Kamerat filmuan ryshfetin, pse u la në burg gjyqtari Ibrahim Hoxha

May 6, 2016 | 9:00
SHPËRNDAJE

Kolegët e tij nga Krimet e Rënda vendosën dje masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 30-ditor për Ibrahim Hoxhën, gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, të dyshuar për “korrupsion”.

Gjyqtari Hoxha
Gjyqtari Hoxha

Ai dyshohet se do të përfitonte një shumë prej 600 mijë lekësh, në këmbim të dhënies së një vendimi në favor të një pale, në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij. E njëjta masë sigurie u caktua edhe për djalin e tij, Ledion Hoxha, si edhe dy personat e tjerë të akuzuar për “ushtrim për ndikim të paligjshëm”.

Seancat gjyqësore në ngarkim të tyre u bënë me dyer të mbyllura për publikun. I pari që u paraqit në Gjykatë ishte Ledion Hoxha. Pas tij u zhvilluan në radhë seancat për Novruz Gajdën e Dritan Jazexhiun dhe në përfundim seanca për gjyqtarin Hoxha, i pezulluar tashmë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

U bë e ditur se gjatë periudhës 30-ditore, Prokuroria duhet të zbardhë të gjitha transkriptet e përgjimeve telefonike që iu janë bërë të dyshuarve. Po ashtu gjatë kësaj kohe, Prokuroria duhet të analizojë pamjet e një kamere sigurie pranë garazhit ku, sipas Prokurorisë, i janë dhënë 600 mijë lekë djalit të gjyqtarit.

ALIBITE KONTRADIKTORE

Mospërputhja e alibive të dhëna nga katër të arrestuarit, si dhe një përgjim mes Novruz Gajdës e Dritan Jazexhiut, kanë qenë argumentet përmes të cilëve Prokuroria kërkoi dje masën “arrest në burg” për ta.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari Gajda ka pretenduar se ia ka dhënë ai shumën prej 600 mijë lekësh Ledion Hoxhës, djalit të gjyqtarit. Gajda ka pretenduar se paratë, që iu sekuestruan Ledionit, i kishte marrë borxh te shtetasi Dritan Jazexhiu për të blerë një makinë.

“Pavarësisht se të arrestuarit Ledion Hoxha dhe Novruz Gajda përpiqen të krijojnë alibi sikur shuma e sekuestruar ishte për qëllim blerjen e një makine prej Nevruzit nga Ledioni, nga tërësia e të dhënave të mbledhura gjatë hetimeve rezulton se kjo alibi nuk mbështetet në asnjë fakt dhe provë. Për më tepër alibitë janë kontradiktore dhe alogjike me njëra-tjetrën. Kështu, Novruzi thotë se do të blinte një makinë, por akoma s’e kishte parë makinën që do të blinte. Rezulton se ka dorëzuar lekët në një lavazh në ditë me shi dhe për më tepër akoma nuk kishin bërë kontratë shitblerjeje”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Po sipas organit të akuzës, kontradiktore janë edhe deklarimet e Gajdës dhe Jazexhiut. Kështu, Novruz Gajda deklaron se shumën prej 600 mijë lekësh ia ka marrë borxh Dritan Jazexhiut, kurse ky i fundit e mohon faktin.

“Rezulton se në këmbim të dhënies së një vendimi në favor të shtetasit Dritan Jazexhiu, një ditë para shpalljes së vendimit, gjyqtari Ibrahim Hoxha ka rënë dakord me ndërmjetësin, Novruz Gajda, që të merrte shumën 600 mijë lekë, duke kërkuar që t’i dorëzoheshin djalit të tij me qëllim që të fshinte gjurmët e krimit”, thuhet në dosjen e akuzës.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura