“Kadare në Panairin e Lajpcigut, e mbante sallën pa frymë”

Jan 31, 2016 | 8:30
SHPËRNDAJE

Në librin e tij të ri “Për Gjermaninë, histori diplomatike dhe kujtime”, diplomati i njohur Bashkim Zeneli tregon rreth opinioneve të politikanëve të lartë gjermanë për shkrimtarin tonë të njohur, Ismail Kadare. Ai rrëfen se në takimin e parë që pati me Presidentin gjerman Johannes Rau, pasi mori detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani, ka mësuar se kreu i shtetit gjerman e vlerësonte Kadarenë. “Presidenti Johannes Rau më tha se e konsideronte si një nga shkrimtarët më të mirë të kohës”, shkruan Zeneli në librin e tij.

kadare-e1417853810354

Gjithashtu, ambasadori Zeneli ka marrë vlerësime për Kadarenë dhe nga zv.kryeministrja dhe Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Barbara Stamm. Ambasadori ynë në Gjermani, në 1997-2002, tregon edhe takimin e tij në Berlin me Ismail Kadarenë dhe shoqërimin e tij në Panairin e Librit në Lajpcig, ku interesi gjatë fjalës së shkrimtarit ka qenë shumë i madh nga auditori. Madje, Zeneli tregon dhe një detaj, kritikat që ka marrë nga ministrat gjermanë Zopel dhe Scharping se nuk i njoftoi për ardhjen e Kadarëse në Gjermani.

TAKIMET E PARA NË BAVARI Vetëm pak ditë pas paraqitjes së kredencialeve, më erdhi një letër në Ambasadë. Zv.kryeministrja dhe ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, zonja Barbara Stamm, më uronte për detyrën dhe më ftonte për një vizitë në Bavari. Mësova se këtë e kishte rregulluar Konsulli i Nderit, zoti Modl, që kishte shumë miqësi me zonjën Stamm, siç do të merrja vesh në Mynih. …. Folëm shumë miqësisht. E informova mirë për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. I kërkova mbështetje nga Landi për nevojat që kishim, sidomos në drejtim të rendit dhe për ndihmë ekonomike…”Patjetër, patjetër, z. Ambasador, prandaj edhe dëshiroja t’ju takoja e të bisedonim… kemi parë tmerre në televizion, apo jo zoti Modl…

Më vjen shumë keq… Si ndodhi kështu? Ç’ishin këto firma piramidale? E tmerrshme z. Modl, apo jo, sa herë kemi folur bashkë… Ne i duam dhe i respektojmë shumë shqiptarët. Unë kam lexuar për Shqipërinë, po… kam lexuar për Skënderbeun, një hero i madh… keni qenë një vend tmerrësisht i izoluar. Zoti ambasador, -m’u drejtua duke qeshur -unë kam lexuar edhe Ismail Kadarenë… Ne kemi të përkthyer disa libra të tij. Një shkrimtar shumë i madh. Vazhdon të shkruajë?”… … Presidenti Meidani u prit edhe nga Presidenti i sapozgjedhur gjerman, Johannes Rau. Ishte një takim shumë i hapur dhe miqësor. Presidenti gjerman ishte tepër i komunikueshëm. Ai u interesua të njihej me zhvillimet në Shqipëri, jo vetëm në fushën politike, por edhe atë historike dhe kulturore.

Kishte lexuar Ismail Kadarenë dhe foli për të si një shkrimtar “ndër më të mirët e kohës”. Më tej u interesua të dinte diçka më shumë nga CV-ja edhe për prof. Meidanin dhe për lidhjet e tij akademike me Gjermaninë. Me shkrimtarin tonë të shquar, Ismail Kadare, do të takohesha në Berlin, krejt rastësisht. Një mik i imi nga Shtëpia e Shkrimtarëve në Wannsee, afër Berlinit, do të më telefononte dhe kërkonte të dinte nëse do të shkoja në Panairin e Librit në Lajpcig ku do të ishte edhe Kadareja. Nga Panairi kisha ftesë dhe nuk kisha vendosur se kur do të shkoja, në një ndër ditët që do të qëndronte hapur. Por nuk kisha asnjë njoftim për ardhjen e Kadaresë.

bashkim zeneli

Bëra sikur dija çdo gjë dhe e pyeta mikun tim nëse do të dilte ai apo ndonjë tjetër për ta pritur, pasi do të isha edhe unë në aeroport. Shumë mirë, më tha, atëherë takohemi atje në orën… Ishte e padurueshme dhe vërtet revoltuese të mos merrje njoftim për pjesëmarrjen e Ismail Kadaresë në një panair libri. Ne merrnim disa telefonata dhe shkresa, jo vetëm nga MPJ, por edhe nga ministritë përkatëse, për të pritur edhe një drejtor në ministri, pale një zëvendësministër. Dhe nuk kishte asgjë të keqe, sepse do të përfaqësonin vendin në një mbledhje apo veprimtari të linjës. Por edhe teprohej shumë. Dhe, nga ana tjetër, askush nuk dinte se do të vinte një akademik, një shkrimtar, një artist i madh, një këngëtar i madh, një albanolog që i bënte nder dhe i jepte emër Shqipërisë. Nuk funksiononte dhe nuk funksionon as sot, asnjë mekanizëm për këtë.

Po mbytemi me fjalë të mëdha, boshe për diplomacinë kulturore. Unë pata një kënaqësi të veçantë, por ndieja edhe një detyrim shumë të madh për të pritur e shoqëruar gjithkund Ismail Kadarenë. Ai është nderi ynë, më i njohuri shkrimtar shqiptar në botë. Do të anuloja çdo punë, do të “mbyllja” zyrën. Me Petrikën e pritëm zotin Kadare në aeroport dhe e përshëndetëm me respekt. “Mirë se erdhët dhe… do të jemi në dispozicionin tuaj për sa ditë do të qëndroni në Gjermani”, i thashë. Më falënderoi, por shtoi se “nuk ka gjë, mos u pengoni në punët tuaja… ja jam me miqtë gjermanë…” Do të niseshim për në Wannsee, por i thashë mikut gjerman që të rrimë për darkë dhe më pas shkojmë në Shtëpinë e Shkrimtarëve. Ai u përgjigj se nuk mund të qëndronte, se kishte detyra me organizimin etj. Atëherë ne po vijmë me z. Kadare dhe e shoqërojmë ne në Wannsee.

Meqenëse ishte ende herët për t’u ulur për darkë, bëmë një shëtitje me makinë rreth qendrës së Berlinit. Po i thosha zotit Kadare se Frederiku i Dytë (1740-1786), që u quajt edhe Frederiku i Madh, ishte ai që ndërtoi dhe zhvilloi Berlinin si një qytet të vërtetë europian. Kaluam nëpërmjet Portës së Brandenburgut dhe shkuam në Bulevardin “17 Juni” deri te Schloss Ballevue, që nga viti 1994, rezidencë e Presidentit të Republikës. Është ndërtesa e parë e stilit neoklasik në Prusi, ndërtuar në vitin 1785 nga Michael Philipp dhe Daniel Boumann. Më parë, me ndërtimin e saj ka qenë rezidenca verore e Princ August Ferdinandit të Prusisë, vëllai i vogël i Ferdinandit të Madh. Më vonë, Kajzer Vilhelmi II, e kthen në vend të mbledhjeve me ushtarakët madhorë.

Në vitin 1928, u kthye në rezidencë shtetërore dhe në vitin 1935 u shndërrua në Muze të Kulturës Popullore. Në vitin 1938, u kthye përsëri në rezidencë qeveritare për pritjen e miqve të lartë. Që nga viti 1949, kur Boni u shpall kryeqytet, Presidenti Federal kishte rezidencën e tij perëndimore. Flamuri gjerman mbahet i ngritur në shtizën e lartë, vetëm kur Presidenti i Republikës është aty. Pastaj, duke ecur ngadalë, u rrotulluam rreth Kullës së Fitores, apo Monumentit të Fitores. Mbi bazamentin e lartë prej 48 metrash, qëndron Viktoria, 8 metra e lartë, me yllin e madh, e ndërtuar nga Friedrich Darket.

Monumenti, që quhet edhe Mbretëresha e Fitores, i kushtohet fitores së prusianëve në luftën gjermano-daneze të vitit 1864. Më dukej se po flisja si shumë, por e vura re që z. Kadare po më dëgjonte me interes dhe herë pas here, jepte edhe vetë shpjegime të mëtejshme ose bënte pyetje. Pastaj u futëm në rrugën Unter den Linden dhe i shpjegova shkurt z. Kadare për Akademinë e Artit, me një fasadë të rrallë, të qelqtë, të ndërtuar nga arkitekti Günther Behnisch, mbi Akademinë e vjetër, që ishte ndërtuar që në vitin 1740. Nga viti 1949 deri në vitin 1961 ka shërbyer si atelie për artistët gjermano-lindorë.

Ngjitur me të, hoteli i famshëm Adlon dhe më tej shkuam në një restorant, pas Galerisë Parisiane Lafay- Nga ceremonia e dekorimit ette, pranë një kishe dhe një katedraleje të njohur. Gjermania në çdo qytet të saj, ka kisha të mrekullueshme, të vjetra, të rralla e që mirëmbahen mrekullisht. Kisha më e lartë në Gjermani, është ajo e Ulmit, 162 m, më pas vjen katedralja e Kolnit me 157 m dhe tri kisha në Hamburg, ajo e Shën Nikollës, Shën Pjetrit dhe Shën Mikelit, nga 132 deri 150m. Pasi porositëm, kujtoj mirë që z. Kadare u interesua të dijë për jetën e hebrenjve në Berlin.

Më 9 shtator të atij viti, vetëm 2 ditë para sulmit terrorist mbi Kullat Binjake, në Berlin ishte përuruar Muzeu i Hebrenjve. Ai ishte ndërtuar nga arkitekti amerikan me prejardhje polake, Daniel Libeskind. Aty ka edhe salla bosh “Voids” si një element i rëndësishëm i godinës. Ato tregojnë zhdukjen masive të hebrenjve nga diktatura e Hitlerit. Në muze, me një pasuri shumë të rrallë, ka objekte dhe piktura që paraqesin historinë 200-vjeçare të hebrenjve gjermanë. Duke folur, më dukej vetja si një ciceron i bezdisshëm, por z. Kadare niste e tregonte vërtet histori tepër interesante të hebrenjve në përgjithësi, të personaliteteve të shquara të fushave të ndryshme nga ky komunitet.

Atëherë unë ndalesha tek ato që kisha lexuar për hebrenjtë e Gjermanisë apo thjesht të Berlinit, ku edhe kishte qenë përqendrimi i tyre më i madh. Ishte vërtet një bashkëbisedim shumë i këndshëm dhe vë- mendja e z. Kadare për të dëgjuar, më “zgjidhte” gjuhën. Shoqërova zotin Kadare në Wannsee dhe e lamë që të takoheshim të nesërmen. Wannsee është një liqen shumë i dashur për berlinezët, me një vijë plazhi me rërë prej 1.5 km. Është çelur si i tillë që në vitin 1907. Ka dyndje të mëdha njerëzish në periudhën e verës, dhe me aq sa është, ka vështirësi për të ngritur një çadër. Aty është edhe një rezidencë për shkrimtarët e huaj, ngjitur me liqenin. Të nesërmen, zoti Kadare shfaqi dëshirën për të vizituar ambasadën. Mbeti i surprizuar nga çdo gjë, dhe më përgëzoi. U takua me të gjithë diplomatët dhe bëri fotografi me ta.

Atë ditë bëmë disa vizita në qendra historike, në Potsdamer Platz, në Muzeun Historik Gjerman, në Rajshtag, te Porta e Brandenburgut etj. Interesi për shkrimtarin tonë të shquar në panair ishte shumë i madh. Në një sallë të mbushur plot, z. Kadare foli për letërsinë shqipe, por edhe për kulturën në përgjithësi, për letërsinë e Rajonit etj. Ai u ndal gjerësisht edhe në zhvillimet në Kosovë, për nevojën e pajtimit, për respektimin e minoriteteve. Ai dënoi hapur politikën antishqiptare që kishte ndjekur Beogradi nën udhëheqjen e Millosheviçit. Ai foli edhe për statusin e ardhshëm të Kosovës, duke thënë se gjëja më e shtrenjtë tani është liria e fituar, dhe çdo gjë do të vijë natyrshëm, në respekt e vullnet të popullit.

Zoti Kadare iu përgjigj shumë pyetjeve si për epizmin e popujve të Ballkanit, për veçantitë e letërsisë së Ballkanit nga ajo europiane. Ai iu përgjigj edhe interesimit të pjesëmarrësve për krijimtarinë e tij të ardhshme. Z. Kadare, fare qetë, fare lirshëm, e mbante sallën “pa frymë”. E intervistuan disa kanale televizive dhe gazeta të ndryshme. Jehona në shtyp ishte e madhe. Do të më “kritikonin” ditë më vonë edhe ministri Scharping, edhe ministri i Shtetit Zopel, që kishin mësuar nga shtypi për ardhjen në Berlin dhe Lajpcig të Ismail Kadaresë, dhe që nuk i kisha njoftuar për t’u takuar. Ruaj edhe unë, edhe vajzat e mia Valbona dhe Rudina, kujtime shumë të bukura nga takimet ato 3-4 ditë me të madhin Kadare. Edhe ai më falënderoi shumë miqësisht, më tha se kurrë nuk e priste që të mbyllja zyrën këto ditë, sepse kjo nuk i kishte ndodhur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura