“Kam dashuruar Edi Ramën”, Godole: Të etur për “skandalet” e Ornelës, por jo për artisten Vorpsi…

Apr 14, 2018 | 23:01
SHPËRNDAJE

Debati për deklaratat e Ornela Vorpsit, ende nuk kanë përfunduar, edhe pse ka tre ditë që ka pasur deklarata dhe kundër deklarata.

Sot ka reaguar studiuesja Jonila Godole, e cila shkruan se  njerëzit u magjepsën nga “skandalet e saj dhe jo nga vepra artistike.

Godole i kujton publikut pjesëmarrjen e Vorpsin të festivalin “Tirana Internacional Literature Festival”, të mbajtur në Tiranë në vitin 2015, ku Vorpsi ka interpretuar disa pjesë nga librat e saj përpara publikut shqiptar.

godole

Postimi i plotë

Të etur për “skandalet” e Ornelës, por jo për artisten Vorpsi…

Duhet thënë që në fillim, Ornela Vorpsi nuk ka nevojë për mbrojtjen publike të askujt! Pavarësisht se në një vend si yni, njerëzit janë gati të gjuajnë me gur mbi këdo që thotë atë që mendon, sidomos kur flet një grua, siç është rrebeshi i përgojimit dhe ofendimeve ndaj kësaj artisteje dhe shkrimtareje të njohur. Një shoqëri e tërë që kapet pas një fjale që dikush e thotë kalimthi ose në mënyrë të sinqertë dhe fillon denigrimin në kor të personit, pa ditur asgjë për jetën, përvojën profesionale, kontekstin në të cilin është përjetuar dhe rrëfehet diçka. „Faji“ i Ornelës, me sa kuptova nga postimet në FB apo në media, paska qenë adhurimi ndaj personit të gabuar, ish-profesorit dhe mikut të saj të rinisë që sot rastisi të jetë kryeministër i vendit – dhe për të cilin, ne që jetojmë në Shqipëri mund të kemi një perceptim krejt të ndryshëm nga ajo. Por ky është problemi ynë, jo i saji. Ditën e hapjes së ekspozitës në COD të gjithë kishin ardhur të shihnin zonjën e hijshme, por a e panë vërtet ekspozitën me punimet e saj? Nga jehona që pati në media, më duket se jo. Asnjë analizë dhe koment profesional nga gazetarë apo kritikë të kulturës, vetëm gossip dhe gracka të ngritura për të kapur lehtësisht mat dikë që flet hapur dhe pa filtra pseudo-moralë.

Ornela Vorpsi e ka ditur mirë përse i ka ndërprerë marrëdhëniet me Shqipërinë. Në moshë të re ka ndjerë mbi shpinë goditjen e regjimit, pas burgosjes së babait dhe shumë prej tyre që e ofendojnë sot mund të kenë qenë po ata shokë të klasës që mësuesja i nxiste kundër vajzës së „armikut“. Ka ndjerë përçmimin e kësaj shoqërie „puritane“ që i merrte nëpër gojë atë dhe nënën e saj dhe i la vetëm përballë gjëmës që u kishte rënë mbi krye. Kaq të thella janë plagët që i ka lënë Shqipëria, sa vepra (me nota të forta autobiografike) e Vorpsit mund të lexohet edhe si një histori çlirimi që nis me gjuhën e zgjedhur të rrëfimit, italisht, dhe më pas në frëngjisht, por asnjëherë në shqip. Ndarja nga gjuha shqipe duket se lidhet me përjetimet e fëmijërisë dhe të rinisë së hershme.

Kur e ftuam në 2015 si autore në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë (http://www.literaturefest.com/copy-of-tilf-guests) kisha lexuar dy libra të saj të pritur shumë mirë në Gjermani „Das eëige Leben der Albaner“ (Vendi ku s’vdiset kurrë) dhe „Die Hand, die man nicht beißt“ (Dora që nuk kafshohet). Dhe kisha kuptuar mes rreshtave marrëdhënien e saj me atdheun, këtë „ferr të dashur“ siç shkruante ajo, i cili i mësoi që në moshë të re çfarë ishte brutaliteti, megalomania, urrejtja, pushteti patriarkal, braktisja nga të gjitha institucionet, tendenca për tragjizëm e këtij populli, makutëria etj. Proza e Vorpsit – si pak autorë të pas 1990ës – i ofron lexuesit një perspektivë unike në panoptikumin e izolimit komunist, përmes hiperrealizmit që prek në shpirt gjithkënd që e ka përjetuar atë periudhë.

Ndërsa ndante me publikun gjatë Festivalit në 2015 se përse ajo kishte zgjedhur të shkruante në gjuhë të huaj, të pranishmit në sallë u tronditën se si mund të shprehej aq thjesht dhe pa asnjë mllef dikush që dikur i kishin nxirë jetën. Sepse përkundër „sportit“ tonë popullor të viktimizimit dhe fajësimit të gjithkujt, por rrallëherë të vetvetes, Ornela Vorpsi as nuk tregon me gisht fajtorët, as nuk përfiton nga rasti të bëj heroinën. Ajo ka gjetur mënyrën e saj të bëjë paqe me veten përmes krijimit… dhe distancës. Dhe intuita e saj e hershme nuk e ka gënjyer, vepra e saj, njësoj si edhe personi i saj do të paragjykohej në vendlindje – kështu ka menduar gjithmonë, dhe ka pasur të drejtë.

Për një moment mbase, e rrethuar nga kamerat televizive në sallën elegante të COD, ajo mund të ketë kujtuar se ndihej më në fund e mirëseardhur në atdheun e vet, se gjërat vërtet mund të kishin ndryshuar. Dhe më vjen keq që i është dashur të kuptojë pak orë më vonë se në këtë provincën tonë të vogël, në këtë „vend ku s’vdiset kurrë“ ka hapësirë vetëm për „skandalet“ e Ornelës, por jo për artisten dhe shkrimtaren e talentuar Vorpsi (që në vitin 2012 renditej mes Aleksander Hemon dhe Zadie Smith ndër prozatorët më të mirë europianë të zhanrit „Fiction“, pa folur për dhjetra çmime prestigjioze që ka fituar deri më sot). Se hijeshia, çiltërsia dhe kureshtia femërore akoma stigmatizohen dhe provokojnë agresivitetin e një shoqërie të mbyllur, njësoj si fati i personazheve në librat e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura