Kafazet e qelqta në gjykimet penale

Nov 7, 2016 | 11:12
SHPËRNDAJE

FLORJAN KALAJAflorjan-kalaja

Më datë 04.02.2016, gazeta “Panorama” ka botuar shkrimin tim me titull “Kostot nga kafazet e hekurta në gjykimet penale”.

Në këtë shkrim u fol për herë të parë publikisht lidhur me problematikën e përdorimit të kafazeve të hekurta në gjykimet penale gjatë gjykimit të të pandehurve apo personave nën hetim, ku u soll në vëmendje jurisprudenca e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (më poshtë GjEDNj) në çështjen e gjykuar në Dhomën e Madhe “Svinarenko and Slyadnev v. Russia”, konkretisht vendimi i muajit korrik 2014.

Ndër të tjera ky vendim në paragrafin nr.138 të tij u shpreh se: “Mbajtja e një personi në një kafaz të hekurt përgjatë gjykimit përbën në thelb, duke pasur parasysh në vetvete natyrën degraduese të saj, që është e papajtueshme me standardet e sjelljeve të civilizuara që janë simbol i shoqërisë demokratike, një fyerje për dinjitetin njerëzor në shkelje të nenit 3”.

Duke qenë se në Shqipëri kafazi i hekurt në sallat penale ishte bërë aksesori traditë i vendit të personit nën hetim dhe të pandehurit, ishte e vështirë që të ndërgjegjësoheshin për shkeljen e nenit 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (më poshtë KEDNj) organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë, e më tej avokatët për të mbrojturit e tyre, prokurorët për të përndjekurit e tyre dhe gjyqtarët për të gjykuarit të tyre.

Njëlloj e vështirë ishte për të gjithë me sa duket edhe kuptimi apo njohja e jurisprudencës së drejtë ndërkombëtare të detyrueshme për t’u zbatuar nga Republika jonë, sipas nenit 5 të Kushtetutës. Shenjat e para të ndërgjegjësimit për rëndësinë e këtij aksesori traditë në sallat e gjykimeve penale në gjykatat shqiptare erdhën në gjysmën e dytë të vitit 2016, pra rreth dy vjet më vonë sesa hyrja në fuqi e vendimit të Dhomës së Madhe të GjEDNj. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ishte e para që mori masat për të hequr nga sallat penale të gjykimit kafazin e hekurt.

Më tej, këto masa u morën edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe së fundmi në muajin tetor edhe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë si imitim mekanik i modës së gjykatave të kryeqytetit. Tashmë gjykatat shqiptare duket frima facia se së shpejti një nga një do t’i japin fund kësaj tradite shkeljeje sistematike të nenit 3 të KEDNj në gjykimet penale dhe se personi nën hetim apo i pandehuri do të vazhdojë të gjykohet me standardet europiane të trajtimit njerëzor.

Gjykatat që tashmë i kanë dhënë lamtumirën e pakthyeshme aksesorit relikte të kafazit të hekurt në sallat e gjykimeve penale kanë vendosur në vendin e tyre kafaze të qelqta dhe në këtë mënyrë janë marrë masat që të zbatohet vendimi i GjEDNj, dhe të respektohet dinjiteti i personit nën hetim apo i të pandehurit.

Menjëherë u vu re se në këto kafaze, të reja prej lënde por të vjetra nga tradita dhe mendësia, kishte diçka që nuk shkonte. Ndryshe nga shufrat e kafazeve të hekurta, tashmë kafazet e qelqta përbëheshin nga faqe apo vetrata qelqi të sigurta, që zinin të gjithë pjesën e sipërfaqes së kafazeve të mëparshme.

Për nga mënyra se si ato u projektuan, diku në krye të tyre janë vendosur disa bira, ndoshta për ajrim apo lejim të qarkullimit të zërit, dhe në lartësinë e mesme të tyre është vendosur një hapësirë e ngushtë horizontale nga ku mundet që duke afruar buzët, mbrojtësi dhe i pandehuri, apo personi nën hetim, të komunikojnë dhe ku nëpërmjet saj mbrojtësi apo nëpunësi gjyqësor t’i kalojë, duke pasur kujdes gishtat, aktet procedurale apo provat, me anë të të cilave duhet të njihet i gjykuari gjatë gjykimit.

Protestat e para të të gjykuarve erdhën nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kërkohej ndërprerja e gjykimit për arsye se i pandehuri apo personi nën hetim nuk dëgjonte asgjë se çfarë prokurori, mbrojtësi apo gjykata relatonte dhe se nuk dëgjohej dot asnjë dëshmi apo edhe ekspert kundër apo në favor të tyre. Rastet u bënë publike edhe në media, pasi u shtynë me këtë shkak disa procese të rëndësishme penale. Zgjidhja ishte e menjëhershme nga personat zyrtarë, që përgjigjen për kushtet optimale të logjistikës së gjykatës.

Teknikët, me bekimin e firmëtarëve të tenderëve dhe të zyrës së buxhetit të pushtetit gjyqësor vendosën altoparlantë dhe mikrofona brenda zonës në sallat e gjykimeve penale, tashmë të izoluara jo më me kafaze të hekurta, por me kafaze të qelqta. Nga ky moment duket se çdo gjë u zgjidh: Shqipëria u duk se e gjeti zgjidhjen për respektimin e nenit 3 të KEDNj dhe bashkë me të edhe vendimin e Dhomës së Madhe të GjEDNj, dhe se të gjykuarve në sallat penale po u respektohet tashmë dinjiteti, e drejta për t’u mbrojtur, prezumimi i pafajësisë, procesi i rregullt ligjor dhe mosdënimi pa ligj.

Për ato lexues që janë të njohur me jurisprudencën “Svinarenko and Slyadnev v. Russia”, apo që mundet të mbajnë mend artikullin e botuar në shkurt në gazetën “Panorama” dhe për të tjerë që mundet afërmendsh që të hamendësojnë se pse kafazet e hekurta përbënin shkelje të të drejtave themelore të njeriut, ju sjell në vëmendje shkurtimisht konkluzionet e mia.

Në shkrimin e parë kam vlerësuar se: përdorimi i kafazeve të hekurta në gjykimet penale shkel të drejtën për trajtim njerëzor të të gjykuarve, pasi ato mundet gjatë këtij trajtimi të përjetojnë ndjenja izolimi dhe inferioriteti të vendosur ndryshe nga çdokush tjetër në sallë në atë vend të shquar negativisht; gjykimi në kafazin e hekurt cenon të drejtën e mbrojtjes efektive të të gjykuarit, pasi kjo pengesë cenon komunikimin komod me mbrojtësin dhe vështirëson mbrojtjen në këtë mënyrë; gjykimi në kafazin e hekurt mundet të krijojë negativisht në ndërgjegjen e ekspertit, dëshmitarit, publikut në sallë dhe jashtë saj, medias, prokurorit dhe gjyqtarit një paragjykim mbi rrezikshmërinë shoqërore të shtuar të tij dhe sakaq një premisë për ta paragjykuar fajtor pavarësisht se çfarë rrëfejnë aktet provuese në fashikull.

Dhe kjo e fundit cenon të drejtën për t’u prezumuar i pafajshëm, për t’u dënuar vetëm nga ligji dhe për proces të rregullt ligjor. Gjithashtu e vlerësoj të nevojshme të kërkoj ndihmën edhe një herë të nenit 344 të Kodit të Procedurës Penale, dispozitë e cila ndër të tjera parashikon se:

“1. I pandehuri merr pjesë në seancë si person i lirë edhe kur është i paraburgosur, me përjashtim të rasteve kur duhen marrë masa të domosdoshme për të parandaluar rrezikun e ikjes a të dhunës.

2. I pandehuri që me sjelljen e tij pengon zhvillimin e rregullt të seancës, edhe pse i është tërhequr vëmendja, largohet nga salla me urdhër të kryetarit”. Edhe kur personat nën hetim dhe të pandehurit gjykoheshin në kafaze të hekurta dhe tashmë që po gjykohen në kafaze të qelqta, qasja e subjekteve të sistemit të drejtësisë ndaj keqkuptimit dhe keqzbatimit të 344 nuk ka ndryshuar.

Të gjykuarit si rregull vendosen në kafaze, që tashmë janë reformuar duke ndryshuar vetëm lëndën, por duke mbetur në thelb vende të izoluara, të veçanta dhe të krijuara posaçërisht si aksesorë të sallave penale të gjykimit ku futen dhe gjykohen autorët e dyshuar të veprave penale. Kështu, projektuesit e kafazeve moderne prej qelqi dhe bekuesit firmëtarë të këtyre tenderëve, ashtu sikurse subjektet e gjykimit penal, e konceptojnë sërish gjykimin e lirë të të gjykuarit në kafaze. Vlerësoj se Shqipëria akoma nuk e ka plotësuar detyrimin që rrjedh nga e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për t’u zbatuar në rastet e gjykimeve penale.

Sallat e gjykimit, edhe me reformimin prej lënde të aksesorit kafaz, nuk kanë arritur të thyejnë traditën poshtëruese të trajtimit jonjerëzor të të gjykuarit. Nuk mundet të pretendohet se kafazi si koncept apo gjykimi në gjendje të lirë i të pandehurit të arrijë standardet europiane vetëm duke ndryshuar lëndën e kafazit, nga shufra hekuri në vetrata të qelqta.

Askush me inteligjencë mesatare nuk mundet të pranojë se ndryshimi i lëndës së ndërtimit të kafazit e zhduk në thelb këtë aksesor traditë të sallave penale dhe se kafazi i qelqtë arrin t’i garantojë të gjykuarit gjykim të drejtë, trajtim njerëzor dhe të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht. Kështu, më shumë se sa duhet të reformojmë lëndën e parë materiale, për përditësimin dhe zbatimin e standardeve europiane të gjykimit në Shqipëri duhet të reformohet më shumë mendësia e kuptimit të këtyre standardeve.

Kjo lloj reforme që na duhet nuk kërkon para për të shpenzuar në tenderë dhe nuk kërkon as projektime të reja kafazesh. Reformat nuk duhet të kuptohen si detyrim për të ndryshuar formën e një mendësie të gabuar, që nuk ndryshon dot në thelbin e saj, pasi në këtë mënyrë shkeljet e të drejtave të njeriut nuk do të eliminohen, por vetëm do të ndryshojnë trajtë.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura