Kanionet e Osumit, aventura fillon me rrugën

May 20, 2013 | 14:54
SHPËRNDAJE

“Nise udhëtimin tënd nga Shqipëria jote!”. Këtë moto ka zgjedhur  Agjencia Kombëtare e Turizmit(AKT) për të promovuar vlerat dhe burkuritë e papërsëritshme të kanioneve të Osumit.
Në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Rafting (FSHR), u organizua një udhëtim në kanionet e Osumit, ndër më uniket nga bukuria në Europë, të cilat kanë nisur të krijohen prej rreth 3 milionë vitesh.
Drejtorja e AKT-së Brikena Arapaj, vlerëson se kanioni rreth 13 km i gjatë, me pamje mahnitëse meriton vëmendjen e nevojshme për reklamim. Sipas saj, Shqipëria, përveç bregdetit të bukur e të veçantë, ka pasuri vërtetë të magjishme, të cilat duhen promovuar. “Kanionet e Osumit, përbëhen nga 8 ujvara të larta 150 metra dhe janë padyshim të paprekura, janë një veper arti e natyres dhe janë quajtur Kolorado shqiptare”, thotë Arapaj. Drejtuesja e AKT-së thotë se udhëtimi promovues, pjesë e të cilit u bënë edhe një grup gazetarësh përgjatë kanioneve, është një iniciativë e Agjencisë në bashkëpunim me FSHR-në. “Ne kemi nisur një nismë nën moton ‘Nise Udhëtimin tënd nga Shqipëria jote’. Prandaj kemi ftuar edhe gazetarë, për të mos humbur këtë ç’ka natyra na ka falur dhe për të mos harruar kurrë, që Shqipëria duhet filluar të promovohet nga ne dhe ta duam së pari ne dhe pastaj të presim ta duan edhe të tjerët”, thotë Arapaj.
Kanioni i Osumit, i cili kalon në rrethin e Skraparit, nuk është shfrytëzuar për qëllime turistike deri në vitet ’90. Turistët e parë kanë qenë më së shumti, të huaj, dashamirës të sportit të rafting. Por, gjatë 5 viteve të fundit numri i vizitorëve shqiptarë e të huaj, dashamirës të sportit të rafting është rritur ndjeshëm.
Drejtorja e Përgjithshme e AKT-së Brikena Arapaj, thekson se për institucionin që drejton rëndësi të madhe i kushtohet sigurisë në turizëm. Prandaj, tha ajo, të gjithë duhet të orientohen drejt tureve të sigurta turistike.
Pamja e parë ‘shkundëse’ nga ku shihje nën këmbë të gjarpërohej Osumi, ishte vendi i quajtur ‘vrima e nuses’. Më kot u harxhuan shkrepje aparatesh sepse më e bukura ishte ende për tu parë. Ujërat bujare që rridhnin nga përrenjtë e shpateve të Vithkuqit,  bashkë me njëmijë e një degë prej malësisë së Korçës e shpateve perëndimore të Gramozit në Kolonjë, përziheshin të gjitha aty, për tu kurorëzuar në Berat. Në ditë të tilla që ishin paprarirë nga shiu, rrjedha ishte më e lundrueshme, prurjet e ujëvarave më të mëdha prandaj rrugëtimi, ndjellamirë.
Ishte detyrë e instruktorëve të Federatës Shqiptare të Rafting, me në krye drejtuesin e saj, Zamo Spatahra, që të paralajmëronte gjithë pjesëmrrësit për kujdesin dhe vëmendjen që duhet të tregonin në çdo lëvizje të lopatës, në qëndrimet në gomone, në përkushtim…”Ju e merni si lojë, por nuk është e tillë”-thonte instruktori i gomones (sado që secili ishte i pajisur me skafandra, xhupa termikë, jelekë shpëtimi dhe me kostum neopren) sa herë që të pranishmit në të, me të drejtë, harroheshin ëndërrimtar, ujëvarave që pasonin njëra tjetrën. Në atë më të madhen, që sipas kohës shërben edhe si stacion pushimi për gomonet, nuk patëm fatin e mirë ose të keq të ndalemi, për shkak të nivelit të ujit. Të mirë sepse do ta kishim shijuar më gjatë, të keq sepse po të ishim ndalur, nuk do të shijonim adrenalinën dhe luftën për të mos u përplasur me shkëmbin, tek lundronim nën të, për disa çaste.
Thuajse e gjithë rruga 3 orëshe, nëpër kanionin me gjatësi 16 km, shkonte njësoj. Instruktorët që e kanë bërë qindra herë atë rrugë dhe gjithnjë janë të përgjegjshëm si herën e parë dhe turistët e hutuar prej ngushticave e shkurreve mesdhetare që vishnin dy shpatet vertikale të kanioneve. Kjo përvojë, është nga ato që shijohen e nuk harrohen.
* * *
Federata Shqiptare e Rafting është krijuar në vitin 2011, nga bashkimi i disa shoqatave dhe grupeve si : Shoqata “Rafting Albania”, Skuadra “Osumi Canyon”, Shoqata “Rafting dhe Kanotazh”, të cilat kanë nisur të operojnë prej vitit 2009. Në objektivin e FSHR-së është një sport aventure dhe të sigurt. Për këtë, të gjitha grupet e turistëve drejtohen e shoqërohen nga një guidë profesionale, e licensuar nga FSHR. Sipas statistikave, gjatë vitit të kaluar, gjatë muajve mars-tetor, numri i turistëve që kanë provuar eksperiencën e këtij sporti në kanionet e Osumit, ka qenë rreth 2 mijë vetë. Lundrimi zgjat nga 2.5 deri në 4 orë, kohëzgjatja varet nga niveli i ujit. Periudha që sugjerohet për të vozitur në kanionin e Osumit, është Shkurt-Qershor.
Presidenti i FSHR-së Zamo Spathara, vlerëson mbi të gjitha sigurinë e tureve. Ai është një ndër të parët që ka zbuluar vlerën e madhe turistike të kanoneve të Osumit dhe promovoi për herë të parë sportin e rafting ne Shqipëri. Spathara, pas një experience disavjeçare jashtë shtetit, vendosi të kthehej në vetndlindje, ku dhe më pas ngriti një skuandër profesioniste, për shoqërimin e turistëve.
Përfaqësuesja e FSHR-së Blerina Ago, thotë se “ç’ka promovohet është rafting turistik dhe jo rafting eksterm, rafting për të gjithë ata që gëzojnë një gjendje të mirë shëndetësore”. Ago saktëson se është shumë e rëndesishme, që përveç dëshirës për aventurë dhe sportivitet t’i bashkëngjitet dhe shoqërues profesionistë, të licensuar nga FSHF-ja.
Kanionet e Osumit, gjeografikisht janë pjesë e Qarkut Berat. Kryeqendra e këtij Qarku, qyteti i Beratit, është vlerë kryesore e mrekullive të turizmit shqiptar.
[portfolio_slideshow]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura