Kaliopi: S’më intereson çmimi, jap veten në skenë

Apr 22, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Për këngëtaren e Maqedonisë në “Eurosong”, artistit të vërtetë i mjaftojnë vetëm 3 minuta për t’u ndier Zot në skenë, pa pasur nevojën e një kupe si shpërblim. Kaliopi Bukle në 28 dhjetor do të festojë 50-vjetorin, dhe janë pothuaj të gjitha vite që i kaluar me muzikë.

kaliopiNjë kantautore që vendi i saj, Maqedonia, e quan “diva e muzikës ballkanike”, ka dy kohë në karrierë, atë para rënies së Jugosllavisë dhe pas, ka dy lidhje me autorin e këngëve, Romeo Grill, atë kur ishin burrë e grua dhe tani thjesht bashkëpunëtorë për hite, dhe dy medalje të qenies, të gruas së plagosur thellë në shpirt, por që gjithmonë ka një buzëqeshje në fytyrë. Pikërisht për këtë forcë që gjen te vetja, Kaliopi rikthehet në “Eurosong” me këngën “Dona”, me një dedikim për gruan më të shtrenjtë që kushdo ka në jetë.

Kjo është hera e dytë pas vitit 2012, kur përfaqësoi Maqedoninë me këngën “Crno i belo” (Bardhë e zi), ndaj ka më shumë për të thënë për skenën që ka shkelur. Ndërsa ndodhet në Tiranë si e ftuara speciale e Ardit Gjebresë në “E diela shqiptare”, vendosi të rrëfehet për “Panorama” pak ditë para garës europiane në Stokholm.

Vini në Tiranë pak ditë para debutimit në “Eurosong”, mendoni se do t’i “rrëmbeni” votat e shqiptarëve?

Në thelb, jam njeri që nuk ngarkohem me pritshmëri. Unë nuk erdha këtu që të ofroj vota apo të kërkoj vota, por të lë një pjesë timen këtu, në mënyrë që të mbahem mend për mirë. Dhe shpresoj që shumë shqiptarë të kenë një votë në zemrat e tyre, meqë vetëm ajo mund të më kthejë sërish këtu. Nuk ka gjë më të bukur kur e di që diku je e mirëseardhur. Nëse diçka unë e pres, e pres nga vetvetja. Sa për vizitën time, dëshira ime është që një ditë të jap koncert recital në Tiranë.

Çfarë ju ka lidhur me Shqipërinë gjatë këtyre viteve?

Me Shqipërinë më lidhi Ardit Gjebrea dhe festivali “Kënga Magjike”, ku hyra si autore e këngëve, edhe pse këngëtarët e gjetën vetë rrugën deri tek unë, nëpërmjet Darko Dimitrov. Krijova këngë për Tuna Sejdiun, Ledina Çelon e Jonida Maliqin, e cila fitoi me “Njëri nga ata”, në 2008-n. Për mua ishte kënaqësi e madhe që punova me këngëtarë profesionistë, pasi kuptova që kisha punuar me artistë shumë kreativë. Dhe meqë këngët i konsideroj si fëmijët, e kam shumë problem se me kë do të rriten, pra, kush do t’i këndojë. Dhe kur e shoh që këngëtarët janë seriozë, ato këngë i fal. Kjo sepse ata me vulën e tyre bëjnë që të jenë këngët e tyre, dhe kjo është shkalla më e lartë e kreativitetit, sepse arti nuk duron të jesh vetja në një garë mes egove, së paku tek unë s’ka hapësirë kjo. Njëherë kam qenë anëtare jurie në “KM”, në 2007-n, ku performova në minutazhin e shout.

Jeni këngëtare shumë e njohur e pop-rokut në Maqedoni e me famë në të gjithë Ballkanin. Sa e shihni veten triumfuese me stilin tuaj në këtë festival europian?

Është fakt që “Eurosong”-u është ngjarja muzikore më e madhe në botë, dhe vetëm kush ka qenë afër duke e ndjerë atë ngjarje, vetëm ai ose ajo e di çfarë do të thotë “Eurovision”. Ka pasur yje më të mëdhenj muzikorë që kanë marrë pjesë në atë garë, që nga Patricia Kass e deri te Celin Dion, dhe askush nga ata nuk ka humbur asgjë. Nëse i marrim të gjithë së bashku, çdonjëri nga tjetri është ndryshe. Edhe kur isha e ftuar për herë të parë për të marrë pjesë në “Eurovision”, në vitin 2012, në Baku, as atëherë nuk mendoja t’i vardisesha publikut euroviziv për vota, por së bashku me autorin Romeo Grill bëmë këngën, e cila, para së gjithash, ne na bëri të lumtur. Si këngëtare, besoja se do të prekte zemrat e të gjithëve kënga në herën time të parë në atë skenë, dhe ashtu ndodhi. E vërteta është që deri më sot këndohet, dhe është ajo këngë e impakti i saj në publik që më riktheu në “Eurovision 2016”. Fansat dhe gazetarët e “Eurovision”- it çdo vit që pas 2012-s, i kërkonin Maqedonisë: “Na e ktheni Kaliopin!”. Dua të shtoj që edhe këtë vit do të shkoj e pangarkuar nga pritshmëritë e me një dëshirë shumë të madhe për ta futur Maqedoninë në finale. Për mua si artiste mjafton që unë të jem në zemrat e atyre që do të më duam dhe do të më adhurojnë, dhe kam arritur maksimumin.

Pse me një këngë me titull “Dona”, pra, ç’e shtyn një grua t’i këndojë gruas dhe jo burrit?

Kur e dëgjova për herë të parë këngën “Dona”, më solli ndër mend me gra të fuqishme, me atë peshën që në jetë mban gruaja, pasi në shpatullat e saj ajo mund ta mbajë gjithë botën. Unë u kujtova për ato gra të fuqishme të jetës sime, nëna, motra, mikja, të cilat me përvojën e tyre jetësore kanë bërë që unë të bëhem njeri më i mirë. Disa prej tyre nuk janë më, disa për fat janë ende pranë meje dhe unë besoj që çdokush që dëgjon këngën “Dona”, do të kujtohet për një grua të shtrenjtë në jetën e tij apo të saj.

Si është të jeni për herë të dytë në skenën e “Eurosong”-ut, e çfarë do të keni parasysh që do të mos gabosh apo ta bësh më mirë?

Tani për tani, për herë të dytë më duket gjithçka e njëjtë, të njëjtët njerëz të dashur që mirëpresin këngën time. Sigurisht, herën e parë kam lënë gjurmë të thellë, që tani vetëm dua ta vërtetoj se kam qenë unë ajo që përshkova atë rrugë me sukses. Ky vit është përplasje me gjithçka në festival dhe, para së gjithash, dua ta vërtetoj veten, por totalisht e qetë.

Nga mënyra si rrëfeheni, duket se poetika kalon paksa edhe në filozofi. Jeni ndier ndonjëherë e pakuptuar nga masa, siç mund t’u ndodhë shpesh artistëve?

Jo. Madje çdo herë që kam shprehur mendime të thjeshta apo filozofike, populli ka qenë ai që i ka kuptuar i pari. Këngët e mia ku jam vetë autore janë më tepër poetike. Më ka ndodhur që njerëz shumë të thjeshtë, të vjetër në moshë e që nuk kishin lexuar asnjë libër në jetë, e kanë kuptuar nëntekstin e këngëve të mia. Kam lexuar shumë letërsi, por një gjë dua të them, se nuk ka libër më të madh se vetë jeta.

Në “Eurovision” duket sikur këngëtarët sjellin me një këngë gjithë historinë e jetëve të tyre. Edhe ju këtë bëni?

Shumë konstatim i bukur, e ky konstatim përputhet me gjithçka të tyren. Nuk e di për të tjerët, pasi për shumicën e këngëtarëve është dhe marketing jetësor. Për vete mund të them se, kur ngjitem në atë skenë, më duket se prek gjithësinë.

Keni shpresë se mund ta fitoni ju festivalin?

Jo.

Pse jo?

Nëse pres të fitoj, kjo tregon se unë nuk jam e sinqertë për arsyen pse unë shkoj atje. Para së gjithash, dua të jap veten në atë festival dhe jo të marr diçka nga festivali. Unë fitoj mjaft nga publiku, dhe nuk më duhet çmimi. Edhe pse unë besoj që Maqedonia do të hyjë në finale.

E përjetoni edhe ju shijen e keqe të votimit gjeopolitik mes shteteve?

Ajo që në Eurovision llogaritet si pjesë e cirkut, votimi mes fqinjëve tek unë nuk guxon të ndikojë, se arti im është i shenjtë. Unë prapë besoj te njerëzit që kanë shije, që i njohin arritjet dhe vlerat artistike. Ndoshta dikujt do t’i pëlqejë “Dona” dhe do të më votojë. Nëse atë e bën nga zemra dhe nëse e shoh që nga një shtet nga televotimi kam marrë vota, kjo do të thotë se kam arritur t’i prek me këngën time. Ç’do gjë është relative në këtë botë.

Ju jeni e hareshme dhe keni energjinë që e dikton dhe vetë Eurovision-i për këngëtarët që marrin pjesë. Cila do të jetë veçantia juaj këtë herë?

Do të jem 100 për qind unë. Pas meje, emocioni im, pas emocionit, zëri im dhe pas zërit, e gjithë bukuria ime. (qesh)

Jeni njohur me këngën e Eneda Tarifës, e shihni Shqipërinë në 10 këngët më të mira?

Po, e kam dëgjuar. Këngëtare e fuqishme, melodi e gjerë, shumë më tepër e dua këngën në gjuhën shqipe, pasi është më natyrale dhe tingëllon më emocionalisht, sesa në anglisht. Përfundimisht mendoj se ky vend është vendi i këngëtarëve të mëdhenj, zërave të fuqishëm, të përkushtuar dhe kjo shihet më shumë në skenë (duke mos i paragjykuar se si janë ata në prapaskenë). Pa marrë parasysh nëse Shqipëria do të futet në finale apo jo, Shqipëria duhet të jetë krenare për përfaqësueset e saj ndër vite. Nuk ka rëndësi hyn ose jo në finale, por rëndësi ka që ato tri minuta të jenë të fuqishme, shpërthyese.

Deri tani, cilat këngëtare nga Shqipëria sipas jush kanë qenë shpërthyese në performancat e tyre në tërësi?

Përshtypje të madhe më ka lënë Rona Nishliu. Ajo nuk kishte lidhje me këngën e Eurovision-it, por ishte e hatashme, pasi e gjithë bota ishte e afeksionuar pas paraqitjes dhe këngës së saj. Gjithashtu Olta Boka, Kejsi Tola dhe sigurisht Juliana Pasha me këngën e Ardit Gjebresë. Aurela Gaçes i është dashur t’i thoshte po ose jo këngës së saj, edhe pse atëherë nuk lejohej të bëheshin ndryshime sipas rregullores. E them këtë pasi e dashuroj zërin e saj, ajo është Tina Turner shqiptare.

Konkurrentët shqiptarë në Eurovision kanë ndarë ndjesi të ndryshme pas asaj eksperience. Ata që e kanë prekur finalen, e kanë cilësuar skenë magjike, ndërsa të tjerët një vrimë të zezë ku zëri sikur zhduket në humnerë. Si e komentoni?

Është normale. Përvojën e mirë e bën vetë, ndërsa të keqen e bën përsëri vetë. Nëse kthehem në gjysmëfinalen e vitit 2012 në Baku, pasi përfundova prezantimin tim, thashë me vete: “Tani nuk e kam problem për asgjë, sepse unë e përjetova magjinë dhe dhashë gjithçka nga vetja”. Për mua mjaftonte edhe nëse përfundonte aty Eurovision-i. Këtë ndjesi ia përshkrova dhe kompozitorit të këngës, Romeo Grill, që dikur ka qenë burri im. Por ai m’u përgjigj: “Çdo gjë është në rregull, e dashura ime. Por nuk e di si do t’ia shpjegosh djalit tënd këtë”. “Pse?”, i thashë. “Sepse mësuam që drejtësia gjithmonë më në fund fiton”, tha ai. Çfarë dua të them me këtë? Që nëse është një këngë e fuqishme, ajo patjetër në fund do të hetohet. Ka hyrë apo jo në finale, besoj që të gjithë do ta mbajnë mend këngën time në Baku. Pra ato artiste që e quajnë Eurovision-in “vrimë të zezë”, i kanë hedhur së pari hi vetes së tyre.

Vëreheni ngjashmëri me këngëtaren me origjinë shqiptare, Anna Oxa; goja e madhe, portreti i konturuar, mënyra si qesh e deri te modeli i flokëve. Si një Oxa brune, jeni përballur ndonjëherë me atë bionden origjinale?

Jemi takuar në Budva në Mal të Zi. Ishim në një event muzikor të përbashkët, dhe ajo që më la përshtypje ishte pikërisht kjo që thoni ju. Lidhja kryesore mes meje dhe asaj është sinqeriteti. Te ne sheh gruan që ka shumë plagë brenda vetes, por shumë e fortë dhe e qeshur nga jashtë. Ndaj përqafimi me Oxën ishte shumë i fuqishëm dhe i gjatë, sa ishte vështirë të na ndanin. Me femra të tilla energjike gjithmonë njihemi.

Ish-burri juaj, Romeo Grill, gjithmonë pranë emrit tuaj në muzikë. Këngët më të bukura i keni bërë kur ishit bashkë, apo tani të ndarë?

Pas ndarjes në vitin 2012, e ktheva Romeon në botën time muzikore, por jo atë shpirtërore. Tani është ndryshe, pasi tani edhe unë jam ndryshe. Ai është i njëjti, vetëm se tani përshtatet me mua, meqë ajo vajza u rrit (ajo vajza jam unë). Valixhja ime është më e rëndë tani, për Romeon është inspirim më i madh, aq më tepër që tani jemi shokë më të mirë, që grindemi më tepër, sidomos kur punojmë. Ndonjëherë bashkëpunëtorët tanë mendojnë se edhe fizikisht do të rrihemi, dhe sherri kulmon deri sa ai e nxjerr nga unë më të mirën. Në fund përqafohemi dhe të gjithëve përreth nesh u bie të fikët. Dua të them që pas Bakusë dhe bashkëpunimit me Romeon, karriera ime u ndërkombëtarizua shumë. Gjatë vitit 2013 publikuam albumin “Melem” dhe tri hite, si “Crno i Belo”. Tashmë Kaliopi është kthyer në një virus për ata që dëgjojnë muzikën time. E mira e kësaj është që jam virus i mirë, që të bën ta duash më shumë jetën.

Me këtë përshkrim që më bëre, duket sikur jeni ende të dashuruar, madje dashuria në kulmin e saj?

Po, por marrëdhënien aktuale me ish-burrin nuk e kisha ndërruar me asgjë tjetër.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura