Kanina e Donika Kastriotit

Oct 20, 2018 | 13:33
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJNdue-Dedaj

Ata që i drejtohen sot Vlorës kanë ndjesinë e detit dhe të flamurit, dy realitete që kanë dhënë e marrë me njëri-tjetrin shumë më herët se viti 1912, kur do të krijohej shteti modern shqiptar. Bash për këtë qëndron mes tyre Kanina, e lidhur ngushtë si me detin, ashtu dhe me flamurin. Gjergj Arianit Komneni, zoti arbëror i këtyre anëve të Jugut e deri në Shqipëri të Mesme, ishte pararendësi historik i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, ku fati do ta sillte që ky i fundit të bëhej dhëndri i tij. “S’kishte si të ndodhte ndryshe, – të thonë në Kaninë, – Arianiti e mbështeti Kastriotin në Besëlidhjen e Lezhës, kur princat e Shkodrës nuk ishin dhe aq të lidhur mes tyre, ndaj dhe Skënderbeu i kërkoi dorën e së bijës për nuse…” Ka qenë kështu apo jo, kjo ka pak rëndësi në këtë udhëtim tonin në kalanë e Kaninës, për t’u “takuar” me Donikën, vashën që do të bëhej gruaja e njeriut më të fuqishëm të Arbërisë mesjetare, për të cilën Barleti thotë se ishte ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare të shekullit XV.

Po si ka qenë ajo dasmë? Si të gjitha dasmat princërore. Ishte viti 1451. Kishin kaluar tetë vjet që Gjergj Kastrioti ishte kthyer në vendin e tij dhe kishte fituar nam si prijës i shqiptarëve kundër turqve në disa beteja radhazi, përfshi dhe rrethimin e parë të Krujës një vit më parë. Sigurisht që asokohe nuk kishte mjete informimi si këto të sotmet, por shqiptarët ishin të gjithë në luftë dhe kronikat e betejave plot lavde të Skënderbeut shkonin gojë më gojë e vesh më vesh nga deti në male, kështu që 46 vitet e dhëndrit nuk ishin asgjë përballë 23 viteve të nuses. Andronika, vasha me emër antik, që ngjasonte me atë të Andromakës së Homerit, më pas do të thirrej shkurt e shqip Donika. I pyesim kaninjotët se si e “kujtojnë” dasmën e bijës së tyre dhe ata na thonë ato çka të parët e tyre iu kishin thënë jetë e mot studiuesve të historisë dhe gjurmuesve të folklorit e që ua thonë dhe turistëve që kanë filluar të ngjitën në kalanë e gurtë, 6 kilometra larg qytetit, në një kodër të bleruar me ullinj, jo më shumë se 380 metra mbi nivelin e detit. Pra, që ishte një dasmë e bujshme, që zgjati tri ditë e tri net, ku kapedanët e Himarës shkuan me plot dhurata të çmuara për çiftin dhe e shoqëruan atë dhe krushqit kalorës të Skënderbeut deri në Berat e deri në Krujë, mbasi më parë kishin vënë kurorë në Manastirin e Ardenicës… Atëherë nuk kishte lindur poeti i Vlorës dhe i detit, Fatos Arapi, që u shua këto ditë tetori, se mbase do të kishte thurur një lirikë që të mbahej mend për kryedasmën e Motit të Madh, siç do t’i këndonte më pas dashurisë me metaforën e kaltërsisë së qiell-detit apo det-qiellit: “Dikur ne ishim të dy,/ Si qielli me detin./ Kur vrejtej njëri,/ Nxinte tjetri./ Kur kthjellohej njëri,/ Kaltërohej tjetri…” Edhe pse sezoni i plazhit ka mbaruar, 60 kroatë ecnin nëpër Lungomare, duke shijuar Vlorën turistike plot diell. Kurse te Monumenti i Pavarësisë ka ndaluar një autobus nga Prishtina, me 28 gra e vajza kosovare me emrin “Vlora”, ndër qindra të tjera që në Kosovë mbajnë këtë emër simbolik, si dhe Saranda apo djem që thirrën me emrin Berat etj.

…Kur pyesim në Kaninë, fshatin rrëzë kalasë, nëse kishte atypari ndonjë të moshuar që të na rrëfente Donikën e Arianitit, një grua na prin për te shtëpia e Ormën Selman Çelës, që dhe pse 82-vjeçar, na u duk mjaft i ri për të folur për gjera aq të vjetra. Nuk ishte një plak zakoni, por një “kozmopolit”, pasi kishte punuar topograf në gjithë Shqipërinë dhe njihte mirë e bukur doket e Veriut, që nga Kalaja e Dodës, Shkodra, Elbasani etj. Duke na qerasur me raki rrushi e shegë të kuqe të kopshtit të tij, xha Ormëni na foli për qytezën e vjetër mbi dymijëvjeçare të Kaninës, atëherë kur Vlora ishte ende një fushë e pafundme buzë Jonit dhe gjiri i saj një perlë natyrore e virgjër. Thotë se Kanina herët ka pasur pesë kishë të vjetra dhe bën me dorë andej nga është Kisha e Bardhë (në dialekt: Qisha e Bardhë), apo Kisha e Kollorit diku më tej, ndër më të vjetrat e rajonit të Vlorës, që siç thotë bashkëfolësi unë, “ka qenë dhe universitet”. “Skënderbeu ka ndejt tri ditë në Qishën e Bardhë dhe pastaj bashkë me trimat ka shkuar në Berat ku është bërë dasma”. Është e pamundur që rrëfimet popullore, në kohë moderne, të mos përzihen me leximet e literaturës historike, afishuar shkurtimisht dhe në stendat në hyrje të kalasë, kështu që shpesh na duhet ta krehim bisedën nga këto, për të dalluar atë popullore autentike. Ndërhyn në bisedë ndonjëherë dhe e zonja e shtëpisë, Liria, bashkëshortja e Osmenit, bijë Vranishti, duke ndihmuar dhe ajo kujtesën e të shoqit.

Rrimë e kundrojmë detin nga lartësitë e Kaninës monumentale. Edhe pse konfiguracioni i mjedisit bregdetar ka ndryshuar krejtësisht, me një qytet me hotele e vila që zgjatet deri në Orikum, deti ka mbetur po ai, valëkaltër e dallgëbardhë, si një poemë deradiane e pakryer. Përmes tij kanë ikur arbëreshët dhe Donika Kastrioti, vetëm pak muaj mbas vdekjes së të shoqit, në maj të vitit 1468, bashkë me të birin, Gjonin. Udhës së detit kanë ikur qysh herët burrat e Vlorës në emigrim ekonomik e politik, ndër të cilët dhe poeti e mendimtari Isuf Luzaj nga Kanina, që la aty familjen dhe kapërceu detin e trazuar në nëntor 1944, në fillim në Itali e më pas në Amerikë; për të mbërritur në tridhjetë vitet e fundit, kur anijet do të mbusheshin plot me djem dhe vajza vlonjate etj. Të moshuarit e familjes Çela tregojnë dhe për pesë fëmijët e tyre, tri çupa e dy djem, të gjithë me familjet e tyre në emigracion, në Itali e Angli. Deti ka lajmet e tij të mira dhe të trishta. Është një temë që na drithëron, pasi na ndërmendet Otrantoja e përmbytur në tragjedinë e vet të njëzet viteve më parë, atëherë kur deti e pati humbur ngjyrën blu, për t’u veshur në zi. Kanina ka qenë një qytet i hershëm shqiptar, dëshmi e mbidheshme e të cilit është vetëm kalaja, ku kanë qenë dhe kullat e Gjergj Arianitit. Kurse Kanina e vonë ka qenë një fshat i madh, me rreth dy mijë banorë në ‘90-n. Gjashtë lagjet e tij janë: “Shakogjini”, “Hoxhollaj”, “Çelaj”, “Resulaj”, “Karahysaj” dhe “Lagjja e Madhe”. Kodrën e kalasë nuk e kanë lënë në unitetin e saj monumental, duke ngritur mbi të, herë një repart ushtarak, herë një depo ujësjellësi, apo antena, që ia kanë prishur jo pak vjetërsinë. Kalaja është 3.5 ha, por sot për sot kullosin dhitë dhe njeriu i parë që na pret është një bari, që si një “cicëron” dashamir përpiqet të na rrëfejë diçka nga e kaluara. Janë mure të trashë deri në tre metra, që diku janë rrafshuar e diku kanë mbetur në këmbë, kalldrëmi i pasosur i mbërthyer nga bari i njomë, dy porta, njëra në lindje e tjera në perëndim, nga tri që kanë qenë. Dhe pse është ndërhyrë mjaft vonë, si në të gjitha monumentet e periferisë, ka shpresë se kjo kala do të restaurohet, pasi sapo është ndërtuar në parametra rruga e makinës dhe falë një projekti të kohëve të fundit, mbi muret jugore të kalasë do të vihet dorë për përforcimin e tyre. Kalaja ka pasur dhe orën e vet diellore, si të gjitha simotrat e saj, dhe ndoshta prapë do të lartohet një ditë, e stilizuar si ajo e motmotit.

Është mesditë dhe mbi Vlorë nderet një mjegull e lehtë, që e bën më të mistershme historinë e shkuar të këtyre viseve. Në duar mbajmë fletoren e shënimeve dhe guidat që na thonë se në Qishbardhë dhe Penkovë ruhen katër toponime si katër margaritarë: “Qisha e Skënderbeut”, “Rrapi i Skënderbeut”, “Vau i Skënderbeut” dhe “Ara e Skënderbeut”, dëshmi të shekullit XV, që i kemi hasur në shkrimet e Bardhosh Gaçes e autorëve të tjerë të trevës. Bashkudhëtari ynë nga Lezha, doktori i bletarisë, Prengë Pepa, i ka zënë me radhë kalatë, një ditë më parë ka qenë në kalanë e Prizrenit, sot në të Kaninës, kurse pasnesër do të jetë në kalanë e Rubikut, në përurimin e një shtegu turistik. Viti i Skënderbeut ka qenë një zgjim i vetëdijes ndaj trashëgimisë historike-arkeologjike, jo vetëm i punonjësve të muzeve, monumenteve, arkivave, bibliotekave, instituteve të historisë, nxënësve dhe mësuesve të mbarë hapësirës shqiptare, por i gjithë shqiptarëve dhe dashamirëve të tyre në botë. “Gurë-gurë bëhet kalaja”, është një fjalë e urtë e popullit tonë, ndaj ato çfarë sjell Viti përkujtimor i Heroit Kombëtar janë “gurë” në kalanë e kujtesës së këtij kombi…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura