Kambanat në Kukës po i tund Edi Rama!

Jun 6, 2018 | 12:32
SHPËRNDAJE

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Vapa sapo ka filluar, por dhimbjet e kokës për Kryeministrin ku e ku më parë u shfaqën. Zjarret e Kukësit në shtegun e kanalit të Kalimashit ia shtuan temperaturën, djersët dhe dihatën pranverës që theu qafën me tallava. Orë të vështira qenë ato ku realiteti dhe fantazia përziheshin. Një makth i madh i zuri pusi. Natën nisi drejt qytetit verior, policë, zaptije me urdhrat e Fatmir Xhafajt në xhep për t’i arrestuar protestuesit nëpër terr. Njëri prej tyre, i cili mbahej padrejtësisht në dënim, pësoi infarkt dje në qeli. Disa ende i kalojnë ditët në burg, edhe pse Edi Rama kërkoi falje duke pranuar gabimin, nxitimin e pikëllimin.

Ata kishin guxuar të sfidonin vendimet e Padishahut, që Zoti ua shtoftë ymrin! Flaka vrau gjumin kryeministror! Aso kohe, edhe artistët që bënin roje me turne që të mos u shembej teatri nga buldozerët e qeverisë, i shfaqeshin Ramës si fantazma. Diku shquante Bujar Asqeriun me çifte njëgrykëshe, i cili sikur i matej t’i shtinte në të pasme! Në një cep tjetër, Mirush Kabashi mbi kalë i konturohej si bajloz me topuz në dorë te shkallët e Kryeministrisë, gati për t’i thyer derën. Robert Ndrenika i veshur me rroba kamuflazhi ngjitej mureve me litar për t’i sharruar karrigen. Olta Gixhari, vajtonjëse si plaka Nicë, i hodhi nga dritarja thesin me eshtra të premtimeve të kalbura nën dhe.

Por me e keqja ëndërr qe ajo ku Braimllari i LSI-së, i veshur si partizani Meke, armatosur deri në dhëmbë, shtrihej mbi krevatin e tij duke kënduar këngën e vjetër popullore “në të zënsha dot, gubere do ta bëj si tjatër herë” dhe më pas i nxirrte gjuhën! Protesta u mbyll! Qeveria u tërhoq. Kuksianët mbetën ca në burg e të tjerët sokaqeve duke u ngrohur në diell! Në Tiranë shpërtheu skandali Xhafaj e bashkë më të zbuluam “mbetqefjet” e Babales, ato të Fatmirit ministër dhe të Ramës, të cilit tash pesë vjet i shkrehet në dorë Ministria e Brendshme. E zu hall i madh. Lajmi mori dhenë.

Opozita filloi poteren ne sallën e Parlamentit, në komisione e në media. Një protestë në mes të zhegut me datën 26 maj përfundoi në të gjitha kanalet e fuqishme botërore, duke përcjellë kumtin se në Shqipëri protestohet kundër lidhjeve familjare të ministrit të Brendshëm me botën e krimit dhe për fshehjen e së vërtetës nga qeveria. Fjalori i Babales po e ndjek nga pas Fatmir Xhafajn dhe shefin e tij! “Uo Pasha” është bërë hit. Të rinjtë e forumit rinor të PD-së, mjaft krijues, i shkojnë çdo ditë poshtë zyrës për t’i bërë vizitë ministrit të stresuar dhe për t’i kujtuar se ai s’i do, atë s’e duan, por ja që janë një vlerë e shtuar në bezdisjen ndaj tij.

Rama ka paralajmëruar ndryshime në kabinet gjatë muajit shtator. Dorëzimi i Fatmir Xhafaj, edhe pse etikisht i rënë, do të thotë rënie e qeverisë së tij. Rama do të fitojë kohë për të bërë ndërrime në grup, që do të lidhen me procesin e hapjes së negociatave, moshapjes së tyre apo hapjes me kusht! Ndërkohë, Kryeministrit, i cili bashkë me ekipin e tij rri arave e monopateve të atdheut çdo ditë të lume e duke marrë rreze, duke bërë muhabet e propagandë me qytetarët, i duhet një provokim dhe një ngjarje e re. Skenografia po përgatitet përsëri në Kukës bash në tunelin e Kalimashit, nga ku kamerat dje na njoftuan se po ngrihen karakollet e reja për të vjelur taksat e kalimit! Për kuksianet, ata qerratenj që pas pesë vitesh demonstruan se jo të gjithë e gjithçka është blerë, u tha që do të jetë e reduktuar.

Por në çdo rast, ajo mbetet një padrejtë- si sepse për ta s’ka një mundësi të dytë, një tjetër udhë. Gjasat janë që qeveria po e ndjell përsëri protestën e tyre. Duhet eklipsuar halli i Xhafajt që u rëndon socialistëve në qafë si gur varri. Kësaj anë, mbi të keqen nuk reflekton askush, thjesht përgatitet terreni për diçka më të keqe që të mbulojë pararendësen. Rama po tenton të bëjë regjisorin për të provokuar një lajm me protesta, kuksianë, rrugë e taksa. Pastaj, nga televizioni i tij “ERTV” do të zbulojë grupe armiqësore që po dëmtojnë imazhin e vendit, me një fjalim rrëqethës! Mjerë kush të guxojë pas asaj ditë të belbëzojë “Uo Pasha”!

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura