“Kam 38 vjet që nuk di ç’do të thotë familje”, fjalët e Musine Kokalarit në gjyq: Nuk jam komuniste, ky nuk mund të quhet faj

| 19:35
SHPËRNDAJE
 

PERTEFE LEKA/ Musine Kokalari, “Martir i Demokracisë”, është një personalitet i njohur i historisë dhe letërsisë shqipe.pjimage (2)

Ajo është heroina shqiptare e kohëve moderne, që luftoi deri në vetëmohim për një shoqëri demokratike të tipit europian dhe për bashkimin kombëtar. Gjatë 50 viteve të diktaturës, propaganda famëkeqe komuniste e ka paraqitur si armike të popullit. Fotografia e saj shfaqej herë pas here në Muzeun e Ministrisë së Brendshme, ku ishim të detyruar ta vizitonim me nxënësit e shkollës.

Si mësuese letërsie, në disa dekada kam zbatuar programin mësimor, ku pjesën më të madhe e zinte letërsia e realizmit socialist, nëpërmjet së cilës kam njohur edhe Musinenë. Në planin mësimor ishte përfshirë edhe romani “Para Agimit” i Shevqet Musarajt, i cili njihej si shkrimtar i viteve ’30-të, siç ishte edhe M. Kokalari. Nga prof. N. Hakiu kam mësuar se Sh. Musaraj kishte miqësi me familjen Kokalari dhe së bashku me Musinenë kishin një mik të përbashkët, kolosin e publicistikës shqiptare, Branko Merxhanin.Pertefe_Leka_Flasshqip

Kështu, Sh. Musaraj, mbi bazën e kësaj njohjeje, krijoi personazhin (Ermira Velo) në romanin “Para Agimit”, që mbart krejtësisht tiparet e Musine Kokalarit dhe të zotit Bardhi, i cili mishëron figurën reale të B. Merxhanit. Duke analizuar ndër vite pjesët e romanit, e kam lakuar këtë emër në mënyrë të përsëritur në shumë orë mësimi. Pa dashjen e saj, Musineja hyri në letërsinë e realizmit socialist me emrin Ermira Velo, pasi autori kishte bashkëpunuar me të edhe gjatë periudhës së luftës kundër okupatorit.

Megjithëse i detyruar nga tendenca për të luftuar pozitën e saj klasore dhe pikëpamjet ideologjike, fillimisht autori e ka paraqitur figurën e saj me të gjitha tiparet që mishëronte Musineja, por, pastaj, gradualisht pozitivitetin e saj e ka përfshirë në kornizën e luftës së klasave. Në përshkrimin e portretit të saj, autori shkruan: “Ermira (M.Kokalari) ishte e thjeshtë, e afruar me çdo njeri dhe nuk bënte kurrë dallim midis njerëzve me pozitë dhe atyre që nuk kishin as strehë ku të fusnin kokën.

Prekej pa masë nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk kursehej t’i ndihmonte me ç’t’i kish dora (v. 1, f. 20, “Para Agimit”) ..Si mbaroi shkollën e mesme, ajo njihej si një nga vajzat me prirje përparimtare (v. 1, f. 18, “Para Agimit”) …Dhe qe një gëzim i madh për të kur pa të botuar në një revistë shkrimin e saj të parë, shkrimi kish dalë me të vërtetë një xhevahir i vogël letrar siç e gjykuan shumë nga të njohurit e saj. Musineja dhe familja e saj janë paraqitur në një taban të shëndoshë kulturor e patriotik, ashtu siç ishin në të vërtetë. Babai i saj gjykatës dhe vëllezërit me profesion jurist, profesor, përkthyes, të cilët ishin njëkohësisht edhe shokët e saj.musine100

Ermira Velo (M.Kokalari), -shkruan autori,- kish respekt të madh për të vëllanë dhe ushqehej vazhdimisht nga idetë e tij. Këto konsiderata për familjen dhe personazhin në fjalë janë dhënë në fillim të romanit, kur rinia shqiptare ishte e bashkuar për një qellim në luftën kundër okupatorit dhe ishin në një barrikadë. Ajka e inteligjencës shqiptare, ku përfshihej edhe Musineja, qenë konsekuentë në pikëpamjet e tyre: lufta kundër okupatorit dhe bashkimi i shqiptarëve të drejtuar nga shembulli i demokracive europiane. Kur një pjesë e rinisë përqafuan idetë sllavo-komuniste, autori e pozicionon personazhin e M. Kokalarit si social-demokrate, që ishte e kundërt me pikëpamjet e Nacional Çlirimtares.

Familja Kokalari, në të cilën u rrit dhe u edukua Musineja, kishte gjithë potencialin ekonomik, kulturor dhe patriotik që ajo të trashëgonte vlera pozitive për formimin e saj intelektual. Falë zgjuarsisë krijuese të saj, vullnetit dhe karakterit të fortë, ajo mbaron me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë dhe më vonë arrin të bëhet një nga studentët më cilësore ne Universitetin e Romës ku u diplomua “Doktoreshë në Letërsi, në vitin 1941, me temën “Literatura Albanese, Naim Frashëri”.Musine_Kokalari_Flasshqip

Përkushtimin e saj për letërsinë dhe gjuhën shqipe e shohim në letërkëmbimet që kishte me poetin e shquar, Lasgush Poradeci, ku shprehnin vlerësimet e ndërsjella për krijimet e tyre letrare, Musineja në prozë dhe Lasgushi në poezitë. Lidhja e tyre e ngushtë me fatet e atdheut dhe e shprehur artistikisht në krijimet e tyre gjeti mbështetjen dhe vlerësimet e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi. Nga ky interesim, ata mundësuan hapjen e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës, në fillim të viteve ’40.

Musineja. si letrare e re, priste me kureshtje si vlerësimet. ashtu edhe kritikën, kur i përgjigjej “Të ndershmit zoti Lasgush”. Mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe sepse letërsisë tonë i mungon kritika letrare. Në Romë, Musinesë iu krijuan të gjitha kushtet për të qëndruar pranë atij universiteti, por ishte vendosmërisht e bindur se kontributi i saj i duhej Shqipërisë. Miqësia e familjes Kokalari me Mithat Frashërin ndikoi direkt në pikëpamjet e saj për të ardhmen e Shqipërisë.

Shumë diskutime bëheshin në familjen e saj lidhur me fatin e Shqipërisë në prag të Luftës së dytë Botërore. Cila do të ishte e ardhmja e këtij vendi? Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? Këto pyetje dhe të tjera e kishin munduar Musinenë dhe e munduan deri në fund të jetës. Vajza e re universitare hyri në kuvend me elitën e njerëzve më të mençur që kishte Shqipëria e asaj kohe dhe për këtë Shefqet Musaraj nuk e kurseu konsideratën për të gjithë familjen në tërësi, kur shkruante: “Mbi të gjitha. Ermirën (M.Kokalari) e entuziazmonte një fakt tjetër, që provonte se shtëpia e saj kish për të qëndruar gjithmonë një fole patriotizmi, kish filluar të vinte shpesh njeriu (M. Frashëri), që nuk është komprometuar asnjë majë thoi gjatë regjimit të Zogut dhe që ka një urrejtje të tmerrshme për italianët.( V1, f. 67. “Para Agimit”). Një ndikim tjetër te Musineja kishte Branko Merxhani, drejtor i revistës “Përpjekja shqiptare”.

Kryeartikulli i shkruar prej B. Merxhanit, “Pse nuk jam marksist”, me anën e të cilit argumentonte se komunizmi ishte një eksperiment pa të ardhme, e kishin bërë Musinenë të mendonte akoma më shumë se bolshevizmi ishte një rrezik për Shqipërinë, prandaj ajo rrugë nuk duhej ndjekur. Këtë ide Musineja e kishte forcuar akoma më shumë kur kishte lexuar romanin “Nena” të Maksim Gorkit, për të cilin kishte thënë: “S’janë të përshtatshme për ne ato gjëra”. Bashkëpunimi i saj me Branko Merxhanin, Shefqet Musarajn, Nexhat Hakiun, Vedat Kokonën, N.Bulkën, P.Markon, M. Kutelin, S.Spassen e të tjerë, ishin të njohura sepse përfaqësonin plejadën e shkrimtarëve të viteve ’30-të.

Ngaqë nuk e njihja realisht Musinenë, nuk mund ta bëja lidhjen e personalitetit të saj me emrin e personazhit në roman, në qoftë se nuk ma bënte të ditur prof. Nexhat Hakiu (1917-1978), personalitet i shquar, poet lirik i 11 titujve, botues i “Revista letrare”, 1940, studiues, mësues metodist, i cili vitet e fundit para pensionit i mbylli në shkollën tonë, gjimnazi “K. Kristoforidhi”. Atëherë filloi interesimi im për personazhin real nga të dhënat e profesorit sepse ata ishin bashkëkohës të së njëjtës rrymë letrare dhe ideologjike. Duke qenë në anën e kundërt të ideologjisë komuniste, figura e saj ka marrë vlera të mëdha, sepse është vënë midis ideologut të saj Mithat Frashërit, nacionalistit dhe demokratit më të madh të kombit shqiptar (emrin e të cilit autori nuk e ka ndryshuar në roman) dhe Branko Merxhanit, pionierit të filozofisë progresive shqiptare, që në roman njihet me emrin zoti Bardhi.

Ajo i adhuronte këta dy personalitete, jo vetëm për nivelin kulturor dhe mendjen e ndritur, por edhe si njerëz të pakomprometuar nga regjimi. Ajo veproi si ata, duke ndjekur rrugën antikomuniste, si luftëtare për një shoqëri të tipit europian dhe për çështjen e Shqipërisë etnike. Për Shqipërinë natyrale, ajo ka thënien e saj emblematike: “Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipëri”. Atë që Sh.Musaraj nuk e vazhdoi të shkruante për jetën e saj gjatë ferrit komunist, e plotësoi vetë Musineja, kur deponoi në Gjyqin Special për aktivitetin e saj politik dhe revolucionar gjatë luftës. Evoluimin e personazhit, autori, Musaraj, e konsideronte pozitiv nëse ajo do të përqafonte idetë komuniste.

Por jo, ajo u qëndroi besnike pikëpamjeve të ideologëve të saj, të cilët e konsideronin filozofinë marksiste pa të ardhme, sepse ishte eksperimentuar në B.S. dhe ishin bërë të njohura botërisht tragjeditë që shkaktoi ajo dhunë. Kështu, megjithë tendencën e autorit për të dënuar idetë e saj, ajo rritet deri në madhështi, sepse qëndroi e patundur në mendimet e saj, ndërsa vetë autori, i cili i ndryshoi pikëpamjet drejt ideologjisë së importuar, vjen e minimizohet si pa kuptuar, sepse bie në kundërshtim me idetë, për të cilat e kishte filluar luftën me Musinenë për bashkim e demokraci dhe jo për luftë civile. Në gjyq, Musineja merr përmasat e një heroine të vërtetë që flijohet për çështjen e atdheut. Ndër të tjera, ajo pohon përpara trupit gjykues:

Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si social-demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës, “Zëri i Lirisë”, në të cilën kam botuar artikuj, ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të kartës së Atlantikut dhe çështjen për të luftuar, jo për qëllime e përfitime të disa klikave, por për demokratizimin e vendit. S’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit, me mua ju doni të dënoni rilindjen. Kjo deklaratë e fuqishme ia shtoi vuajtjet: burg, internim, punë të rënda fizike, deri te sëmundja e pashërueshme, e cila ia mori jetën më 14 gusht 1983. Duke iu referuar epilogut, ajo vetë shkruan:

“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky termet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Kam 38 vjet që nuk di ç’do të thotë familje”. Me pikëllim të madh, ajo e thekson fjalën familje sepse tragjedinë më të madhe e pësoi vatra familjare ku ajo kishte pasur ngrohtësinë.

Dy vëllezërit e saj, Vesim e Mumtaz, u pushkatuan në nëntor të vitit 1944 pa gjyq. I ati vdiq sapo mori vesh atë që i kishte ndodhur në familje. Në ato mejtime, kur gjendja e rëndë shëndetësore e paralajmëroi se po bashkohej me të dashurit e saj, u kujtua për të lënë diçka nga shpirti i saj bujar, që kurrë nuk iu shua. Me mendje të qartë deri në fund, ajo shkruan:

“Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime edhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”. Thesari tjetër i vyer që la Musineja, që diktatura e egër nuk mundi t’ia shuante, ishte krijimtaria letrare, e cila e radhiti atë në plejadën e shkrimtarëve të viteve ’30.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.