Kadare vlerësohet në SHBA: Pasardhës i Ionescos

Jan 15, 2018 | 13:51
SHPËRNDAJE

The Uashington Post vlerëson romanin “E penguara, Rekuiem për Linda B”. “Kjo kryevepër e zjarrtë e shkrimtarit më të shquar të Shqipërisë është rrahur në kudhrën e një horrori të njëmendtë”

kadare

WILLIAM GIRALDI

“Kafkian” është klisheja e përdorur rëndom në letërsi për despotizmin burokratik apo për çdo natë të errët të vjetër të psikikës, por për romanin e Ismail Kadaresë “E penguara; Rekuiem për Linda B”, kjo klishe nuk bën. Kjo kryevepër e zjarrtë, e shkrimtarit më të shquar të Shqipërisë, është rrahur në kudhrën e një horrori të një- mendtë: diktaturës staliniste të Shqipërisë, e cila mbërtheu shoqërinë nga viti 1945 deri më 1991. Romani i Kadaresë është portretizimi i çmendurisë: çmenduria e shtetit stalinist dhe çmenduria e burrave dhe grave në shtrëngimin e makinacioneve të shtetit.

Në paraqitjet e tij të ferrit totalitar dhe një konformiteti të tmerrshëm, Kadare nuk është pasardhës i Kafkës, por i Viktor Serzhit dhe Eugène Ionesco, dy dëshmitarë, influencat sfiduese, absurde të të cilëve shfaqen përgjatë këtij libri.

Ngjarja shpaloset mjaft thjesht. Në fund të shekullit të kaluar, dramaturgu, Rudian Stefa, thirret nga Komiteti i Partisë. Një grua e re, të cilën ai nuk e njeh, Linda B., është gjetur e vdekur, e vetëvrarë me një kopje të librit më të ri të Rudianit, të nënshkruar për të personalisht. Pasi që Linda dhe familja e saj vinin prej borgjezisë së mëparshme, vdekja e saj duhet të hetohet.

Lëngu jetëdhënës për Byronë Politike është paranoja e egër dhe dyshimi i fortë për komplote; edhe vetëshkatërrimi i një vajze konsiderohet në mënyrë të qartë një plagë shpirtërore në dhëmbët e ankthit të pandërprerë, një kërcënim për Udhëheqësin. E dashura e Rudianit, Migena, e njihte Lindën personalisht dhe kështu Rudiani përpiqet të kuptojë se si dhe pse ai dhe puna e tij mund të kenë kontribuar në vdekjen e saj.

Përsëri e përsëri, në kontekste të shumta, personazhet e Kadaresë shprehin fjalët “për asnjë arsye”, sikur të nënvizojnë absurditetet malinje të jetesës nën mbikëqyrje të pandërprerë dhe në frikë të vazhdueshme, të qenurit të shenjestruar dhe akuzuar për krime, për të cilat ata nuk janë të vetëdijshëm se i kanë kryer.

Të denoncohesh nga një shtetas tjetër – pa prova mbi keqbërjen dhe pa i ditur akuzat – është si të takosh fundin pothuajse menjëherë. “Gracka, tradhti kudo”, thotë rrëfimtari. Në një gjendje të tillë, edhe pirja e kafes në një kafene mund të interpretohet si provokim nga komisarët e nderuar dhe Kadare na ofron një skenë të trishtueshme kafeje mes Rudianit dhe një hetuesi, një skenë në të cilën çdo gllënjkë kafeje mund të jetë e fundit për Rudianin.

Në një moment, hetuesi thotë, “Sinqerisht, unë nuk të kuptoj,” dhe Rudiani përgjigjet, “As unë nuk të kuptoj ty”. Fjalët janë kthyer në jothelbësore; Stalinizmi duhet të torturonte më së pari gjuhën, përpara se të mund të torturonte njerëzit. Pasi drejtuesit e shtetit të bëjnë të pakuptimtë gjuhën, ata mund të bëjnë të pakuptimtë moralin dhe pastaj çdo gjë shkon me radhë. Diktatura staliniste shformon mungesën postmoderne të kuptimit në një burokraci të stuhishme, duke shpërndarë enigma gjithandej. Në të vërtetë, emri i Migenës është një anagram i fjalës “enigma”.

E-penguara-roman-I

Personazhet e Kadaresë do të ishin në shtëpinë e vet në botën purgatore të “Në pritje të Godosë”. Rudiani jeton në atmosferën mbytëse të konfuzionit. Duke luftuar për t’i dhënë kuptim fatit të Lindës, ai dhe Migena humbasin lidhjen me njëri-tjetrin dhe kapen pas logjikës iluzionare. Rudiani mendon, “Gjithçka ishte kaq e errët” dhe si mund të ishte ndryshe? “Gjithçka ishte shumë e komplikuar”, është përfundimi i paracaktuar i karaktereve të Kadaresë.

Regjimi funksionon me një padepërtueshmëri të tillë që as vetë vrasësit nuk i kuptojnë plotësisht urdhrat e tyre: “Ata mërmëritën për të ditë e natë. Pse disa ishin aq të përkëdhelur, ndërsa të tjerët e morën në qafë?” Me përpikëri të nuancuara, Kadare tregon se si komunizmi arrin asgjësimin e plotë të individuales, mohimin depërtues të shpirtit, vullnetit dhe mendjes, shtimin e barrës së punës në shërbim vetëm ndaj shtetit.

Në një nga dramat e Rudianit, personazheve nuk u lejohet të thonë “mirëmëngjes”, por vetëm “lavdi punës”. Në një kohë, kur në disa pjesë të botës po shfaqet nostalgjia për komunizmin, romani i Kadaresë përballet me pamundësinë e armiqësisë së artit në një sistem autokratik antiindividualist. Dorëshkrimet e dramave të Rudianit përballen me filistinët e Komitetit të Partisë, duke pritur miratimin ose ndalimin pasi t’u jetë bërë autopsia për çdo propozim për përmbysje ose kryengritje.

Kadare ka qenë gjithmonë një stilist fin me një forcë të qartë dhe John Hodgson e ka përkthyer këtë roman ashtu si edhe tre të tjerë nga ky autor, me besnikëri mbresë- lënëse ndaj ritmit të errët të ngjarjes dhe prozës së autorit. Faqet e fundit janë të paharrueshme në përzierjen e patosit dhe surprizës.

Rudiani “ishte i rrethuar nga një zbrazëti, dhe në këtë zbrazëti, para syve të tij, po ndodhte diçka me të cilën nuk mund të ndërhynte”. Por kjo diçka, kjo zbrazëti, interferonte me të, ashtu siç bën me çdo shqiptar, nga kryeqyteti në fshat, të dënuar me një frikë të hidhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura