Kandidatët profesorë në zgjedhje, pjesë e projektit të PD-së

Jul 6, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

Kandidatët e opozitës që nuk arritën të fitonin në zgjedhjet vendore, do të jenë pjesë e projektit politik që kryedemokratit Basha do të hartojë në muajin shtator, pas analizës së zgjedhjeve të 21 qershorit. Megjithëse nuk ka diçka formale për këtë bashkëpunim, komunikimi i kryedemokratit Basha me ta ka dhënë sinjalet se ata do të jenë pjesë e këtij projekti.

Duma gjate takimit me banoret

PD i sheh si asete të rëndësishme një pjesë të mirë të kandidatëve që i bëri pjesë të zgjedhjeve të 21 qershorit, ndaj edhe kontributin e tyre pritet ta vërë në funksion të aksionit të ri politik. Nisur edhe nga formimi akademik dhe cilësitë profesionale e qytetare, kreu i opozitës ka kërkuar që të vazhdojë bashkëpunimin veçanërisht me kandidatët Halim Kosova, Grida Duma, Ardian Turku, Gjergj Mero dhe Igli Kokalari.

Këta kandidatë kanë qenë edhe karta e fortë që kryedemokrati Basha zgjodhi për të demonstruar përpjekjen e tij për të mbajtur larg zgjedhjeve vendore kandidatët e inkriminuar. Të kontaktuar nga “Panorama”, disa prej tyre theksojnë se do të jenë pjesë e analizës që opozita do t’u bëjë zgjedhjeve vendore, duke konfirmuar vazhdimësinë e kontributit të tyre politik për Partinë Demokratike.

KANDIDATËT
Kandidatja e PD-së për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, angazhimin e saj në strukturat drejtuese do ta vazhdojë si sekretare e Marrëdhënieve me Publikun, funksion të cilin e kishte edhe para zgjedhjeve vendore. E kontaktuar nga “Panorama”, Grida Duma ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në analizën e rezultatit të marrë nga opozita në qytetin e Durrësit.

“Unë do të jem patjetër pjesë e analizës që strukturat e PD në qytetin e Durrësit dhe deputetët e deleguar në këtë qytet do të bëjnë mbi rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit”, shprehet Duma. Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD i cilëson si asete të çmuara kandidatët e opozitës, ndaj edhe konfirmon angazhimin e tyre politik në aksionin e ri që kryetari Basha do të nisë nga muaji shtator.

“Kandidatët do të jenë pjesë e analizës si protagonistët kryesorë të këtyre betejave politike. Nga ana tjetër, kontributi i tyre në Partinë Demokratike mendoj që është pjesë e aseteve për rrugën në vijim. Sigurisht nuk ka ende një qëndrim formal apo zyrtar për këtë, por mendoj që pas analizës do të përcaktohen shumë vendimmarrje për konfigurimin tonë politik”, shprehet Duma. Edhe rektori i Universitetit “Fan S.Noli” në Korçë dhe kandidati i opozitës për këtë bashki, Gjergji Mero, konfirmon pjesëmarrjen në analizën e PD në këtë bashki, takim në të cilin shprehet se do bëjë publike edhe shkaqet e humbjes.

“Kam pasur dy telefonata me z.Basha, në të cilat ai më ka falënderuar për angazhimin tim dhe numrin e votave që kam marrë. Unë do të jem pjesë e analizës që PD do të bëjë për shkaqet e humbjes. Në këtë takim unë do të jap edhe qëndrimet e mia për pikat në të cilat kanë gabuar strukturat”, shprehet Mero. I kontaktuar nga kryedemokrati Basha ka qenë edhe kandidati i opozitës në Gjirokastër, Igli Kokalari. Doktori i njohur deklaron se pas analizës së zgjedhjeve vendore, ai dhe stafi i tij do të punojnë për rritjen e rezultateve të PD në zgjedhjet e ardhshme.

“Angazhimin tim e kam të lidhur pazgjidhshmërisht me PD. Do vazhdoj të punoj që rezultatet e forcës sime politike të rriten për zgjedhjet e ardhshme. Kam kontaktuar me kryetarin Basha, i cili më ka falënderuar për rezultatin e marrë dhe tani do fillojmë të analizojmë rezultatin”, shprehet Kokalari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura