“Kandidati” i Ben Blushit, më i shituri në Panair me 3500 kopje

Nov 18, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Romani “Kandidati” i shkrimtarit dhe politikanit Ben Blushi është libri më i shitur i Panairit të Librit, që u mbajt nga 11-15 nëntor 2015. Provokimi dhe debati që hapi romani i Blushit, qysh para se të niste Panairi, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen dhe kureshtjen e lexuesve.

Libri i ri i Ben Blushit
Libri i ri i Ben Blushit

Libri i Blushit mësohet të jetë shitur në 3500 kopje pranë stendës së shtëpisë botuese “UET Press”. Në shifra ai është ndjekur nga Milan Kundera dhe Albatros Rexhaj. Këto rezultate kanë ardhur pas një pyetësori që Shoqata e Botuesve Shqiptarë u drejtoi të gjitha shtëpive botuese, pjesëmarrëse në edicionin e 18-të. Sipas SHBSH, mësohet se kësaj kërkese i janë përgjigjur vetëm 40 botues, të cilët kanë pranuar të ofrojnë informacionin e kërkuar mbi titujt e rinj, veprat më të shitura, numrin e vizitorëve në stendën e tyre dhe numrin e promovimeve.

Sa i takon numrit të titujve të rinj në këtë edicion, vendin e parë e zë shtëpia botuese “Ada” me 82 syresh, e ndjekur nga “Toena”, që ka botuar 75 tituj të rinj e më pas nga “Albasi” me 52. Në Panair kanë qenë të pranishëm shumë autorë shqiptarë dhe përkthyes. Ka pasur autorë që kanë dhënë autografe dhe janë takuar me lexuesit e vet. “Toena” ka numrin më të lartë të prezantimeve: 20 syresh.

Sipas shifrave nuk mund të shquash lehtësisht një trend. Mes librave më të lexuar ka edhe provokim, edhe komerc, edhe poezi.

LIBRAT MË TË SHITUR

“Kandidati” i Ben Blushit (MAPO): 3500 kopje

“Identiteti” i Milan Kunderës (“Dituria”): 1120 kopje

“Rebelimi i Lulusë”, Albatros Rexhaj (“Pegi”): 1000 kopje

“Ditari i Gregut” (“Ideart”): 750 kopje

“Kukulla”, Ismail Kadare (“Onufri”): 500 kopje

“Të gjallë dhe të vdekur”, Ilirjan Zhupa (“Toena”): 500 kopje

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura