Kancelarja e Hekurt

Nov 8, 2018 | 12:15
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI20150924_demi_rdax_275x371

DORËHEQJA

Angela Merkel vendosi të largohet nga skena politike. Ajo do ta lëshojë lidershipin tetëmbëdhjetëvjeçar të Bashkimit Kristian Demokratik (CDU) në konferencën e partisë, që do të mbahet në Hamburg, më 6 dhjetor të këtij viti. Zonja Merkel njoftoi vendimin në një mbledhje të bordit drejtues të CDU-së, i cili e duartrokiti gjatë me ovacion.

Kancelarja tha se kishte vendosur ta linte postin e vet “me dinjitet”. Ky vendim “nuk ka të ngjashëm në historinë e Republikës Federale”. Çdo Kancelar gjerman, që ka lëshuar këtë detyrë para saj, ose është detyruar nga skandale, ose ka humbur në kutitë e votimit.

Zonja Merkel do të qëndrojë në krye të qeverisë deri në përfundim të mandatit (2021), por mund të largohet më shpejt, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme. Në çdo rast, ka mjaft kohë “për t’u përgatitur për periudhën pas saj”, që shënon fillimin e një ere të re. Dhe, sipas analistëve, ky është intervali për të kuptuar një nga liderët më të shquar të kohës sonë.

KANCELARE E GJERMANISË

Angela Merkel, një shkencëtare nga Gjermania Lindore, ishte gruaja e parë që u bë Kancelare e Gjermanisë. Për 13 vjet rresht, Merkel ka qenë një forcë thellësisht stabilizuese. Ajo e qeverisi vendin me qetësi të madhe dhe me kompetencë, ndoqi një rrugë të qendrës që reflektonte prirjen popullore dhe qytetarinë, të cilat bashkuan votuesit gjermanë rreth “Mutti”-it (Nënës).

Kancelarja Merkel rreshtohet krahas Konrad Adenauer, Willy Brandt dhe Helmut Kohl në përpjekjen për riformimin e Gjermanisë.

Gjatë 13 vjetëve në krye të qeverisë, ajo ishte plotësisht e angazhuar ndaj parimeve që udhëhoqën politikën e Republikës Federale që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore: demokracisë, shtetit ligjor dhe besimit në projektin europian. Nën drejtimin e saj, Gjermania ka qenë një vend mjaft i qetë dhe i begatë, pavarësisht disa furtunave politike. Pikërisht me këtë qetësi, konsistencë dhe qytetari, Merkel la shenjën e vet dhe mori një rol, që, në fakt, e bëri “lider të botës së lirë”.

Evelyn Roll, gazetare dhe autore e një biografie të znj. Merkel, thotë: “Ajo nuk ka humbur aftësinë e vet për të surprizuar.” Kështu, pas fatkeqësisë së Fukushimës, ajo surprizoi qeverinë kur mori vendimin të hiqte dorë nga energjia atomike, gjë që cenonte industrinë e vendit të vet.

Udhëheqëse e Bashkimit Europian

Me Angela Merkel-in, Europa humb një lider dhe një kampione të pazëvendësueshme për mbrojtjen e Bashkimit Europian, vlerave europiane dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligj përballë kujtdo.

Zonja Merkel ka qenë një përkrahëse e paepur e NATO-s. Nën drejtimin e saj, Gjermania rriti rolin e vet në sigurinë ndërkombëtare dhe u angazhua të shpenzonte 2% të PPB për mbrojtjen. Pragmatizmi konsensual i Kancelares Merkel ka qenë vendimtar për të miratuar:

i. Traktatin e Lisbonës (13 dhjetor 2007), që qeveris Bashkimin Europian;

ii. Vendimin për të mbajtur Greqinë në Eurozonë kundër një opozite të fortë;

iii. Qëndrimin e Perëndimit kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia;

iv. Sanksionet kundër Rusisë; si dhe

v. Procesin e Berlinit, i cili ka rritur bashkëpunimin rajonal, ndërlidhjen dhe tregtinë, marrëdhëniet midis të rinjve dhe punësimin e tyre, luftën kundër terrorizmit, ka thelluar integrimin dhe garantoi perspektivën europiane për vendin tonë dhe rajonin.

Jashtë Gjermanisë, ajo është perceptuar si kundërshtarja kryesore e autokratëve dhe mbrojtëse e botës së lirë e liberale, që tani është nën atak.

Ajo ngjallte besim. Jepte siguri se Gjermania ishte fuqia rezervë e Europës, tek e cila mund të mbështeteshe. Kur ajo gabonte, ende mund të kishe besim tek ajo, edhe në qoftë se nuk të pëlqente.

Ndoshta, popullariteti i znj. Merkel ka rënë në vendin e vet, mbase dhe ndikimi i saj te të tjerët mund të jetë venitur, por për ata që besojnë dhe punojnë për ëndrrën e Bashkimit Europian, znj. Merkel ishte thellësisht e besueshme, e ndershme dhe e angazhuar për Europën dhe vlerat europiane. Ajo qëndroi si barrikadë kundër arrogantëve populistë, të cilët sot drejtojnë disa vende europiane.

Një studim i Qendrës Kërkimore Pew, kryer në 25 vende të botës, ka gjetur se 52% e të intervistuarve kanë besim te znj. Merkel më shumë se te liderët e Francës, Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara.

IMPLIKIME NË SKENËN EUROPIANE

Skena europiane, të cilën Angela Merkel e komandoi gjatë dhe me efektivitet, mund të kriset në qoftë se nuk bie. Figura e saj ka qenë posteri i qendrës demokratike të Europës, por sot kjo qendër është në kolaps. Ajo dhe Gjermania kanë qenë simboli i stabilitetit, por sot edhe në Gjermani vihen re paqëndrueshmëri politike.

Zëdhënësit parisianë e shikojnë largimin e Kancelares Merkel si një shans për “Jupiterin” Macron, për t’u bërë zëri i padiskutueshëm i Europës. Por, një skenar tjetër parathotë se pa Angela Merkel-in qendra europiane bie dhe “projekti” europian bëhet pak më shumë se një iluzion. Pa një partner të besueshëm gjerman, Presidenti Macron do të jetë në vështirësi të mëdha.

Pa Merkel-in, shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore mund të sillen vërdallë në mes të udhëtimit. Plani për të zgjeruar Bashkimin Europian në Ballkanin Perëndimor mund të mbetet mbi tavolinë apo të griset. Në këtë skenar, marrëveshja europiane për të zgjidhur krizën ukrainase mund të mos përparojë dhe mund t’i hapë rrugë influencës ruse e më gjerë.

Merkel mendon se mund t’i pengojë të gjitha këto gjëma. Plani i saj parashikon që në krye të CDU-së të zgjidhet një kryetar aleat dhe të hartojë një strategji për zgjedhjet europiane të majit 2019. Ky plan ka vështirësitë e veta, si: luftën e hapur për ta zëvendësuar dhe lëshimin e pushtetit. Në qoftë se situata nuk përmirësohet, më 2019, CDU rrezikon në zgjedhjet e landeve të ish-Gjermanisë Lindore në favor të Aleancës për Gjermaninë (Allianz für Deutschland- AfD). Nga ana tjetër, socialdemokratët mund të lëshojnë koalicionin dhe Gjermania mund të përballet me zgjedhje të parakohshme.

KRITIKA

Kritikët e zonjës Merkel kanë kundërshtuar thirrjen e saj për shtrëngesa ekonomike gjatë krizës, përpjekjet për t’i dhënë Greqisë tri herë ndihmë financiare për ta shpëtuar nga rrënimi ekonomik, duke kërkuar forcimin e euros, si dhe kanë qenë kryekëput kundër vendimit të saj për të hapur kufijtë e Gjermanisë për një milion refugjatë.

Vepra bujare e znj. Merkel, që shpëtoi viktimat e luftës së egër të regjimit të Asadit, konsiderohet nga nativistët dhe populistët europianë dhe më gjerë si gabimi më i madh i gjithë karrierës së vet. Ata trumbetojnë se hapja e kufijve gjermanë nxiti sfidën më të madhe të Europës: rritjen e lëvizjeve populiste dhe fitoren e liderëve të tyre në Europë, SHBA dhe në Amerikën Latine; inkurajoi britanikët të lëshonin Bashkimin Europian; rriti partinë gjermane të Populizmit të Djathtë (AfD); uli popullaritetin e znj. Merkel, gjë që ra në sy nga rezultati i dobët i Kristian Demokratëve në zgjedhjet e landit të Hessen-it.

PËSHTJELLIM NË CDU

Sot, politologë dhe studiues të ndryshëm vënë re se CDU, që sillet rreth 26%, ngërthen probleme të brendshme, domethënia e të cilave është ende e paqartë. Kjo situatë ngre krye në një kohë kur nacionalizmi agresiv, racizmi dhe ksenofobia e populistëve të krahut të djathtë i kanë vendosur vlerat liberale në një pozicion mbrojtjeje në të gjithë Europën dhe kriza e konservatorizmit gjerman gjeneron pështjellim për projektin e unitetit ndërkombëtar të kontinentit europian.

Pakënaqësia ndaj Merkelit duket se, në radhë të parë, buron brenda partisë së vet. Kritikët e brendshëm e akuzojnë për shtyrje të CDU-së drejt krahut të majtë, duke e kthyer në një parti të qendrës së majtë, pothuajse, të padallueshme nga socialdemokratët. Në kritikat e zakonshme bën pjesë edhe pozicioni liberal i Kancelares ndaj çështjeve sociale si ato të martesave gej, që pretendojnë se ka larguar votuesit konservatorë, si dhe fëmijëria e saj në Gjermaninë Lindore komuniste, veçori jo plotësisht të pranueshme nga baza e CDU-së, që vjen kryesisht nga Gjermania Perëndimore.

Kohët e fundit vihet re një konservatorizëm më agresiv, i cili udhëhiqet nga shqetësimi për ruajtjen e vlerave dhe identitetin kombëtar, duke evokuar zellin kundërrevolucionar të mendimtarëve, si: Edmund Burke1 dhe Joseph de Maistre2 .

Teoricienia politike nga SHBA, Corey Robin, thotë se populizmi reaksionar rrjedh si një fill i kuq në të gjithë ligjërimin konservator. Në Gjermani, ky fill i kuq po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, jo vetëm tek AfD, por edhe te retorika dhe politikat e CSU-së (simotra bavareze) dhe degës së CDUsë në Bavari, të cilat kanë lidhje të forta me qeveritë liberale të Austrisë dhe Hungarisë.

Aleksandër Dobrindt, zëvendëskryetar i parë i Grupit Parlamentar CDU/CSU, evokoi në gazetën “Die Welt”, nocionin e epokës të Vajmarit (Republika e Vajmarit: 1918 – 1933): “revolucion konservator” dhe nevojën për një shtet të fortë që të mbrojë moralin e shoqërisë kundër emancipimit dhe frymës pluralist të viteve 1960.

Këto qëndrime demonstrojnë se kriza e tanishme është e lidhur vetëm në mënyrë sipërfaqësore me znj. Merkel dhe trashëgiminë e saj. Në një vështrim më të thellë, ajo është karakteristikë e projektit konservator, që sillet midis ruajtjes të vlerave të “traditës” dhe një projekti ambicioz të madhështisë kombëtare dhe hemogjenitetit kulturor. Shpresa se dorëheqja e znj. Merkel do të pastrojë rrugën për një forcë apo profil të aftë për të bashkuar konservatorët, që shpesh është shprehur nëpërmjet thirrjes “Merkel duhet të ikë!”, është një ide e mirëpritur. Por, ende nuk vihet re ndonjë zëvendësues i besueshëm, aq më pak një vizion për të ardhmen e politikave konservatore në Gjermaninë moderne.

Kriza e identitetit e konservatorizmit gjerman po krijon një vakum në qendër të Europës, që mund të ketë implikime jo të mira për të gjithë kontinentin.

Zëvendësuesit e mundshëm dhe atmosfera në Bruksel Zonja Merkel i tha bordit drejtues të CDU-së: “Unë dua t’i jap partisë sime hapësirën të përgatitet për të ardhmen. Dhe jam menduar sesi të sjell forca të reja për të çuar më përpara anijen tonë”.

Cilido apo cilado që do të zgjidhet për të drejtuar Kristian Demokratët pas znj. Merkel, duhet të jetë i mirëpozicionuar për ta zëvendësuar atë si Lider i Gjermanisë.

Disa nga kandidatët potencialë janë: (i) Annegret Kramp-Karrenbauer: “mini-Merkel”, 56 vjeç; (ii) Jens Spahn: “anti Merkel”, 38; (iii) Armin Laschet: “zëri i arsyes”, 57; (iv) Friedrich Merz, “ish-rival”, 62.

Ndërkaq, në Bruksel kanë filluar të rriten dyshimet mbi pasardhësin e znj. Merkel dhe nuk presin të jetë më mbështetës ndaj ideve të Presidentit Macron. Statura e tij apo e saj në kryeqytetin e Bashkimit Europian do të jetë shumë më e vogël se ajo që fitoi zonja Merkel gjatë 102 samiteve që kur mori pushtetin, më 2005. Ai ose ajo do ta ketë shumë të vështirë të reformojë Bashkimin Europian pa Britaninë, të forcojë institucionet që drejtojnë euron, përplasjet me administratën e Trampit, me vendet fqinje populiste dhe me Rusinë.

1 Burke ishte një idhtar i veprimtarisë shoqërore të mbështetur në virtyt dhe i rëndësisë të institucioneve fetare për stabilitetin moral dhe të drejtësisë të shtetit.

2 Idhtar i monarkisë në periudhën që erdhi menjë herë pas revolucionit francez.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura