Kambanat perëndimore po bien për Bashën

| 10:00
SHPËRNDAJE

GENTIAN GABAgentian-gaba-e1574717378757

Pak ditë na ndajnë nga pesëvjetori i vizitës së parë të kancelares gjermane Angela Merkel në Shqipëri. Një moment i rëndësishëm për vendin tonë dhe për Rajonin, si një përpjekje për të afruar perspektivën europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetje në procesin e integrimit në BE, por njëkohësisht edhe për Edi Ramën.

Atëmot, ende i ‘freskët’ nga zgjedhjet e 2013-s, Rama ndodhej në apogjeun e tij diplomatik. Turi ballkanik i kancelares nisi nga Shqipëria

Jo vetëm si një hap besimi në rolin që mund të luante vendi ynë, por edhe si një përpjekje për ta farkëtuar kryeministrin e vendit më proeuropian në Rajon, si një interlokutor të rëndësishëm për të çuar përpara ‘procesin e Berlinit’, i cili do të duhej të shënonte ritmin integrues për gjashtë vendet e Rajonit.

Pesë vite më vonë, ‘bonusi’ që Angela Merkel i dha në mirëbesim Ramës, duket një shajni. Kanabizimi, falë të cilit vendi u pagëzua si ‘Kolumbia e Europës’; dy ministra të Brendshëm të lidhur në një mënyrë ose në tjetrën me trafikun e drogës; përfshirja e elementëve me rekorde kriminale në politikën aktive, tjetërsimi i zgjedhjeve nëpërmjet krimit, që u njoh ‘urbi et orbi’; përfshirja në procesin tejet të fshehtë dhe enigmatik për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilin më së paku gjermanët kanë dëshminë e një ‘pentito’ (të penduari) jo të dosidoshëm, ish-ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushatin; azilkërkuesit që u shtuan biblikisht si një turravrap për t’u larguar nga Sodoma dhe Gomora ‘rilindase’; barbarizmi ndaj trashëgimisë kulturore (edhe europiane) dhe shtetit të së drejtës në aktin e fundit të Teatrit Kombëtar, dëshmuan se Rama e keqpërdori mirëbesimin teutonik, duke e vendosur në funksion të jetëgjatësisë së tij politike, dhe jo në interes të vendit.

Dhe, sikurse ndodh përherë, tafmaja e madhe la pa gjë Ramën, e për pasojë edhe Shqipërinë, e cila nëpërmjet kushteve po paguan faturat politike të kryeministrit.

I vetëdijshëm për këtë ‘humbje të pafajësisë’, Rama po shfaq përherë e më shumë irritimin ndaj Europës, që tashmë nuk e sheh si problemzgjidhës por si problemkrijues. Qartësisht nuk e bën në mënyrë të drejtpërdrejtë, por duke e kamufluar qëndrimin e tij me një retorikë kombëtare. Rastet më të fundit i përkasin javës që po mbyllet.

I pari, në konferencën për shtyp që mbajti në Kosovë, ku jo vetëm pati vetëbesimin t’ju mësojë shqiptarëve të atyshëm historinë e luftës së UÇK-së, por kritikoi zëshëm BE-në, si fillim për vonesën në heqjen e vizave, pasandaj duke e cilësuar si politik vendimin për të mbyllur kufijtë me Shqipërinë. Duke harruar kësodore se sa shumë ai vetë mund të bënte si për vizat, duke përfituar për të ndihmuar diplomatikisht Kosovën në dritë të qasjes së mirë që kishte dikur me Merkel, por edhe në menaxhimin e pandemisë në shtetin e tij.

Rasti i dytë është ai i së enjtes. Gjatë fjalës si përherë të gjatë në Parlament, nuk kritikoi partnerët, por shtrëngimin që po pësonte për të ‘kodifikuar’(për të përdorur fjalët e Sekretarit të Shtetit Pompeo) marrëveshjen zgjedhore të arritur në 5 qershor, që është edhe vullnet i partnerëve të cilët janë garantët e saj.

Duke anatemuar kërkesën e opozitës për ta miratuar sa më shpejt dhe pa ndryshime produktin e Këshillit Politik, Rama deklaroi: ‘Unë nuk di të ekzistojë në historinë e këtij planeti, në të gjithë jetën demokratike, ndonjë institucion tjetër përveç Gjykatës Kushtetuese, që mund t’i diktojë Kuvendit, një gjë apo një gjë tjetër.’

Paradoksalisht, ai që dikur me krenari shprehej se do të firmoste në të bardhë çfarëdo që do të vinte nga ndërkombëtarët, hedh poshtë dakordësinë e arritur me SHBA e BE, dhe kthehet në ithtarin më të madh të sovranitetit të një vendi që ai vetë e ka lënë kaq gjatë pa Gjykatë Kushtetuese (deduksion që lind vetiu nga opinioni i Komisionit të Venecias).

Një hakërrim që në të vërtetë kërkon të fshehë faktin se arsyeja pse lindi Këshilli Politik, dhe pse marrëveshja e 5 qershorit duhet kaluar pa ndryshim në Parlament, janë pasoja të drejtpërdrejta të krimeve zgjedhore të njohura botërisht dhe të zbardhura në dokumente ndërkombëtare, të cilat e kthejnë Ramën në një zbatues të thjeshtë.

Ndërsa një fat krejt të kundërt gëzon sot Basha. Një fat që për hir të së vërtetës e farkëtoi vetë. Duke ngjitur një malore e cila ishte proporcionale me humbellën ekzistuese midis perceptimit të rremë që Rama kishte krijuar brenda dhe jashtë vendit dhe hileve me të cilat përdorte çdo mjet, sidomos jopolitik, për ta portretizuar negativisht opozitën.

Bashës, sigurisht edhe opozitarëve që e ndoqën në këtë rrugëtim shtatëvjeçar, iu desh të ndërmerrte aksione të paprecedentë, për të rrëzuar narrativën e shkëlqimit rilindas dhe për ta ekspozuar Ramën ashtu sikurse sot e njeh një pjesë e mirë e opinionit vendas dhe të huaj.

Një ‘terapi shoku’, djegia e mandateve dhe mosmarrja pjesë në zgjedhjet vendore, e cila krijoi një pakënaqësi të pashmangshme te partnerët ndërkombëtarë, por njëkohësisht tregoi gatishmërinë e Bashës për të sfiduar stabilokracinë, kur kjo e fundit merr një epërsi të padrejtë mbi demokracinë, dhe prodhon efektet ekonomike, sociale dhe politike që na kanë renditur të parët nga fundi në çdo raport ndërkombëtar.

Por kjo është e shkuara. Tashmë kambanat perëndimore bien për zgjidhjen e çështjeve të shumta të ngritura nga opozita, të kristalizuara në kushtet e vendosura nga BE, nëpërmjet të cilave bashkë me restaurimin e shtetit të së drejtës, kërkohet edhe një energji e re për të rifituar kohën e humbur në rrugëtimin europian. Dhe ky pranimi i betejës së gjatë opozitare, që kushtëzon aventurat e qeverisë, do të thotë se tani kambanat perëndimore bien për Bashën. / MAPO

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

Comments are closed.