“Kam faj që i besova Ramës”, Shpëtim Idrizi tregon pse po ikën nga qeverisja

Sep 12, 2018 | 16:47
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Këshilli Kombëtar i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mandatar dje kryetarin e saj, Shpëtim Idrizi, të nisë negociatat me Partinë Demokratike për të qenë bashkë në koalicionin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ky vendim është marrë me unanimitet gjatë mbledhjes së djeshme, ku Idrizi, para anëtarësisë, u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një front të fuqishëm opozitar.

basha-idrizi

Kreu i PDIU-së tha se kjo parti po detyrohet të largohet nga maxhoranca për shkak se çështja çame po anashkalohet. Gjatë fjalës së tij, Idrizi mori përgjegjësinë e mosrealizimit të kërkesave për çështje çame në negociatat Tiranë-Athinë. Ai tha se gaboi kur i besoi Edi Ramës zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Edhe unë kam faj e po ju rrëfej me zemër në dorë se si çdo njeri normal në këtë vend gabon, sepse mendova dhe besova që do e çonim përpara këtë kauzën tonë të jetës e të shpirtit edhe në një koalicion me këtë maxhorancë. Kurrë e për asnjë moment nuk kam besuar se dikush mund të arrinte sa t’i lozte fatet tona në lojëra pushteti e ky dhe vetëm ky është faji im.

Sot shpall para jush, vendimin e Kryesisë së PDIU, që votoi në unanimitet, që kryetari i PDIU të mandatohet për të përmbyllur marrëveshjen me opozitën zyrtare në vend e që së bashku të sjellim një realitet të ri për vendin e për të djathtën shqiptare që duhet t’i përmbledhë gjithë copëzat e saj në emër të një qëllimi të madh, një politike normale që t’i kundërvihet krimit, varfërisë, dhunës e arrogancës shtetërore, një politikë që do bashkojë shqiptarët dhe do kërkojë zgjidhje të mençura e larg gjuhës së urrejtjes për kauzën tonë e për të gjithë kauzat kombëtare”, tha Idirizi.

NEGOCIATAT

Idrizi kërkoi që në negociata të përfshihet dhe dhënia e të drejtave të minoritetit shqiptar në Greqi dhe heqja e ligjit të luftës. “Pala shqiptare deklaron se ne kemi folur për çështjen çame, por Greqia nuk pranon. Kaq dhe pastaj një valle me Kotzias-in dhe gati për të bërë partner strategjik Greqinë. Si mund të kemi një marrëveshje për bashkëpunimin strategjik me një vend që nuk njeh çështjen çame dhe Kosovën?

Uroj shumë që të mos jetë kështu dhe që kjo maxhorancë, që deri dje kishte partner strategjik PDIU dhe çështjen çame, sot ka për partner strategjik, Cipras. Ne i jemi adresuar ministrit Bushati, si Shoqatë Çamëria, me 16 pyetje për të na sqaruar ne dhe opinionin publik. Por çuditërisht, edhe sot e kësaj dite Ministria e Jashtme nuk ka pranuar të takojë as PDIU, partinë e 4-t parlamentare dhe as Shoqatën Çamëria”, tha Idrizi.

ANËTARËT

Ai ka dhënë dhe një mesazh për deputetët apo drejtorët, të cilët sipas tij rrinë me PDIU-në me “lugë në brez”. “Tani kam dy fjalë për ato që kanë thjesht arsyen e pranisë së tyre në PDIU, përfitimin e tyre e lugën që e kanë vënë në brez. PDIU është parti e ngritur me një mijë e një sakrifica. Ka brenda e përfaqëson mund e vuajtje sa mund të kenë popuj biblikë në historinë e njerëzimit… Mos rrini më në PDIU nëse mendoni se mundet veç të zhvatni e të përdorni emrin, vuajtjen e sakrificat tona… Ne jemi parti e kauzës njerëzore, gjenocidit çam e me ne nuk mund të nxirrni përfitime a të zgjidhni hallin tuaj… Ne do mbetemi e do qëndrojmë fort në ruajtje të parimeve tona dhe cilido që mendon se do na blejë a do na shesë, ata që vijnë si emisarë e si të dërguar për të blerë qëndrimin tonë sus, sot i them publikisht… Larg nga PDIU!”, tha Idrizi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura