NGA EDISON YPI
Përmeti, Korça, Kukësi, Tropoja, Skrapari, Elbasani, Berati, Myzeqeja bëjnë muzikë të hatashme, kanë vegla muzikore të mrekullueshme, thurin tekste inteligjente me ironi dhe autoironi fantastike, edhe me nënkuptime erotike. Por jo si Kanga Shkodrane. Kanga Shkodrane është Mbretëresha e Këngëve. Kanga Shkodrane ka të shkrira brenda vetes gjithçka që ekziston, sende dhe shpirtra, të gjallë e të vdekur. Drini, Liqeni, Buna, Kiri, përrenjtë, deti, bora në male, gjithë ato ujëra, vibracione, oshëtima, pëshpërima, psherëtima janë pjesë përbërëse të Kangës Shkodrane.
Janë ato që e bëjnë Kangën Shkodrane më të bukurën në botë. “Nature Boy, Kiss of Fire, Dark Eyes” s’guxojnë të maten me Kangën Shkodrane, që është thurja më mahnitëse e tingullit me tekstin. Ndërsa shkodranët i kanë dhënë Kangës Shkodrane shpirtin, ujërat i kanë dhënë hapin, tempin, ritmin, tingujt, ambëlsinë Cukali burrërinë, malet seriozitetin, Rrozafa historinë. Kanga Shkodrane asht një yllnajë me yj të zjarrtë, që digjen e ndritin e ngrohin e kurrë nuk fiken. Kanga Shkodrane asht nji univers ku gjithçka asht serioze, gjithçka asht e përsosun, gjithçka asht e bukur.
Kanga Shkodrane asht nji ikje, një arratisje, një largim, evadim, çlirim, lehtësim, degdisje në qiej të largët ku s’ka gravitacion. Në skuta të fshehta ku nuk të gjen asnjë budall me të mërzit. Asnjë idiot me të çudit. Asnjë hajdut me të vjedh. Duhet me ekzistu diku një tempull i muzikës. Po! Ai tempull asht Shkodra. Altari i atij tempulli asht Kanga Shkodrane. Kanga Shkodrane asht e vetmja kangë në botë që kurrë nuk gabon me ta çu gjakun në tru me përpikmëri në vendin e duhur dhe në sasinë e lypsur, për me të bo me ardhë në vete, të ndjehesh normal, të ndjehesh i çlodhur. Kanga Shkodrane nuk lejon me u ndigju në të njëjtin vend dhe në të njëjtin moment diçka tjetër veç hirësisë së saj. Për shembull, po të thërret dikush në celular.
Por zëri s’vjen. S’ka problem. Ai që po të thërret duhet me prit me fol deri kur Kanga Shkodrane që dikush po e këndon, fërshëllen, ose dëgjon, të mbarojë. Kanga Shkodrane nuk hesht vetëm celularin. Kudo ku dëgjohet, këndohet, mërmëritet, fëshfëritet, fërshëllehet, Kanga Shkodrane, hesht edhe bombën atomike nëse bën gabimin me shpërthy aty ku s’duhet, aty ku Kanga Shkodrane po këndohet. Ndodh kjo, ngaqë, ku Kanga Shkodrane nigjohet, gjithçka hesht. Njëlloj si në pyll, ku, kur nis e këndon bilbili, harabelat, gjinkallat, papagajtë, qyqet, kukuvajkat, ndalin këngën, përrenjtë ndalin zhaurimën, gjethet fëshfërimën, ariu hungurimën, qeni lehjen, ujku kafshimin, të gjithë heshtin, të gjithë ulin kokën me nderim. Serenata nuk i këndohet nuses. Nuses ia ke pi dhe ta ka pi sherbetin.
Serenata i këndohet të dashurës. E pra, Kanga Shkodrane e bën edhe të pamundurën, i këndon serenatë nuses më bukur se dashnores. Kanga Shkodrane asht ngrohje, ndezje, rrjedhje, shpërthim, erruptim, derdhje, më magjike se çdo qejf e kënaqësi e kësaj bote. Muzikat e vendeve të tjera janë edhe ato të bukura, janë edhe ato mbretëresha. Por, janë mbretëresha pa kurorë. Janë guaska bosh. Pa perlë brenda. Grisja pentagramin Kangës Shkodrane, shkatërroja veglën muzikore, bëje sa një kokrrizë rëre, po deshe edhe digje, ose zgjeroje sa të dush. S’ke bo asigjo. Je lodh kot. Kanga Shkodrane asht po ajo. Nuk ka ndryshu aspak.
Ose dërrmoje Cukalin. Rrafshoje Taraboshin. Pije liqenin. Thaje detin. Ndale Drinin. Pengoje Bunën. Prapë s’ke bo gjo. Kanga Shkodrane s’don me dit për pirje e thithje, shkatërrime e rrafshime. Ajo do vazhdojë të jetë po ajo që ka qenë dhe do të jetë në shekuj. Veç nji t’keqe e ka Kanga Shkodrane: Nuk munet me u nigju pa lot në sy.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al