Kampi i Tepelenës, hapen dosjet që dëshmojnë persekutimin komunist

Aug 16, 2018 | 17:01
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Vetëm me 400 gramë bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjetër, edhe një tjetër… Kishte raste, 5-6 varre në ditë”.

Kjo është dëshmia e një të mbijetuari në kampin famëkeq të Tepelenës. Dikush thotë se atje “nuk ka qenë edhe aq keq”, ndërsa një ndër pinjollët e ish-udhëheqjes komuniste, njëkohësisht edhe viktimë e saj, Bashkim Shehu, i biri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, në një intervistë të kohëve të fundit do të shprehej se në atë kamp ishte më keq se burgu ku ai kishte vuajtur dënimin dhe se vdekshmëria foshnjore ishte aq e lartë, saqë vetë ata që e kishin ngritur vendosën ta mbyllnin.

30007693_10215891633113918_371624479_n

Që prej debatit për kampin e Tepelenës, ky i fundit është kthyer në simbolin e vuajtjes çnjerëzore nën komunizëm. Për t’i dhënë më shumë dritë, jo vetëm këtij debati, por edhe persekutimit komunist në këtë zonë të Shqipërisë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizon në datën 20 gusht ekspozitën me titull “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”. Sipas AIDSSH-së, pjesë e kësaj ekspozite do të jenë dokumente arkivore të dhjetëra dosjeve, që dokumentojnë përndjekjen e ishSigurimit të Shtetit në zonën e Tepelenës, dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos dhe dhjetëra të tjera.

Aktiviteti do të zhvillohet të hënën, më 20 gusht, ora 11:00, në mjediset e AIDSSH-së, pranë Gardës së Republikës. Kjo ekspozitë dokumentare, kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi totalitar komunist, i paraprin Ditës Muze Memorial/Tepelenë që do të zhvillohet në qytetin e Tepelenës më 23 gusht 2018. Të ftuar do të jenë familjarë, studiues, përfaqësues të komunitetit lokal, shoqatave të ish-të përndjekurve dhe grupeve të interesit.

Me synimin që ky aktivitet të jetë sa përkujtimor, aq edhe edukativ, reflektues, rinor, artistik e dokumentues, të ofrojë njohje, nderim dhe dialog shoqëror, gjatë Ditës Muze në Tepelenë do të ketë një larmi ngjarjesh. Do të ketë nderim për viktimat dhe të mbijetuarit, ekspozita, simpoziume, dëshmi, biseda, dokumentarë, por edhe art të mirëfilltë. Nuk mund të mungojë edhe muzika, ajo rrok, që simbolizon protestën. “Tre muskëtierët” dhe Asgjë sikur dielli” do të mbyllin këtë ditë-natë të gjatë, ku dhimbja shërben si katarsis, si pastrim, çlirim dhe kujtesë.

Aktivitetet në Tepelenë

• Nga orën 10:00, në sallën e teatrit të qytetit do të ketë një ekspozitë dokumentare me përndjekjen komuniste në Tepelenë, ku publiku i përbërë nga studiues, autoritete të qytetit dhe familje të ish-përndjekurve politikë do të njihen me materiale të rëndësishme të Sigurimit në Tepelenë dhe në ngjarje të rëndësishme të rezistencës si p.sh., Kryengritja e Zhapokikës, atë për të drejtën e besimit bektashi dhe katolik (përmes dosjes së At Gjergj Sulit, apo Baba Shefqet Koshtashit) apo atë të përndjekjes se Zenel Shehut apo Trifon Xhagjikës e Neim Pashës. Të gjithë figura të nderuara të përpjekjes për liri e dinjitet.

• Më tej, po në sallën e teatrit të qytetit, do të zhvillohet Simpoziumi Shkencor që vë bazat konceptuale të punës shkencore për Muzeun e Punës së Detyruar në Shqipëri, me prezantime nga prof. Beqir Meta dhe prof. dr. Ermal Frashëri etj.

• Në orën 18:00 organizohet dhënia e dekoratave të nderit për 4 të mbijetuar të kampit të Tepelenës nga Presidenti Meta. Aktiviteti zhvendoset në mjediset e kampit të Tepelenës, ku do të ketë disa postera, fotografi dhe dokumente të përgatitura nga AIDSSH. Aktiviteti mbështetet nga projekti “Përkujto për të Parandaluar dhe Shëruar”, financuar nga UNDP dhe Italia dhe partnerë të tjerë që do të bashkohen.

• Në ora 19:30 fillon aktiviteti rinor artistik “Kampi N’dritë” dhe do të ndriçohet i gjithë kampi për një natë. Brenda në kampet do të ngrihen çadra kampingu, ku do të akomodohen të rinjtë dhe do të ketë disa performanca artistike, ku pritet të mblidhen disa qindra të pranishëm, kryesisht të rinj. Do të shfaqet një film dokumentar “Edhe Muret Kanë Veshë”, si dhe më pas do të projektohen në muret e kampit instalacioni “Edhe Muret Kanë Veshë” si dhe “I Përkasim NjëriTjetrit”.

• Vonë në mbrëmje ka performanca nga 2 grupe këngëtarësh “Asgjë Sikur Dielli” dhe “Tre muskëtierët”, si shenjë e triumfit të jetës dhe dinjitetit njerëzor.

Kur dy diktatura nënshkruajnë një pakt

Më 23 gusht 1939, përfaqësuesit e dy superfuqive dhe njëkohësisht dy diktaturave më të mëdha dhe gjakatare në botë, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste, nënshkruan një marrëveshje. Parlamenti Europian në vitin 2008 miratoi një deklaratë mbi shpalljen e 23 gushtit si Dita Europiane e Kujtimit për Viktimat e Stalinizmit dhe Nazizmit. Deklarata përsëriti se deportimet masive, vrasjet dhe skllavërimet e kryera në kontekstin e akteve të agresionit nga stalinizmi dhe nazizmi bien në kategorinë e krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë Presidencës hungareze të BE-së të vitit 2011, një nismë hungareze-lituaneze- polake rezultoi në marrjen e ministrive të drejtësisë nga BEja, duke pranuar një dokument që lidhet me kujtimin e regjimeve totalitare. Kjo ditë u shpall më 23 gusht. Që nga viti 2011, çdo vit një vend europian organizon një konferencë kushtuar Ditës Europiane të Kujtimit. Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, e njohur si Dita e Shiritit të Zi në disa vende, e cila është vërejtur më 23 gusht, është dita ndërkombëtare e përkujtimit për viktimat e ideologjive totalitare, veçanërisht regjimet totalitare komuniste, stalinizmin, nazizmin dhe fashizmin.

Ajo u caktua nga Parlamenti Europian në 2008/ 2009 si “Dita e Kujtimit për të gjithë Europën për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, për t’u përkujtuar me dinjitet dhe paanësi. Kjo datë u zgjodh në kujtim të Paktit Molotov-Ribbentrop, një nënshkrim pa agresion, i vitit 1939 midis BRSS-së dhe Gjermanisë naziste që përmbante një protokoll që ndau Rumaninë, Poloninë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë dhe Finlandën në Sferat gjermane dhe sovjetike të influencës. Traktati u përshkrua nga Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, në vitin 2010 si “marrëveshja e dy formave më të këqija të totalitarizmit në historinë e njerëzimit”.

Dita e përkujtimit filloi në protestat e mbajtura në qytetet perëndimore kundër krimeve sovjetike dhe okupimit në vitet 1980, të iniciuara nga refugjatët kanadezë nga vendet e pushtuara nga Bashkimi Sovjetik dhe që kulmuan në Rrugën Baltike, një demonstrim i madh gjatë revolucioneve të vitit 1989 që kontribuuan në çlirimin e shteteve baltike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura