Kampionët shqiptarë, një koncert për Nënë Terezën në Vatikan

Aug 15, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Përpara shenjtërisë së saj nuk ka kalendar. Disa nga emrat më të mëdhenj të operistikës, jo thjesht shqiptare, por botërore, do të lënë gjithçka, për t’u bërë bashkë në një koncert që do t’i paraprijë ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në 4 shtator. Pas një viti të ngjeshur, dy yjet në ngjitje të skenave botërore, Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, sopranoja protagoniste e koncertit, Inva Mula, baritoni Gëzim Myshketa, që po përjeton një periudhë mjaft të suksesshme në karrierën e tij, tenori Ramë Lahaj, i cili vetëm pak ditë më parë u shpall fitues i vendit të tretë të konkursit ndërkombëtar operistik “Placido Domingo”, janë pjesë e koncertit që do të zhvillohet në datën 3 shtator në Basilica Papale di San Paolo Fuori Le Mura.

afishe koncerti

Zërave të mrekullueshëm të këngëtarëve do t’u bashkohet edhe violina e mjeshtrit Shkëlzen Doli, për të cilin do të mjaftonin vetëm pak minuta për ta bërë të njohur muzikën popullore shqiptare në të gjithë botën. Këngëtarët do të shoqërohen nga kori dhe orkestra filarmonike e Kosovës, drejtuar nga Baki Jashari, nën dirigjimin e Bujar Llapajt. Pjesë e këtij koncerti madhështor, të organizuar me iniciativën e Dijana Toska, do të jetë edhe një tjetër këngëtare, por jo më lirike. Një yll i muzikës pop. Bëhet fjalë për Rita Orën, kosovaren që asnjëherë nuk e ka mohuar origjinën e saj.

Pjesë e kësaj ceremonie, që shqiptarët i kanë dedikuar shqiptares së madhe, janë edhe disa emra të tjerë, që kanë bërë të gjithë shqiptarët, kudo që janë, krenarë me arritjet e tyre. Ata janë kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, fituesja e medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi, Don Lush Gjergji dhe aktorët e rinj Lum Veseli e Andi Bajgora, të cilët me interpretimin e tyre në filmin e shkurtër “Shok”, e çuan Kosovën në “Oscar”.

inva mula para koncertit

Koncerti, që do të nisë në orën 19:30, është parashikuar të zgjasë 90 minuta dhe do të ketë si kulm himnin kushtuar Nënë Terezës, realizuar nga pianisti dhe kompozitori shqiptar, Genc Tukiçi, mbi një motiv të Lorenc Antonit dhe me tekst të vetë Gonxhe Bojaxhiut, shkruar në vitin 1928 gjatë rrugës nga Irlanda në Kalkutë. Himni u interpretua për herë të parë nga sopranoja Inva Mula, në 5 shtator 2015, në katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë, në një koncert kushtuar shenjtores shqiptare, organizuar nga Dijana Toska.

FESTIMET

Festimet për shenjtërimin e humanistes Nënë Terezë do të zgjasin thuajse një javë. Do të nisin mëngjesin e 2 shtatorit, kur Misionaret e Urdhrit të Nënë Terezës do të mbajnë në katedralen e Sant’Anastasia al Palatino në Romë meshën e shenjtë në 3 gjuhë: italisht, anglisht e spanjisht. Paraditen e 3 shtatorit do të zhvillohet një takim me besimtarët dhe të devotshmit e Nënë Terezës, në sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan, me praninë e Papa Françeskut. Gjatë pasdites, në orën 17:30, në katedralen Sant’Andrea della Valle do të jetë e mundur të vizitohen eshtrat e Nënë Terezës.

Momenti kulmor do të jetë në paraditen e datës 4 shtator, ku në orën 10:00, në sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan, do të nisë ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me liturgjinë solemne dhe në orën 12:00 ati i shenjtë do të mbajë Lutjen e Angelus. Më 5 shtator, pas meshës së falënderimit, eshtrat e Nënë Terezës mund të vizitohen në katedralen e San Giovanni in Laterano, ndërsa në datat 7-8 shtator mund të vizitohen në kishën e San Gregorio Magno, në Romë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura