“Kam shpresë se Shqipëria do të shohë progres këtë mandat”, letra e urimit të Kurtit sheshon mosmarrëveshjet. Rama i përgjigjet pozitivisht: Sa të kthehem nga OKB do të…

Sep 17, 2021 | 16:19
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur përmes një postimi në “Twitter”, letrës së urimit për formimin e qeverisë së re, të ardhur në adresë të tij nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

rama kurti

Rama në përgjigjen e tij shprehet se do të vizitojë me shumë kënaqësi Kosovën pasi të kthehet nga vizita në Asamblenë e Kombeve të Bashkuar.

Kryeministri gjithashtu thekson se ka besim që së bashku me homologun e tij në Kosovë mund të bëjnë punë të mira në dobi të dy shteteve respektive.

“Faleminderit Albin Kurti! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona” shkruan kryeministri Rama në Twiter.

Kujtojmë se ishte i pari kryeministri Kurti, i cili pak më herët përmes një letre zyrtare i shprehu urimet kryeministrit Rama për formimin e qeverisë dhe e ftoi për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Letra e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia Juaj,

Me rastin e zgjedhjes suaj për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë pranoni ju lutem urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës.

Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë.

Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër.

Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre.

Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë.

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura