Kadare shpallet fitues i çmimit 84 mijë dollarësh “Pak Kyongni 2019”

Sep 19, 2019 | 10:09
SHPËRNDAJE

“Sepse në veprat e tyre, kanë pasqyruar natyrën e vërtetë tragjike të politikës së shekullit XX dhe të njerëzve që kanë luftuar kundrejt saj”, ishte ky motivacioni i përzgjedhjes së pesë finalistëve për çmimin “Pak Kyongni 2019”, ku si fitues u shpall shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.

kadare-2

Katër emrat e tjerë në garë ishin shkrimtarë me influencë si Antonio Muñoz Molina (Spanjë), Eduardo Mendoza (Spanjë), Margaret Atwood (Kanada) dhe Yan Lianke (Kina). Njoftimin e ka bërë me dije kryetari i komisionit përzgjedhës, njëherazi kritik letrar, Kim Uchang, i cili ndër të tjera thekson se: “…punimet e Ismail Kadaresë i bëjnë lexuesit të mendojnë dhe të ndiejnë fort marrëdhënien e tyre me ngjarje të caktuara të historisë”. Ceremonia për dhënien e këtij çmimi do të mbahet më 26 tetor 2019, në Qendrën Kulturore Toji të Koresë së Jugut. Ky çmim shoqërohet edhe me një shpërblim financiar prej rreth 84 mijë dollarësh.

Përzgjedhja e fituesit bëhet pasi shqyrtohen rreth 350 autorë nga mbarë bota, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara. Që nga muaji korrik, komisioni përzgjedhës kishte përpiluar listën e 5 autorëve më të mirë, nga të cilët fitoi shkrimtari i njohur shqiptar. Çmimi u krijua në vitin 2011 nga Fondacioni Kulturor Toji, për të nderuar shkrimtaren e ndjerë koreane Pak Kyongni.

Çmimi nderon çdo vit një shkrimtar të letërsisë botërore për ndikimin në fushën e letërsisë. Në vitin 2018, me këtë çmim u nderua amerikani Richard Ford, ndërsa në vitin 2017, çmimi iu dha britanikut Antonio Byatt. Fitues të mëparshëm kanë qenë Ngugi wa Thiong’o (Kenia, 2016), Amos Oz (Izrael, 2015), Bernhard Schlink (Gjermani, 2014), Marilynne Robinson (SHBA, 2013), Ludmila Ulitskaya (Rusi, 2012) dhe Choi In-hun (Kore, 2011).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura