Kandidatët për KLP, akuza e fortë e PD: U përzgjodhën nga Soros

Jan 20, 2018 | 9:00
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka akuzuar PS-në se, përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, po kërkon kapjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

ligjet manja

Vendimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj, për të bërë renditjen e kandidatëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë për KLP e KLGJ, u cilësua antikushtetues nga deputeti i PD, Oerd Bylykbashi. Në mbledhjen e tij të parë, Nënkomisioni ad hoc për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve u shoqërua me debate të forta, lidhur me vendimmarrjen e Sekretarit të Kuvendit dhe politizimin e procesit.

Deputeti i PD, Bylykbashi, deklaroi se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të shoqërisë civile ka qenë haptazi i ndikuar nga Soros. Të hënën, Komisioni do të mblidhet sërish për të përzgjedhur kandidatët që do t’i kalojnë seancës plenare.

DEBATI NË KOMISION

Oerd Bylykbashi: Është e qartë që shumica e gjyqtarëve kushtetues mendojnë që ato parafiltra janë antikushtetuese. Të gjitha këto, përveç krizës dhe mosbesimit politik që prodhojnë, janë shoqëruar me atë që është de facto, një filtrim me qëllim kapjen e kandidaturave. Ku Soros është haptazi një ndikim thelbësor në filtrimin e kandidaturave që vijnë nga shoqëria civile, ku të gjitha instrumentet që u përgatitën me kohë edhe me ndryshime ligjore për botën akademike, përfshirë edhe Shkollën e Magjistraturës, ishin në funksion të këtij qëllimi. Për të çuar ata kandidatë, të cilët ju volitin juve. Burime njerëzore nuk ka pafund. Ne sot jemi para një procesi, që na ka sjellë një problem shumë të rëndë me kandidaturat që na janë paraqitur. Të filtruara politikisht, me probleme për sa u përket kritereve ligjore dhe kushtetuese dhe në shkelje antikushtetuese me marrje kompetencash.

Klotilda Bushka: Po aludoni për ndikim të maxhorancës për përzgjedhje të kandidatëve. Në kohën kur është miratuar ligji, ke qenë ti z.Bylykbashi, që ke kërkuar që të jetë Kuvendi që të marrë rolin, që PS donte t’ia linte vetë profesionistëve. Ndryshimin e kemi miratuar me konsensus. Ky është një proces baltosjeje, që ju e bëni pa nisur mbledhjen. ONM ka bërë një vlerësim dhe ka ardhur me raportin e tij.

Oerd Bylykbashi: Kemi një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Ka përgatitur një listë, e cila është haptazi në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. Për herën e parë që do bëhej ky proces, kemi edhe ONM-në. Një organ që u përfshi në Kushtetutë dhe me rëndësi të madhe, jo vetëm te vetingu. ONM ka një rol thelbësor dhe konstatimet e saj reflektohen në listën që i vjen Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm ka vepruar në kundërshtim me Kushtetuan dhe ligjin, që e detyronte të reflektonte opinionin e ONM-së. Ka përfshirë kandidatë, të cilët ONM i cilëson jo në përputhje me kriteret kushtetuese dhe që duhet të skualifikoheshin. Jo vetëm që nuk mund ta bënte këtë Sekretari i Përgjithshëm, por ka bërë edhe një veprim tjetër. Ka përfshirë kandidatë të skualifikuar me qëllim për të plotësuar numrin apo për të futur ata kandidatë, të cilët janë klientët, të preferuarit e një krahu politik. Kur ONM e skualifikon dikë, nuk mund ta përfshijë ky. Organet e arsimit të lartë, të cilat do të duhet të ishin shembull për gjithë ne të tjerët, nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë shkelur ligjin haptas. Dy kandidatura që përfshihen nga bota akademike, janë haptazi në kundërshtim me kriteret ligjore.

Vasilika Hysi: Jam njohur me një shkresë të grupit të PD. Kërkoni të vini përballë Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit me ONMnë. Ky proces është kryer nga tre sekretarë të Përgjithshëm të ndryshëm. Unë nuk di në ndonjë ligj, që të thotë se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit është funksion politik. Ka qenë vetë opozita, që ka kërkuar me ngulm që procesi të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm. Kur i thoshim se është një person i vetëm dhe do thoni që e ka emëruar Meta, na thoshit, ‘jo, jo, do jemi dakord’. Ju po paragjykoni Sekretarin e Përgjithshëm. Po të kthehemi edhe te emri konkret, z.Gjonçaj, dhe i kërkoj ndjesë publike që i përmend emrin, ju harroni që z.Gjonçaj ka qenë Sekretar i Përgjithshëm për z.Lulzim Basha në Ministrinë e Transporteve. Ka qenë drejtor Drejtorie kur z.Meta ka qenë Kryeministër dy herë, atëherë qenka me LSI-në, tashmë është Sekretari i Përgjithshëm në Kuvend dhe qenka me PS-në. A mundet që të mbajmë profilin e juristit në debate? Prandaj, kush e ka bërë këtë raport të djallëzuar që dezinformon të gjitha ambasadat, trupin diplomatik, median, bën gabim. Këtë nuk e keni as në Kushtetutë, as në ligj. Ne i kemi shqyrtuar gjithë natën dhe gjithë ditën kandidaturat, bëjeni dhe ju këtë gjë. Përveç politizimit që i bëjmë procesit, ne godasim gjithë trupën e profesoratit dhe rektorët. Nëse profesorët, rektorët, personalitetet e rëndësishme, sepse unë e kam ndjekur si proces, do të ndiheshin të fyer nga ajo që ju ken i shkruar, personalitetet si profesor Kaba etj. Si keni guximin dhe thoni që ata kanë falsifikuar procesin.

Oerd Bylykbashi: Dëgjova perla lapidare. S’jemi në momentet kur i vëmë nota njëri-tjetrit. Sekretari i Përgjithshëm, sipas shërbimit civil, nuk ka ngarkesë politike. E vërteta është që këta persona i kemi kolegë. Por, është si të isha unë Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe pasi të kisha qenë edhe përfaqësues politik i PD-së në KQZ, të thoni që unë jam i pavarur. S’ka asnjë diferencë.

Ulsi Manja: Më vjen mirë që opozita e shkrimit të paketës së Reformës në Drejtësi ka përfunduar. Sot jemi në një stacion të ri të reformës. Të dy palët e kemi kuptuar që jemi të dënuar të respektojmë Kushtetutën dhe ligjin. Të respektojmë në mënyrë të veçantë trupën e anëtarëve që kanë marrë pjesë në proces. Edhe nëse ndonjë kandidat nuk plotëson kushtet për garën e këtyre institucioneve, meriton respekt.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura