Kampi i refugjatëve midis sigurisë europiane dhe asaj shqiptare

Jun 11, 2018 | 12:17
SHPËRNDAJE

pellumb-nakoPËLLUMB NAKO

Tashmë nuk është gjë e re që politika e Bashkimit Europian për mbrojtjen dhe sigurinë e kufijve të saj të jashtëm ka pësuar dhe vazhdon të pësojë ndryshime të dëshmuara nga projektet e saj dhe për të cilat po flitet gjithmonë e më shpesh. Ndryshime këto që nuk prekin themelet ku ajo mbështetet. Në doktrinë, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave ecën paralel me sigurinë, duke ruajtur një ekuilibër të caktuar, i cili vendoset në bazë të standardeve të çdo vendi.

Kur ky ekuilibër prishet, siguria fillon të prevalojë mbi lirinë, por jo në përmasa sa ta asfiksojë atë. Këtë parim po e shohim të materializuar në ndryshimin e strategjisë së Bashkimit Europian për sigurinë e hapësirës Shengen. Siç e kam thënë edhe në shkrime të tjera, dyndja masive e refugjatëve të Afrikës dhe Azisë në vendet perëndimore, po ashtu në mënyrë ciklike edhe ajo e vendeve të Ballkanit Perëndimor, detyruan Komisionin Europian që të propozojë dhe më pas të adoptojë një seri masash të reja që e kufizojnë sadopak lëvizjen e shtetasve të shteteve të treta në territorin e saj dhe shtojnë kontrollin mbi ta.

Më konkretisht, FRONTEX-i i cili më parë kishte për detyrë mbrojtjen e vetëm kufijve tokësorë të vendeve të Bashkimit Europian, nisur nga tragjeditë në Mesdhe, absorboi edhe Rojën Bregdetare të vendeve të BE-së duke i unifikuar operacionet në një dorë të vetme me atë tokësore. Pra, operacionet e tij u shtrinë edhe në hapësirat detare. Duke filluar ndoshta nga viti 2021, rregullat e hyrjes në BE do të ndryshojnë. Qytetarët e rreth 60 vendeve të globit, që kanë të drejtën për të hyrë në Shengen pa viza, do të jenë të detyruar të kryejnë një aplikim paraprak duke e bërë çdo individ në fjalë të identifikueshëm që para se ty hyjë në hapësirën Shengen. (Kjo temë është trajtuar gjerësisht në një shkrim të mëparshëm).

Vendet më të afërta, të cilat përbëjnë kërcënim për zonën Shengen duke u kthyer në vende transit për refugjatët e cituar më sipër, janë ato të Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, Komisioni u ka ofruar atyre një marrëveshje tjetër me FRONTEX-in. Komisioni u kërkon këtyre vendeve futjen në territoret e tyre të policisë europiane me detyra operacionale. Marrëveshje e tillë nuk i është propozuar as Moldavisë e as Ukrainës si vende fqinje në lindje me BE-në.

Kjo sepse të paktën deri tani, nga këto vende nuk vijnë kërcënime. Në nivele shumë të larta diplomatike, Komisioni Europian dhe vendet e Bashkimit Europian po punojnë intensivisht me vende si Libia, Tunizia e Turqia për të minimizuar përdorimin e territorit të tyre si transit. Po ashtu, mjetet e lundrimit të FRONTEX-it patrullojnë edhe ujërat përballë vendeve të mësipërme. Në të njëjtën mënyrë ata po punojnë edhe me thellë në vendet e origjinës së emigrantëve.

Në kushtet kur Kroacia, Bullgaria dhe Rumania në vitin 2021 do të hyjnë në Shengen, Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat, ajo që mbetet nga Ballkani Perëndimor duket se do të shërbejë si tampon i gjithë presioneve migratore me origjinë nga Azia e Afrika, në rrugë tokësore, drejt vendeve të Europës Qendrore e Perëndimore. Në se janë të vërteta ato që thuhen në media, se në Shqipëri do të ndërtohet një kamp refugjatësh që vijnë nga Lindja, strategjia qartësohet në gjithë elementët e saj: bllokim i flukseve brenda hapësirës së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por aktualisht, në rrugët ballkanike të migracionit vetëm Shqipëria është aktive. Korridori MaqedoniSerbi, vetëm pak vite më parë i zjarrtë, duket se është mbyllur. Pra, është Shqipëria që duket se do të “paguajë faturën”. Hapja e mundshme e një kampi për refugjatët në Shqipëri, përpos aspektit human dhe solidaritetit ndaj njerëzve në nevojë, duhet të paraprihet nga instrumente të qarta dhe efikase ligjore në mënyrë që nga njëra anë të respektohen të drejtat e refugjatëve, por nga ana tjetër të garantohet sidomos siguria kombëtare dhe publike e vendit tonë.

Komisioni Europian duhet të bëhet garant që refugjatët, kur të vijë koha e duhur, do të kthehen pas, ose të pranohen nga Greqia, ose Komisioni të jetë ndërmjetës në kthimin e tyre në vendin e origjinës. Vendi ynë në këtë drejtim është tërësisht i zhveshur nga instrumentet e duhura si ligjore, operacionale dhe financiare, që fillojnë që nga identifikimi i tyre deri në kthimin në vendin e origjinës. Në fund të fundit, në këtë rast nuk janë kufijtë Shengen që kërcënohen, por vendit tonë kërcënimi i vjen nga një vend Shengen.

Pra, qeveria duhet të marrë garancitë maksimale, jo vetëm ato financiare për të mbushur gropat e buxhetit siç është bërë zakon të kërkohet në të tilla raste. Bëhet fjalë për kampe ku qarkullimi i refugjatëve ka kufizime vetëm administrative dhe jo penale, pra kemi të bëjmë me njerëz të lirë. Të lirë për të qarkulluar, të lirë për të blerë e shitur, për të hyrë në kontakt me popullsinë vendëse, edhe me trafikantë. Kontrolli i tyre ka vështirësitë e tij. Dhe akoma më shumë, personeli që duhet merret me ta, edhe policia, nuk kanë as idenë më të vogël të specifikave që kanë, të armiqësive etnike apo fetare që kanë ndërmjet tyre dhe që duhen mbajtur parasysh.

Në rast se nuk do të ketë detyrime konkrete të Komisionit Europian, në vendin tonë do të krijohen kampe të ngjashme më ato të palestinezëve në Jordani, që janë kthyer në shtet brenda shtetit apo kampet sarahouive në jugperëndim të Algjerisë, të cilët u mbyllën nga ana e qeverisë së këtij vendi pasi ishin kthyer në qendra të trafikimit të të gjitha llojeve. Madje, pas shpërbërjes së tyre, shumë syresh mbërritën edhe në vendin tonë. Pra, risku nga flukset migratore është shumë real dhe i shpejtë.

Në këto kushte, organet kompetente të vendit tonë apo qeveria duhet të kenë një qasje pragmatiste dhe jo sjellje të natyrës “yes man” siç është tradita në rastin e ofertës për mbetjet e armëve kimike, (për plehrat nuk kishte nevojë për ofertë), për vetëofrimin e disa viteve më parë në kohën e krizës së refugjatëve në Maqedoni. Vendi ynë nuk duhet vënë nën një darë shtrënguese ndërmjet bllokazhit të ushtruar nga Bashkimi Europian nga njëra anë dhe nga ana tjetër presioni i flukseve migratore që tranzitojnë.

Sidomos në kushtet kur në vendin tonë, oferta kriminale për trafikun klandestin ka qenë dhe mbetet gjithmonë e bollshme. Trajtimi i flukseve migratore të panjohura nga autoritetet tona sfidat i kanë humane, por më shumë të lidhura me sigurinë. Çdo qeveri në këtë drejtim duhet të jetë e qartë, jo me variantin : “Pas meje, kiameti”.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura