Kalorësi që po rrokullis Shqipërinë

Apr 26, 2018 | 11:39
SHPËRNDAJE

gurakuqi-150x150ROMEO GURAKUQI

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi cilësinë e shtetit të së drejtës, të lirisë dhe të demokracisë në Shqipërinë e vendosur nën thundrën e regjimit të Edi Ramës, është i mjaftueshëm për të kuptuar se sistemi politik dhe juridik shqiptar ndodhet pa drejtimin e duhur, i çorientuar në rrugën europianiste dhe në prag të kolapsit institucional. Ai raport u shfaq në vigjilje të shkatërrimit përfundimtar dhe të paravendosur të Gjykatës Kushtetuese dhe një ditë para njoftimit të vendimmarrjes të Komisionit Europian mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë e dërrmuar nga babëzia e hajdutërisë me kollare.

Raporti u shfaq si një lajmërim/sinjal i Washingtonit për Brukselin, për një vendimmarrje të kujdesshme ndaj një vendi që ka nevojë të vetëkorrigjohet nën një udhëheqës të ri ekzekutiv. Shqipëria dhe populli më pro integrimit në kontinent, vërtet meriton të jetë në Europë, por qeveria që ka ulur cilësinë e demokracisë për pesë vite me radhë, nuk mund të jetë triumfatorja dhe pala që mund ta përmbushë aspiratën europiane të këtij kombi. Një zgjidhje politike për një qeveri të formatit thelbësor demokratik dhe europianist, para qershorit 2018, lexohet nën rreshtat e raportit.

Në fakt, vendi ynë, prej pesë vitesh, po drejtohet nga një klikë, që ka stimuluar përhapjen e korrupsionit në të gjitha degët e saj qeverisëse, ka kufizuar lirinë e shprehjes dhe të shtypit përmes kontrollit mediatik nga një zyrë me cash të Bllokut, të shumicës së redaksive të gazetave dhe televizioneve të vendit, me të cilat, në këmbim, Luogotenenca Socialiste e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tregton interesa financiare, politike, koncesionare, netëve të gjata me viza të bardha në periferinë kryeqytetase, larg syve të njerëzve të thjeshtë. Shteti nën qeverisjen e Edi Ramës e thelloi pabarazinë në veprimin e vetvetishëm të shtetit të së drejtës.

Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me interesa të fuqishme biznesi, iu shmangën me lehtësi ndjekjeve penale për hajdutërinë dhe përfshirjen në organizatat kriminale të trafikut të narkotikëve, të vrasësve me pagesë, të zjarrvënësve për shkak të konkurrencës së pandershme, ndërkohë që qytetarë të thjeshtë u burgosen për shkelje dhe kundërvajtje penale, në kundërshtim me Kartën e Lirive, që imponon hetimin dhe gjykimin e lirë të tyre. Shqipëria, kështu, mbeti edhe më tutje, një vend ku burracakëria e njerëzve me pushtet i shmanget dënimit (ish-ministri i Brendshëm, me fjalor të zhargonit të drekave me tepsi kryeministrore, kërcënon me rrëfim publik, zyrën e noteriale të Oligarkisë), ndërsa njerëzit e pamundur shtypen lehtë- sisht nga regjimi i burracakëve (23 qytetarë kuksianë të rrëmbyer me urdhër të paligjshëm, që nuk hetohet nga Prokuroria, sepse nuk guxon të vendosë gishtin mbi emëruesit; dhjetëra shtetas vuajnë procese të gjata, për të cilat duhet të paguajnë nën dorë njerëzit e paskrupuj dhe injorantë të drejtësisë).

Vendi drejtohet nga një Kryeministër i vetëprivuar nga konsulenca profesionale, i cili në qendër të veprimtarisë së tij mbushmendëse të rigjenerimit politik, ka imagjinatën dhe nismat pasionante; start të aktivitetit “reformativ”, ka telefonatat e ca hajdutëve ordinerë, pjesë e klientelës, që janë njëkohësisht, bashkëpunëtorë në vrasje bankierësh, gjykatësish dhe në burgosje konkurrentësh, të cilët kanë ndërtuar nga vilat e Kunorës së Tiranës, skemat piramidale mediatike, financiare, të shfrytëzimit të pasurive nëntokësore dhe që transferojnë nën heshtjen bekuese të Kryeministrit, çdo ditë miliona dollarë jashtë vendit, duke mbyllur dhe hapur të njëjtat kompani ku janë vetë pronarë.

Shqipëria nuk drejtohet, siç mund të kujtojë dikush, nga dora e atij njeriut të lirë, që dikur revoltohej ndaj padrejtësisë, që i pëlqente moderniteti; të riut emigrant nga Shqipëria, me jetë të çrregullt bohemi në suborget e Parisit. Tanimë, në krye të vendit, ndodhet një racë tjetër e qenies së të njëjtit: një politikan i paskrupullt, gojështhurur, një përzierje e përsosur e zgjuarsisë së përdorur në mënyrë malinje, pa asnjë ndjenjë njerë- zore, përmes batutës së rrugës, me shfrimin emocional të çarkorduar nga pikëpamja logjike, mbrujtur njëkohësisht me kryeneçësinë, papërkulshmërinë, mungesën e përulësisë dhe frikën.

Përreth, një grusht personash ngazëllejnë përbri dajres së tij të mbufatur. Është thjesht një bashkësi servile me dije të përcipta, që vetofrohet me pasion për t’u përdorur në mënyrë demagogjike dhe pa u ndalur, të bindur se kanë para, mijëra e mijëra njerëz të mbetur prapa në kohën e paditurisë.

* * *

Kryeministri dhe rrethi i tij janë arkitektët e krijimit të një marrëdhënieje të bazuar në mosdakordësi me popullin që qeverisin dhe me opozitën; janë ideatorët e projektit të nxjerrjes jashtë të popullit dhe përzënies së heshtur të elektoratit opozitar. Kështu, “kampioni i së vërtetës dhe i virtytit të lirisë”, bohemi ekstravagant i Quartier Latin de Paris (kështu na e servirën se fundmi), u shndërrua ditë pas dite, në një mashtrues me nam i “Shqipërisë që duam”, duke futur çdo ditë dorën në xhepin e çdo qytetari, që për të ka rëndësi të dorës së dytë, çdo shqiptari të varfër dhe të mesëm.

E gjithë kjo grabitje me vendim kryeministror, bëhet për llogari të 30 apo 40 familjeve, me të cilat ai drekon dhe darkon, i gjobit me harbutëri për llogari të rrethit të tij ministror, i “ledhaton” me asete publike, me licenca koncesionare dhe me leje ndërtimi për rrokaqiej, që ngrihen me shpejtësi marramendëse mbi hapësirat publike të Tiranës sonë (ndërkohë që Tirana është i vetmi kryeqytet i Europës, që nuk ka një ndërtesë të spikatur të Bibliotekës Kombëtare, Arkivit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar).

Është ai kampioni, që e zgjeroi drejt kufijve të paimagjinueshëm hapësirën e lirë të Portit të Durrësit, për tranzitimin e kokainës, ndër një numër duarsh dytësore, prej dorës së tij të madhe qeverisëse. Është ai, që e ktheu Shqipërinë e Veriut në një rezervat të varfërisë, projektuar për t’u përçmuar, përmbytur dhe shfrytëzuar maksimalisht, duke ia bërë jetën ferrë popullit, që ka vendosur të jetojë në ato anë.

Në fakt, për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në batakçillëqet financiare, korruptive dhe koncesionare të Tiranës, ata që dolën nga birucat e Bllokut dhe ferrat e Zonës së Parë Operative, për të ngritur lart lavdinë e kampeve të përqendrimit dhe për justifikuar vrasjet dhe zhdukjen e mijëra shqiptarëve në regjimin e byroistëve, Edi Rama është njeriu i duhur.

Por ai, për pjesën tjetër të popullit, është njeriu më i papërshtatshëm për të drejtuar vendin nga e mbara, nga paqja, nga stabiliteti makro-ekonomik dhe krijimi i standardeve të normalitetit. Politika e tij represive ndaj njerëzve të thjeshtë, kinse patriotizmi i tij i shoqëruar me kërcënimin oriental ndaj integrimit në Europë, janë strehëzat e fundit ku kërkon të fshihet dhe mbrohet, ai dhe soji i njerëzve, që vendosën një ditë ta shfrytëzojnë çdo orë në pushtet për kusari të pandalur.

* * *

Si një njeri i një race të veçantë të “njeriut politik” të shkëputur nga sensi i drejtësisë, ligjit dhe arsyes së shëndoshë, gjegjë- sisht i atij sektit egoist dhe cinik të batutaxhinjve dhe eseistëve me logjikë antisociale, ai u shndërrua në prijësin e atyre njerëzve të oligarkisë së re rilindase, që paraja i bëri të çmendur dhe të ligj, në kalibrat e poshtërsisë së pakufishme. (Më ndjeni zoti Kryeministër, ky është perceptimi im!).

Ai tashmë është gati t’i shesë të gjithë, jo vetëm ish-ministrin e tij të brendshëm dhe krenar, por edhe prokurorin e hetuesin e përbrendshm vijues, që u orvat të burgosë opozitën. Po, po, pikërisht atë specialistin e pamposhtur që kontrollon Policinë e Shtetit me dorë të hekurt, Ministrinë e Drejtësisë, me vështrimin e përdredhur të eprorit të dikurshëm në sekretarinë e Reformës së njëanshme të Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme me marrëveshje, që sanksionon shkrirjen në një komandë të të gjithë kupolës ligjzbatuese. Rezultat logjik i një vendi që nuk ka një ministër Drejtësie, ose, një vendi që ka një ministre Drejtësie që flet me rrokje dhe nuk kupton misionin.

* * *

Pyetja që bëhet është kjo: Edhe sa kohë mund të vazhdojë të rrokulliset Shqipëria nën drejtimin e këtij përbindëshi politik të egocentrizmit, që ka marrë zvarrë, jo vetëm pjesën normale të PS-së, por të gjithë shtetin, shoqërinë, fatin e një vendi me jetë të qytetëruar? A mund të ndjekë shoqëria jonë, përfshirë edhe anëtarësia dhe përfaqësia parlamentare e PS-së, njeriun udhëheqës më ndërgjegje individuale joracionale, që ecën, herë me egërsi, herë më frikë, por gjithnjë pa u ndalur, kundër rregullave normale të shoqërisë sonë tradicionale dhe përkundër common sense?

Dikush mund të thotë se ai nuk është i vetmi fajtor. Dakord! Ai nuk është i vetmi, por ai është kalorësi, që godet me kamxhik Shqipërinë me egërsinë më të madhe, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme, gati ta vrasë fare, sepse ai nuk e njeh më veten e tij. Ai nuk kupton çfarë ndodh në shpirtin e tij, me rënien e tij, që po merr përposh shtetin, shoqërinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Ai duhet të ndalet sot, mbasi nesër ka për të qenë vonë.

A ka forcë Partia Socialiste e Shqipërisë të projektojë rrëzimin e liderit të vet irracional dhe ringritjen e një politikani antikrizë, të modelit Majko i Parë? Unë mendoj se jo: Koha kur ekzistonte përgjegjshmëria publike e kësaj partie ka marrë fund me largimin e Presidentit Meidani. Ajo parti sot mbijeton nën kamxhikun e sankylotëve të provincave, që ndërsehen nga lideri suprem dhe i pakonkurrueshëm. Por ai mund të ndalet nga përdorimi racional i së drejtës kushtetuese së protestës së pandërprerë, sikur shoqëritë e emancipuara të vendeve pranë nesh, ia kanë dalë me sukses, duke rrethuar të keqen në vatrën e saj.

Shembulli i 300 djemve dhe burrave të Lumës, Hasit, Fanit dhe Malësisë së Gjakovës, që ia ngrinë Supremit zgërdhimjen në buzë, në gostitë dhe orgjitë qeveritare të Vlorës, është kuptimplotë. Në qoftë se ai nuk di ta gjejë vetë derën e Presidencës për të dorëzuar dorëheqjen, unë besoj se dikush tjetër nga sovrani, do ketë tagër t’i thotë ndal marrëzisë së tij të shtrëngimit pas karriges.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura