Kalendari veror, çfarë ofron kultura për pushuesit

Jul 12, 2018 | 14:04
SHPËRNDAJE

Rreth 70 aktivitete kulturore pritet të zhvillohen gjatë stinës së nxehtë në të gjithë Shqipërinë. Ministria e Kulturës ka shpallur kalendarin e ngjarjeve, që janë shpërndarë nga veriu në jug. Koncerte me muzikë klasike dhe popullore, shfaqje teatrore, festivale filmi, kulinarie, biseda mbi artet pamore, monumente për t’u vizituar.

3

Nga Beatles, Morikone, Bach te fustanellat. Jo vetëm sheshet, por edhe sokakët, skenat antike, tarafet e institucioneve do të kthehen në skena aktivitetesh alternative. Kështu, pushuesit në Sarandë mund të ndjekin sot baletin bashkëkohor “Monger”, ndërsa Butrinti si çdo vit ka mbledhur adhuruesit e teatrit, për të bërë bashkë fjalën dhe trashëgiminë kulturore në “Butrinti Summer Festival”, që do të zhvillohet deri më 14 korrik.

2

Kush e mban mend suksesin e Opera Jeans në Tiranë, mund ta ndjekë atë në Durrës nesër. Nëse do të ngjitemi pak më në veri, pushues e vendës mund të shijojnë instrumentet popullore të Zadrimës, në një natë të veçantë në Shëngjin. Për adhuruesit e muzikës “serioze”, ka gjithnjë një mundësi. Vepra nga Bach, Beethoven e Mozart mund të ndiqen në koncertet e Different Trains më 14 korrik Pogradec dhe 16 korrik, Berat, Muzeu Etnografik.

Sa u përket arteve pamore, Edi Hila, i vetmi artist që ka bujtur në Galerinë Kombëtare të Arteve përgjatë gjithë këtyre muajve, do të jetë sot në një bashkëbisedim të hapur në GKA, së bashku me kritiken e artit Eleni Laperi, për të folur mbi transformimet e artit. Platforma “Harabel” ka gjetur një mënyrë të veçantë për të tërhequr vëmendjen e publikut. Më 13 korrik, në tarracën e Pallatit të Kulturës do të shfaqen filmat e DOKUFEST. Do të ketë argëtim deri në mëngjes në sokakët e Gjirokastrës me fustanella DJ Party dhe “Verë e Portokalle” në sheshin e Libohovës.

1

Nuk janë lënë pas dore edhe fëmijët, për të cilët “Kësulëkuqja” dhe “Çufo” do të udhëtojnë skenat e hapura verore në Shëngjin, Shkodër, Përmet, Korçë, Pogradec. Në gjysmën e dytë të muajit korrik priten të zhvillohen disa aktivitete, që hartuesit e kalendarit i konsiderojnë si “Festivale kategoria A”.

Ata janë Festivali MULTIKULTUROR , Berat 19-21 korrik; Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në ‘Sokakun e të Marrëve’ 18-21 korrik; ZA FEST Theth, 20-22 korrik; KORÇA International Short Film Festival, 17-21 korrik; MIK Festival, Korçë, 25-29 korrik; Vera Kulturore Maqedonase, Pustec, 25-30 korrik.

Aktivitetet janë pjesë e kalendarit turistik veror 2018, hartuar nga Ministria e Kulturës, me gjithëpërfshirje nga jugu në veri, në bashkëpunim me institucionet artistike në vend, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Teatri i Kukullave, Cirku Kombëtar, AQSHF dhe skenën e pavarur, që po i kthejnë skenat e hapura të trashëgimisë dhe sheshet e qyteteve në skena artistike, në një komunikim të gjallë me publikun. Kalendari përfshin rreth 70 shfaqje në zonat bregdetare nga Velipoja në Dhërmi, nga Shëngjini në Korçë, nga Shkodra në Ksamil.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura