Kantautorja Denada Bare: S’jetoj emigranten në Dubai, por as vanitozen e luksit

May 9, 2015 | 11:35
SHPËRNDAJE

Lidhjen e parë me këngën e pati në vitin 1994, kur shkroi tekstin e këngës “Pegaso”, që mori çmimin e parë në festivalin e RTSH. Atëherë, Denada Bare ishte studente e Akademisë së Arteve në Tiranë dhe paralelisht punonte si redaktore muzike në Radio-Tirana, por kjo fitore e shtyu me intensitet drejt muzikës, duke u bërë edhe kantautore. Mori pjesë për disa vite rresht në festivale dhe organizime të tjera artistike, ku u identifikua me këngët “Perla”, “Je vetëm ti”, “Princeshë e dashuruar”, “Violina”, “Një dashuri”, “Jam dreq”, “Djemtë janë njësoj” etj.. Atëherë nuk ishte koha e “like”-ve të youtub-it apo rrjeteve sociale për të matur suksesin virtual, por suksesi real ishte konkret: realizoi një album, një recital, u ftua në evenimente të ndryshme brenda e jashtë vendit për të kënduar. Dhe kur Denada arriti të krijojë emrin e saj në këngë, ajo vendos të shkëputet për të ndjekur një universitet të dytë në Gjermani, atë të administrim biznesit. Më pas, masterin në Sion të Zvicrës. Kthimi në shtëpi qe i trishtë. Babai i saj, përkthyesi i njohur Lili Bare, ndërroi jetë. Denada u përpoq t’i mbante gjallë kujtimin, duke u kujdesur për shtëpinë botuese dhe përkthimet e tij të mrekullueshme, disa prej kryeveprave të letërsisë botërore. “Kthimin në shtëpi po e mendoja edhe si kthim në muzikë, por duke parë se suksesi i një kënge varej më tepër sesa tallava dhe sa centimetër minifund kishe veshur, vendosa të tërhiqem.”, thotë Denada Bare për “Panorama”. Një tërheqje pak e gjatë artistike, prej shumë vitesh, por kjo vjeshtë është stina e rikthimit të saj në muzikë dhe në menaxhimin e shtëpisë botuese dhe trashëgimisë kulturore që i la i ati. Dhe do të vijë nga Dubai të tregojë se si bëhet muzika dhe biznesi, aty ku Denada Bare prej 3 vitesh nuk ndihet si emigrante, por as nuk bën jetën e luksit…

Para disa vitesh e nisët intensivisht me muzikën, morët pjesë në festivale, bëtë album, u dalluat si kantautore, fituat edhe çmim si autore teksti etj., dhe “papritmas” u zhdukët nga muzika. Pse?
Kjo “zhdukje” e imja erdhi si pasojë e një kaosi që ekzistonte dhe që vazhdon ende në muzikën shqiptare. Ashtu si tranzicioni social e politik në vendin tonë, edhe muzika pati tranzicionin e saj dhe kjo gjë ndikon natyrshëm në jetën artistike.
Në ç’mënyrë ndikon?
Janë disa faktorë kaotikë që të ndikojnë deri në largim nga muzika, si: Mungesa e së drejtës së autorit, që pavarësisht se thuhet që ekziston një shoqatë që mbron këto të drejta, ajo nuk funksionin; mungesa e stafeve profesioniste të menaxhimit që kujdesen, kurojnë, ndihmojnë e lehtësojnë punën dhe aktivitetet e ndryshme të artistëve dhe që përcaktojnë më së miri rregullat e lojës; përpjesëtimi i zhdrejtë midis asaj çfarë kërkon tregu dhe asaj çfarë është arti i vërtetë apo muzikë e bukur (pra një realitet i përmbysur i shijeve). Kështu, unë, ashtu si edhe disa artistë të tjerë, u shkëputa nga muzika.
U shkëputët për të mos u kthyer më në muzikë?
Jo, kjo shkëputje nuk do të thotë se përfundimisht nuk do të shfaqem më në skenën shqiptare. Kam materiale dhe këngë, që i kam punuar përgjatë këtyre viteve me bashkëpunëtorë të ndryshëm dhe që do t’i prezantoj së shpejti në publik. Them nga vjeshta…
Në Shqipëri, ju kishit një biznes tuajin dhe nuk është se prisnit muzikën për të pasur të ardhura. Pse vendosët të largoheshit në Dubai?
Krahas biznesit, unë kisha disa vite që jam pjesë e stafit të një kompanie të huaj që operon në Europë dhe në Lindjen e Mesme. Për këtë arsye erdhi zhvendosja ime në Dubai, pasi kompania ka një zyrë këtu dhe projekti për të cilin po punohet tani, është i përqendruar në ‘Gulf Area’.
Me çfarë po merreni konkretisht?
Jam në pozicionin drejtues të marketingut dhe menaxhimit të aseteve të kompanisë.
E kënaqur apo jo?
Normalisht jam e kënaqur. Është një eksperiencë e re, në një vend shumë ndryshe nga Europa dhe jetën time këtu unë e konsideroj një sfidë. Dhe unë jam një njeri që më pëlqejnë sfidat…
Dhe kjo sfidë, a e ka bërë më të pasur Denadën, se ç’ishte në Shqipëri?
Kjo është një pyetje disi relative, që edhe përgjigjen respektivisht e ka të tillë. Njeriu, kur punon vazhdimisht, është i pasur në konceptin material e shpirtëror. Unë kam qenë e pasur njësoj siç jam tani, sipas këndvështrimit dhe pritshmërive të mia. Kam jetën që dua dhe bëj atë që dua. Kjo më mjafton t’i them jetës, se më jep gjithmonë atë që më bën të ndjehem mirë…
Dubai gjithnjë reklamohet për jetë përrallore. Ju po bëni atje një jetë luksi apo thjesht jetë emigranteje?
Dubai është një vend vibrant, realisht një vend i pasur, atraktiv, që pa frikë do ta quaja një vend internacional, ku dëgjon të gjitha gjuhët e botës, shijon dhe ndien frymën e shumë kulturave dhe sheh të gjitha ngjyrat e lëkurës njerëzore. Tjetër gjë është perceptimi i një turisti që vjen disa ditë këtu dhe largohet me impresionet e asaj që sheh për pak dhe është diçka tjetër kur jeton e punon këtu gjithë kohës dhe percepton jetën në të gjithë spektrin e saj. Këtu jeta është shumë e shpejtë dhe “busy”, ka shumë konkurrencë në tregun e punës dhe të biznesit, ndaj kjo të bën të jesh gjithë kohës i angazhuar. Pra, konceptin e luksit sërish do ta quaja relativ. Për mua luks është të bëj atë që dua dhe të perfeksionoj veten. Në këtë kuptim, unë këtu nuk jam një emigrante, nuk jam as vanitoze që jetoj në luks; relevante për mua është suksesi im dhe përmbushja e asaj që dua të arrij.
Dubai është një vend mysliman. A jeni e detyruar që të mbani ritet myslimane apo edhe veshjet?
Pavarësisht se është një vend arab, ku besimi bazik është feja myslimane, Dubai është një vend me një frymë mjaft “open-minded” dhe konsiderohet si një ndër vendet më tolerante të botës arabe. Kjo, për faktin se është një vend mjaft i hapur dhe miqësor ndaj investimeve e biznesit, një vend që zhvillohet me hapa galopantë, që administratën edhe mjaft rregulla i kanë sipas modelit britanik. Këto e faktorë të tjerë, bëjnë që ky vend të jetë mikpritës dhe tolerant ndaj besimeve të tjera. Shteti këtu në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, ka dhënë një hapësirë të madhe toke falas, ku janë ndërtuar kisha dhe tempuj të të gjitha besimeve të tjera fetare: katolikë, ortodoksë, hindu, protestantë etj. Si pasojë, nuk je e detyruar të mbash ritet myslimane apo veshjet, vetëm nëse dëshiron ta bësh një gjë të tillë. E detyruar është veshja myslimane, nëse viziton xhaminë këtu. Natyrisht në punë apo evente të ndryshme biznesi, si konferenca apo samite të ndryshme, veshja duhet të jetë e një kodi të caktuar etik, pra është disi strikte dhe rigoroze, brenda normave serioze dhe tepër formale.
Kemi dëgjuar që në emigracion, kryesisht në Greqi, emigrantët ndërronin emrin dhe fenë për t’u pranuar në punë. Ndodh kjo edhe në Dubai? Ju është dashur ju konkretisht të ndërroni emrin apo besimin?
Absolutisht nuk është e nevojshme që ta bësh një gjë të tillë në Dubai. Është një vend që edhe dokumentet e punës dhe vizën rezidenciale e merr vetëm për 1 javë, nëse ke gjetur punën. Kategorikisht nuk e ndërron askush as emrin, as besimin përkatës.
Çfarë ju mungon nga Shqipëria dhe çfarë kujtoni për t’u “ngushëlluar” që të thoni “më mirë që s’jam atje”?
Nga Shqipëria më mungon vërtetë shumë familja ime, mami, motrat dhe mbesat e mia. Më mungon shoqëria ime e ngushtë atje, kafet dhe bisedat atje, që çuditërisht kanë shijen më unike në botë. Të jem e sinqertë, fakti që më ngushëllon që nuk jam atje, është jeta e trazuar dhe e mbushur me politikë, ekses e tritol. Kjo është dëshpërimisht e trishtë atje. Këtu ku jam, jeta është tejet e sigurt, e qetë dhe e bukur. Këtu mendohet vetëm për punë, biznes dhe se ku do kalosh pushimet.
Si janë meshkujt në Dubai, në rast se do t’i krahasonim me shqiptarët?
Përgjithësisht meshkujt arabë janë më të qetë, nëse do i krahasojmë me shqiptarët. Gjithashtu, në përgjithësi ndiej që këtu femrat respektohen, vlerësohen dhe integrohen mjaft mirë, nëse personaliteti i tyre reflekton respekt dhe dinjitet…
Kur e mendoni kthimin në Shqipëri?
Në Shqipëri do kthehem vetëm me pushime, sepse tani për tani punën nuk e kam atje.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura