Kandidatja për në Kongres kritika Joe Biden: SHBA nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar luftën në Ukrainë

Jul 3, 2022 | 16:50
SHPËRNDAJE

kandidatja per ne kongresNdër kandidatët për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e nëntorit do të jetë edhe Karina Lipsman, e cila ka lindur në qytetin e Odesës në Ukrainë dhe ka ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yurii Mamon, kandidatja republikane kritikon administratën amerikane se nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar luftën në Ukrainë.

Kandidatja për në Kongres, Karina Lipsman, ka filluar fushatën e saj elektorale. Ajo çka e veçon atë është prejardhja e saj.

“Erdha në Shtetet e Bashkuara në moshën 8 vjeç nga Odesa, e Ukrainës. Erdha si refugjate, vetëm me nënën dhe gjyshërit”, thotë zonja Lipsman.

Ata erdhën në Shtetet e Bashkuara në vitin 1993.

Karina filloi shkollën dhe nëna e saj punoi rrobaqepëse për të mbajtur familjen. Karina i është mirënjohëse nënës së saj që dëshironte më të mirën për vajzën.

“Kur mbusha 18 vjeç, aplikova për t’u bërë shtetase amerikane. Kjo ishte një zgjedhje që unë bëra, pasi doja të isha pjesë e Amerikës”, thotë zonja Lipsman.

Ajo ndoqi studimet pasuniversitare në Universitetin Johns Hopkins dhe ndërtoi karrierën e saj në sektorin e mbrojtjes. Tashmë, ajo shpreson të hedhë hapin e ri, drejt Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Zonja Lipsman konkuron në zonën elektorale numër 8 në Virxhinia.

Asnjë kandidat republikan nuk është zgjedhur që prej 30 vitesh në këtë distrikt rural jashtë kryeqytetit Uashington. Por, ajo dhe drejtuesi i fushatës, Brian Johnson, kanë hartuar një plan, bazuar tek ndryshimet demografike në këtë distrikt. Gati gjysma e banorëve janë emigrantë.

“Mendoj se shumë njerëz në këtë zonë që përfshihen në politikë, vijnë nga familje të pasura, me trashëgimi, familje të përfshira në politikë. Popullsia e përbërë përgjithësisht nga emigrantë, jo meshkuj të bardhë, nuk janë rritur në këto rrethana. Pra, historia e Karinës është se asaj iu desh të luftonte për gjithçka ka tani, brenda një sektori mbrojtjeje të dominuar nga meshkuj të bardhë, duke arritur të gjendet tashmë në një pozicion të lartë, të cilin po e lë për t’u angazhuar në Kongres me kohë të plotë. Mendoj se këto histori të vërteta të jetuara do të frymëzojnë shumicën e banorëve të distriktit”, thotë menaxheri i fushatës, Brian Johnson.

Zonja Lipsman nuk heziton të kritikojë Presidentin Biden për nivelin e lartë të inflacionit, rritjen e çmimeve të karburantit dhe të nivelit të krimit. Për më tepër, ajo mendon se administrata e tij nuk ka bërë aq sa duhej për të parandaluar luftën në vendin e prejardhjes së saj, Ukrainë.

Ajo fitoi me lehtësi mbështetjen e Partisë Republikane për ta kandiduar për zgjedhjet paraprake dhe mendohet se ka shanse të mira për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“Mora 61.5% të votave që në raundin e parë; diçka që nuk ndodh ndonjëherë. Konkurenti më i afërt mori 19%. Mbajta një fjalim me subjektin se si një emigrante nga Ukraina gjendej tashmë në podium, e zgjedhur për të kandiduar për në Kongres dhe se sa i pazakontë ishte ky moment”, thotë ajo.

Zonjës Lipsman i duhet të bëjë një fushatë të vështirë elektorale dhe është angazhuar plotësisht për të siguruar fonde. Ajo synon të mbledhë 500 mijë dollarë brenda 30 ditëve të ardhshme./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura