Kandidatja e PS dënon krimet e komunizmit, por vlerëson Enver Hoxhën, Luljeta Bozo: Kishte më shumë anë pozitive! Ja çfarë më tha pedagogia në Moskë kur…

Mar 15, 2021 | 13:06
SHPËRNDAJE

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë për qarkun e Tiranës, Luljeta Bozo, dënon krimet me natyrë ideologjike të kohës së Enver Hoxhës, por sheh dhe anë pozitive që ai regjim kishte, siç ishte vëmendja për arsimin.

luljeta bozo

E ftuar në emision “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku, zonja Bozo e cilësoi Enver Hoxhën si diktator.

Si personazh që keni jetuar në kohën e monizmit, i dënoni krimet e komunizmit?

Patjetër. Krimet që ishin për pikëpamje ideologjike, kur personi i dënuar ka qenë në opozitë me qëndrimet dhe veprimet e Partisë së Punës, se ka edhe krime ordinere, patjetër që i dënoj, nuk diskutohet. Por ka një gjë, që Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, siç quhej, kishte një Kushtetutë. Neni i parë i saj thoshte se Republika Socialiste Popullore e Shqipërisë është shtet i diktaturës së proletariatit. E thoshte në Kushtetutë.

Enver Hoxha a ishte diktator?

Ishte diktator, në ato që ishte.

Çfarë dëmesh i ka shkaktuar Enver Hoxha dhe figura e tij kombit shqiptar?

Po t’i vësh në balancë, për mua ka më shumë anë pozitive sesa negative.

Enver Hoxha?

Enver Hoxha… e thamë, ne ia dedikojmë gjithçka Uni-t. Uni ka rolin e vet, por nuk ka se çfarë të bëjë nëse nuk ka dhe të tjerët me veten. Një njeri i vetëm nuk bën dot asgjë. Ai sistem ka bërë kaq gjëra, nuk flas me emra, Enver Hoxha apo të tjerë, nuk ka rëndësi, po flas si sistem, që e transformoi Shqipërinë nga një vend që ishte as agrar jo, në një vend me një ekonomi rakitike, vetëm në fshat, nuk kishte asnjë lloj industrie. Vetëm një industri fare e vogël që u trashëgua nga periudha para pushtimit italian, që u shkatërrua totalisht gjatë luftës.

Ne jemi të dytët në botë nga dëmet që kemi pësuar në njerëz dhe në ekonomi për sipërfaqe dhe numër popullsie. Pas luftës, përveçse ne ishim një ekonomi e shkatërruar, dhe të rrënuar si vend. Nga viti 1944 deri në vitin 1950 është punuar për të shëruara plagët e luftës. Më pas, pas viteve ‘50, ekonomia ka ecur me plan, plane 2- vjeçare dhe më pas me plane 5-vjeçare.

Çdo plan siguronte transformimin e Shqipërisë nga një vend agrar, në një vend agraro-industrial dhe në fund kishin një vend industrialo-agrar. Kishim një industri shumë të fuqishme për popullsinë dhe territorin që kemi. Ai sistem kishte një vëmendje të veçantë për arsimin. Unë nuk e harroj kurrë që në një nga konkluzionet, kam qenë në Moskë studente atëherë, dhe aty bënim lëndën e marksizmit. Pedagogia na dha leje ne që të referonim diçka për Kongresin e Partisë që bëhej në vitin 1961. Kur ajo dëgjoi shifrën se në Shqipëri 1 në çdo tre persona është i ulur në bankat e shkollës, pedagogia u çmend. Ne të gjithë, tha, ecim përpara, ju shkoni lart si raketë. Pra kishte një vëmendje të veçantë për arsimin, sepse ai sistem e dinte që pa njerëz të arsimuar, nuk ecet përpara. Fakti që specialistët apo studentët tanë kudo që kanë shkuar në botë kanë shkëlqyer, tregon se arsimi në Shqipëri ka qenë solid dhe ka pasur vëmendje.

Janë përndjekur, dënuar dhe burgosur rreth 100 mijë shqiptarë nga ai sistem?

E thashë që në fillim se i dënoj dënimet politike të atij sistemi.

Projektet tuaja si arkitekte jua kontrollonte Byroja Politike dhe punët tuaja ua merrte dhëndri i Enver Hoxhës, si funksiononte?

Në ndërtim, sepse e kam jetuar vetë, por dhe në kinematografi, se ka punuar im shoq, në ndërtim të gjitha projektet bëheshin në Institut. Çdo sektor i Institutit do ta merrte projektin dhe do ta kontrollonte se s’bën. Pa kontroll nuk kalonte asgjë.

Pa folur për institucione, por për njerëz, që siç thotë Kryeministri Rama sot, nuk më pëlqen kjo fasada, hiqe, prishe, a ndodhte?

Jo, nuk kishte atëherë kështu, nuk bëheshin këto punë në atë kohë. Nuk mund të bëhej: kam qejf unë ta bëj kështu?! Jo, nuk ndodhte kurrë. Kush të pyeste, ke qejf ti apo jo, punë e madhe se ke qejf! A e përmban ligji? Nëse nuk e përmban ligji, hidhu përpjetë po deshe, nuk bëhej, nuk ndryshonte asgjë. Domethënë, grupi i arkitektëve shumë të mirë, gjithmonë punohej në grup, asnjëherë tek, ka qenë Pirro Vaso, shumë i mirë..

Ka pasur edhe Maks Velo, që është dënuar edhe nga arkitektët, por ju thoni se ai sistem ka pasur më shumë gjëra të mira…

Dëgjoni, kishte edhe njerëz që punonin normalisht, por kishte edhe njerëz që ishin kundër disa ideve dhe kjo është normale. Por kush dilte shumë kundër, e hante pas qafe. Kundra ishte vetëm për pikëpamje ideologjike. Ndërsa në kinematografi, nëse filmi nuk kalonte në Byronë Politike, nuk dilte, nuk shfaqej. Ndërsa në ndërtim nuk ndërhynte Byroja Politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura