Kambana e “thyer” e covid-19

Jul 30, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ ndue-dedaj

Me ardhjen e stinës së verës, kur pritej rënia e forcës infektuese të COVID-19, për fat të keq, në Shqipëri ndodhi rënia e propagandës antivirus, a thua se pandemia i kishte larë duart me ne, me pranverën. Sipas një analize të Berat Buzhalës, e njëjta situatë kritike paraqitet dhe në Kosovë.

Është e vërtetë që qeveritë kanë përgjegjësitë e tyre deri në fund, por ky nuk është vetëm një problem qeveritar. Thënë shqip, ende sot e kësaj dite, pas katër-pesë muajsh përballje me COVID-19, me gjithë karantinën e detyruar për disa javë, ne ende nuk i kemi rrokur në kokë përmasat e tragjedisë globale, për të parandaluar sadopak apo sado shumë atë shqiptare. Nuk dëgjojmë askënd, sikur rrufetë të jenë duke shkarkuar atje tej mbi lisa të thatë e jo mbi njerëz… Përditë dalim si për festë. Vetëm pak veta, kryesisht të moshuar, përdorin maskat. Personi me maskë në hundë e buzë duket si “delja e zezë” e komunitetit, aspak prishaqejfas për këso punësh. Në bar-kafenë e një qyteti plot me njerëz, të vetmit me maska në fytyrë ishin dy emigrantë, burrë e grua, ardhur nga Milano për pushime.

Doemos, jo çdo gjë është “zi”, ka nga ata që i kanë anuluar dasmat, por të tjerë i bëjnë ato si më parë dhe në fund dasmorët ndahen duke u falur e përfalur sipas zakonit të vjetër oriental, faqe më faqe. Apo, rrallë në ndonjë ceremoni mortore zbatohen strikt rregullat e parathëna për këto raste. Por kështu ka gjasë që jemi vetëm ne. Një emigrant, duke na folur për Irlandën, na thoshte para do kohësh si me humor: Këtu njerëzit e kanë për etikë të mos “puthen” si në Shqipëri, por mbajnë njëfarë largësie të natyrshme mes tyre kur takohen e flasin, kurse tash “distancimin social” e kanë shtrirë me i fol shoshoqit nga njëra anë e bulevardit në tjetrën. Bota e qytetëruar e tillë është, e bën diferencën nga detajet e vogla njerëzore gjer të strategjitë e mëdha shtetërore. Suedia e mendon një maratonë dhe jo një sprint pandeminë dhe punon me një vizion afatgjatë kundër saj. Nuk është e rastit që Presidenti i Amerikës, Donald Trump, në daljet e vonshme publike, shfaqet gjithnjë me maskë në fytyrë – si të mos e bëjë këtë, kur vetëm ditën e martë në SHBA pati 1300 viktima? Kur në Bosnjë-Hercegovinë humbi jetën dhe një ministër?…

Por a po bie kambana dhe këtu ndër ne? Si mund të ketë një sjellje mendjelehtë, në shtatë e shtatëdhjetë, kur shifrat e të prekurve nga COVID vijnë çdo ditë në rritje dhe tashmë ata që janë prekur nuk janë dete e oqeane larg, por krejt pranë nesh, jo vetëm në qytetin tonë, dje “zonë jeshile”, por në lagjen ku rrojmë, institucionin ku punojmë etj. (Kemi dëgjuar këto ditë për drejtues dhe punonjës bashkish të infektuar, deputetë, punonjës të drejtësisë, mediave, njerëz të fesë, biznesmenë e të tjerë, të cilët e kanë marrë sëmundjen duke qenë në krye të detyrës, për çka meritojnë mirënjohje të posaçme; të cilëve, si gjithë të tjerëve të prekur nga COVID-19, u hprehim mbështetjen tonë morale, duke u lutur për shërim sa më të shpejtë të tyre.)

Shumë njerëz, anë e mbanë rruzullit, duke filluar nga Bill Gates, dhe mbase të ndikuar prej tij, përfshi dhe autori i këtyre radhëve, kanë shkruar se pas pandemisë bota do të jetë tjetër, çka të paktën në vendin tonë duket se nuk do të ndodhë. Ne vazhdojmë me qenë ata të parët, të “bindur” kur nuk duhet, të “pabindur” kur duhet bindje. Ne jemi ata që rrinim “sus” para Kryeministrit, që kishte zgjedhur të na këshillonte tri herë në ditë se si të lanim duart e të rrinim mbyllur, kurse tash që ai ka heshtur, as që duam t’ia dimë se është një kambanë, që na duhet ta tundim vetë dhe fort, për veten e për të tjerët rreth nesh. Edhe pse nuk është vendi për të komentuar e analizuar, por thjesht për të tërhequr vëmendjen qytetare, si njerëz të një komuniteti të rrezikuar, mund të thuhet se ende jemi një shoqëri që “parapëlqejmë” komandimin nga lart, si në shtetrrethim, diktaturë dhe pak vetëveprimin sipas kodeve të shkruara e të pashkruara të një komuniteti të përgjegjshëm për fatet e veta, që di se ç’duhet të bëjë në çdo rrethanë. Nga ana tjetër, disa shprehi të kotësisë janë ngulitur thellë nesh, si mbushja e kafeneve plot e përplot, duke vazhduar me qenë “popull i kafeneve”, ves që e kanë fituar si s’ka më keq të rinjtë.

Nëse qeveria nuk bën më propagandë televizive, kjo është gjë e mirë, por jo mungesa e kontrolleve të rrepta për zbatimin e masave shtetërore anti-Covid nga kryeqyteti në periferi. Kur epidemia ishte në fillime, na thuhej se kjo është luftë dhe pati jo pak debate rreth ligjërimit “militar” të Kryeministrit, po tani që bilanci i viktimave nga COVID-19 është trishtues, ç’emër duhet t’i vëmë asaj, kur fjala tejet emergjencë do të ishte e pamjaftueshme? Nuk flet më qeveria dhe maxhoranca, të zëna me ndryshimet parazgjedhore të Kushtetutës, më 30 korrik, në kërkim të një mandati të tretë qeverisës. Nuk flet as opozita, e përqendruar në pengimin e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe nisjen e aksionit opozitar për të ardhur në pushtet vitin tjetër. Çudi është se nuk sensibilizon as shoqëria civile, që na duket se rri gjithnjë në “hije” të politikës… Por, fatmirësisht kemi një personel mjekësor, jo vetëm heroik, po që na mban nën kujdes dhe me këshillat e duhura përmes mediave. Është koha ta dëgjojmë më shumë se më parë doktor Piperon me shokë. Misioni i tyre nuk ka mbaruar, por ai nuk mund të përmbushet pa ne, qytetarët e këtij vendi, që lypet të rrezatojmë më shumë qytetari, duke hequr dorë nga normaliteti, siç shprehet Ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta.

Thuhet se kambana bie për kë ka veshë. Po ne a kemi veshë për ta dëgjuar atë, të paktën kur i bien të tjerët? Deri tash mund të thuhet se jo. Ama, nëse nuk vëmë maskën sot, nesër nuk do të na bëjë efekt dhe po të vëmë kundërgazin!…

Do të doja që këto pak fjalë të ishin një tingull në kambanën e munguar shqiptare antiCOVID-19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura