku, 51 vjeç dhe motrën e tij, Resmije Rrahmani (Plaku), 57 vjeçe, të dy banorë të Shijakut.

Riza Sheshi, i arrestuar për dosjen “Kanun”
Riza Sheshi, i arrestuar për dosjen “Kanun”

Gjykata e Genovës, Itali, për shtetasin Arben Plaku, me vendim Nr. 22182/00 R.GIP, e Nr.16817/ 01, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale: “Pjesëmarrje në organizata kriminale”, “Vjedhje me dhunë” “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Kontrabandë të personave” parashikuar në nenet 81, 110, 629 dhe 416 të Kodit Penal Italian.

Ndërsa për shtetasen Resmije Rrahmani, e njëjta Gjykatë, me vendim Nr. 282/2013 SIEP, e ka dënuar me 3 vite e 3 ditë burgim për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në bashkëpunim”. Shtetasit e më- sipërm janë shpallur në kërkim nga Interpol Roma më datë 17.03.2015.

Aksioni i policisë është fokusuar momentalisht në kapjen e personave, të cilët bënin pjesë në dosjen “Kanun”, ku rezultojnë më shumë se 135 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale, të gjithë banorë të qytetit të vogël të Shijakut. Tre ditë më parë u arrestua Riza Sheshi, për të cilin Gjykata vendosi dje masën e sigurisë “arrest në burg” me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

I pandehuri është prind i tre fëmijëve dhe nuk është dënuar më parë. Mbi 50-vjeçarin nga Shijaku rëndon akuza e “Pjesë- marrjes në organizata kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, akuza, për të cilat ishte shpallur në kërkim në vitin 2002 nga Gjykata e Bolonjës. Prokurori i çështjes ka kërkuar të konsiderohet i ligjshëm arresti i përkohshëm me qëllim ekstradimi.

Ndërsa pala mbrojtëse e ka cilësuar si të pabazë këtë kërkesë të Prokurorisë. Më tej, pala mbrojtëse është shprehur se “Nuk kemi vendim, as kërkesë. Ka 15 vjet, që është vënë masa. Ku e ka dënimin shteti Italian? Vendimi është parashkruar. Kemi një Drejtori Interpoli me letër makaronash. Ku i ka Interpoli vendimin e dënimit? Po kërkesën? Po merrni në qafë njerëz të pafajshëm.

Për çfarë kërkohet arresti, kur nuk keni vendim? Kjo është brigada e turpshme e Kanunit nga drejtë- sia Italiane. Po arrestoni njerëz pa vendim. Arrestimet e anëtarëve të “Kanun” në Durrës erdhën pas denoncimit në Itali nga motrat Miradie dhe Suzana V., të cilat akuzuan një numër të madh bashkatdhetarësh për shfrytëzim prostitucioni dhe krime të tjera në shtetin fqinj.

“Kanuni” arrestoi edhe mikun e politikanëve

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën “arrest me burg”, me qëllim ekstradimi drejt Italisë edhe për shtetasin Durim Keçi pak ditë më parë. Ai u arrestua për llogari të palës italiane në kuadër të dosjes “Kanun”.

durim-keci

Arrestimi i Durim Keçit u bë kryefjalë edhe në Parlament të enjten e shkuar. Fillimisht ishte kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili publikoi një foto të të kërkuarit nga drejtësia Italiane me ministrin Blendi Klosi. Më pas, ishte deputeti Taulant Balla që publikoi një tjetër foto të Durim Keçit në çadrën e opozitës. Pas tij, Gjykata vlerësoi masën me arrest në burg edhe për shtetasin Riza Sheshi.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura