Kalendari i Teatrit të Metropolit, drejtorja provon skenën e para

Jan 20, 2016 | 13:47
SHPËRNDAJE

Më shumë hapësira për artistët, më shumë aktivitete për të gjitha kategoritë e shoqërisë, për ata që pëlqejnë teatrin, fëmijë apo të rritur, që duan muzikën popullore apo xhazin.

Qendra Kulturore Tirana nis aktivitetin artistik të këtij viti me shumë premtime, për të qenë qendra e të gjithëve, jo vetëm atyre që jetojnë në mes të Tiranës, por edhe në periferi. E sapovendosur në pozicionin e drejtores së QKT-së, Jonida Beqo ka prezantuar dje vizionin e saj të ri për institucionin që drejton, duke u ndalur në nisma konkrete, si dhe në tituj veprash e numra shfaqjesh.

bordi keshillimor i qkt

“Misioni i Qendrës Kulturore Tirana është të pasurojë, edukojë dhe argëtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse publikun në mbarë territorin e Tiranës, me anë të eksperiencave artistike, të cilat promovojnë vlerat me të mira kombëtare dhe botërore”, tha Beqo, teksa shton se QKT do të krijojë dhe promovojë një platformë të qartë edukative për secilin nga segmentet artistike të institucionit, që nga teatri, ansambli, banda dhe qendra TEN. Kalendari i kësaj qendre miratohet nga një bord prej 13 anëtarësh, profesionistë të fushave të artit, medias, biznesit etj.

Ata janë Marjeta Ljarja, Reshat Arbana, Alban Dudushi, Genti Rushi, Gazmend Paja, Sabina Kodra, Alban Tartari, Andi Ballta, Renis Tërshana, Brunilda Paskali, Dasha Frashëri, Nevin Bilali dhe drejtoresha Jonida Beqo.

TEATRI Për drejtoren e QKT-së, Jonida Beqo, Teatri i Metropolit duhet të realizojë vepra teatrore shqiptare dhe botërore me nivel të lartë artistik, të cilat promovojnë gjithëpërfshirjen, dialogun konstruktiv, dhe vlerat njerëzore universale.

Synon “që të krijojë një standard të ri në realizimin e shfaqjeve teatrore dhe trajnimit profesional të stafit artistik”, duke iu përgjigjur nevojave të komunitetit të të gjitha brezave; fëmijë, të rinj, të rritur. Dhe këtë “standard të ri”, Beqo ka marrë përsipër ta dëshmojë vetë e para. Ajo merr përsipër të realizojë regjinë e veprës “Rashomon”, të autorëve Fay dhe Micheal Kanin, që do të jetë edhe premiera e parë e teatrit.

“Përpara se t’u kërkoj të tjerëve standarde, duhet ta dëshmoj vetë atë”, thotë Beqo, e cila prej një viti është kthyer nga një eksperiencë e gjatë 17-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përzgjedhja e aktorëve të veprës do të bëhet me audicion, i cili do të zhvillohet në datat 21, 22 dhe 23 janar në ambientet e Teatrit të Metropolit. Ajo pretendon që teatri i të rriturve të ketë 6 premiera të reja në vit, tre produksione ekskluzive të teatrit dhe tri vepra në bashkëpunim, të përzgjedhura nga propozime të artistëve të jashtëm gjatë thirrjeve të hapura. Dy nga këto gjashtë premiera do të jenë të lëvizshme për t’u shfaqur jashtë teatrit. Gjithashtu janë planifikuar konkurse, festivale, seminare etj.

FËMIJËT U bënë vite tashmë që Teatri i Metropolit ka krijuar një traditë në shfaqjet kushtuar të rinjve dhe fëmijëve. Drejtorja Jonida Beqo shprehet se do t’i kushtohet edhe më tepër vëmendje kësaj kategorie, me qëllim që shfaqjet të jenë sa më të përshtatshme për moshat të cilave u drejtohen dhe me një karakter të spikatur edukativ; t’u përçojë fëmijëve vlerat më të mira të kulturës dhe traditave të popullit shqiptar, vlerat më të mira njerëzore, komunikimin në shoqëri etj.

Në këtë drejtim, në ndihmë do t’i vijë edhe aktorja Marjeta Ljarja, sipas së cilës, tashmë, aktivitetet për fëmijë janë më tepër komerciale sesa edukative dhe do të punohet shumë në këtë drejtim, për të qenë sa më afër fëmijëve, duke bashkëpunuar me kopshtet dhe shkollat, duke i sjellë ata nëpër sallat e teatrit, por edhe duke shkuar në ambientet e tyre. Teatri i Fëmijëve do të ketë katër premiera të reja në vit, dy produksione ekskluzive të teatrit, dy vepra në bashkëpunim të propozuara nga artistë të jashtëm. Dy premiera do të ketë edhe teatri i të rinjve.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura