Kaloi Vetingun/ ONM kundër vendimit të KPK për kreun e Kushtetueses: Të apelohet

Jul 20, 2018 | 22:15
SHPËRNDAJE

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon apelimin në KPA të vendimit të KPK-së që konfirmoi në detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.

bashkim-dedja_1507026710-5357079-770x395

“Në datë 13.07.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr.24, 13.06.2018 në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Në të njëjtën datë, 13.07.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Afati i fundit për të paraqitur ankim nga Komisionerët Publikë është data 28.07.2018”, thuhet në një njoftim zyrtar të Komisionerit Publik.

Më 13 Korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

KPK: Dedja Probleme me pasurinë

Në seancën dëgjimore, ai u përball me KPK-në dhe sipas hetimit administrativ, Dedja kishte probleme me pasurinë.

Sipas KPK-së, Dedja ka paqartësi dhe para të pajustifikuara në deklaratat e pasurive. Ato kanë të bëjnë me huatë për blerjen e një apartamenti në Tiranë, me sipërfaqe 146 metra katrorë.

Për këtë, Dedja ka deklaruar se ka marrë një kredi prej 120 mijë eurosh me afat 20 vjet. Gjithashtu, si burime për blerjen e apartamentit, ai ka deklaruar 35 mijë euro kursime dhe dy hua pa interes në vlerën totale prej 25 mijë eurosh të marra nga vëllai dhe kunati i tij. Mirëpo, sipas KPK-së, këto hua nuk justifikohen. Së pari, pjesa e huas prej 15 mijë euro pa interes që vëllai i tij i ka dhënë Bashkim Dedjes, sipas deklarimeve të tij, është e pajustifikueshme, pasi në të njëjtën kohë, ai ka marrë edhe një kredi prej 42 mijë eurosh për blerjen e një apartamenti.

Po ashtu, edhe 10 mijë euro të marra hua nga kunati i tij, nuk justifikoheshin sipas deklaratave noteriale që ka dorëzuar Dedja, pasi në datat e lëshimit të tyre ai ka qenë jashtë vendit. Më pas, Dedja ka paraqitur një kontratë tjetër, ku pretendonte se huaja është dhënë nga babai i kunatit të tij.

Probleme janë vërejtur edhe me pronësinë e një apartamenti 98 metra katrorë në Tiranë, i cili është deklaruar në vitin 2003 në bashkëpronësi mes Dedjes dhe njërit prej vëllezërve të tij, në masën 50 me 50. Më pas, Dedja, në deklaratën për llogari të vetingut, ka deklaruar se apartamenti është i tiji 100 %.

Edhe një apartament në Durrës u bë objekt diskutimesh në seancë. Ai rezulton në pronësi të njërit prej vëllezërve të Dedjes, i cili jeton në Dibër. Por kontratat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm janë lidhur në emër të Bashkim Dedjes. Vëllai i gjyqtarit, gjatë fazës së verifikimeve, nuk ka dorëzuar dokumente që provojnë se kishte të ardhura për ta blerë apartamentin.

MBROJTJA

Në seancën dëgjimore, Dedja nuk ishte i prnaishëm, por zgjdhi të përfaqësohej nga vokati Maks Haxhia. Sipas avokatit, të ardhurat e Dedjes në vitet ‘90-të përbëhen edhe nga ndihmat e vëllait të tij që punon në emigracion. Ai pretendon se lapsus me apartamentin 98 metra katrorë në Tiranë ishte për shkak të asaj që e quajti “marrëdhënie vëllazërore”. Kontrata e energjisë në emër të Dedjas ishte për të ndihmuar vëllain që të mos i duhej të vinte nga Dibra në Durrës për të paguar energjinë çdo muaj.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura