Kamza në formë, Lelis vendos në siklet Ndreun: Dua të jem titullar

Nov 25, 2017 | 12:06
SHPËRNDAJE

Braziliani që luan te Kamza në rolin e mbrojtësit të qendrës, Leonardo Da Silva Lelis, në ndeshjen ndaj Skënderbeut ka shkëlqyer duke shpërblyer më së miri besimin e trajnerit Ramdan Ndreu. Lelis e nisi titullar këtë sezon, por pas një dëmtimi u ul në stol. Në shumë ndeshje braziliani është i privuar për shkak të numrit të kufizuar të lojtarëve të huaj.

kamza

U desh mungesa e Fushtarit, për shkak të dëmtimit, që ai të niste takimin si titullar kundër Skënderbeut. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, braziliani theksoi se do të vazhdojë me këtë rritëm, si ai dhe skuadra. Lelis është i bindur se ndaj Lushnjës do të arrihet fitorja, edhe pse sipas tij asgjë nuk do të jetë e thjeshtë.

DEKLARATA

“Kërkoj që përsëri të luaj si titullar në këtë takim. Shpresoj që të jap më të mirën e mundshme. Këtë e kam treguar shpeshherë në çdo aktivizim. Jam i bindur se do të fitojmë ndaj Lushnjës, por duhet ta sigurojmë me futboll të mirë. Ne jemi të kënaqur që ndodhemi në këto pozita komode sepse vijmë nga një kategori tjetër.

Do të luajmë ndeshjen tonë të bukur, ku, natyrisht që duam dhe një rezultat të mirë sepse në këtë mënyrë futemi në rrjedhën e duhur të gjërave që këtë sezon po ecin më së miri. Skuadra jonë është stërvitur rregullisht gjatë gjithë javës, ku me optimizmin dhe gjendjen që ka, do të marrim trepikëshin”, ka thënë fillimisht braziliani.

Në fund ai paralajmëron shokët se nuk duhet të nënvlerësojnë Lushnjën. “Kundërshtari ynë luan një futboll të disiplinuar, por që të hap punë po e nënvlerësove. Unë pres që me grupin të luajmë një ndeshje të mirë, pavarësisht dy mungesave që kemi. Nuk e fsheh, duam të fitojmë, por ta bëjmë këtë përmes një futbolli të bukur.

A do t’ia arrijmë? Këtë vetëm fusha do ta tregojë. Shpresojmë që këtë herë më shumë se kurrë të kemi mbështetjen e tifozëve, të cilët besoj se do të jenë në një numër më të madh se ndeshjet e kaluara. Ekipi po ecën mirë, kështu që meritojmë më tepër përkrahje”, theksoi mbrojtësi Lelis.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura