“Kadare”, letërsia dhe indiferenca

Jun 22, 2016 | 12:40
SHPËRNDAJE

baci agimAGIM BAÇI

Mund të ndodhë që një çmim të të ofrojë magjinë e leximit. Ka raste kur emri i çmimit është një nisje për lexim. Në rastin e çmimit “Kadare”, akorduar nga Fondacioni Mapo, ka diçka përtej tekstit të letrares. Jo se nuk është teksti më i rëndësishmi në këtë rast, apo stili. Por Shkëlqim Çela, i panjohuri i deridjeshëm në opinionin shqiptar, në rolin e një restauratori, ka marrë përsipër të ngjisë disa tipare të njeriut të rrënuar të diktaturës që duam ta harrojmë, a thua se nuk ka qenë pjesë e jona.

Përmes një grotesku dhe autoironie, Çela vjen me një stil origjinal, duke na dhënë përmes tri novelave një grafikë të dehumanizimit të shkallëshkallshëm të njeriut nën sistemin e Hoxhës. Kthyer në aktualen, Çela vjen si një sfidë ndaj indiferencës së madhe të shoqërisë shqiptare ndaj së shkuarës komuniste, ku simbolet e skllavërimit thuajse po zhduken. Spaçi – simboli i ligësisë së diktaturës- prej 25 vitesh vetëm rrënohet me shembje e harresë totale.

Ndërkohë, për libra si të At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Sami Repishtit, Lek Pervizit, Agim Mustës, Fatos Lubonjës, Spartak Ngjelës, e shumë botimeve të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që kanë përshkruar ferrin e regjimit komunist, nuk ka thuajse asnjë përkujdesje që të bëhen pjesë e teksteve të shkollave, që fëmijët të njihen me të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve të tyre.

Në këto 25 vite shumë kanë heshtur, duke mos shpjeguar kurrë se përse u bënë pjesë e makinës vrasëse, përse e mbështetën atë regjim gjakatar, duke miratuar mekanizmin e makinës çnjerëzore e duke duartrokitur rrëzimin e përditshëm. Shumë nga ata që bashkëpunuan dhe mbështetën atë regjim, preferuan heshtjen.

Ose edhe më keq, preferuan të shpjegonin pafajësinë e tyre përmes shprehjes: “Në atë regjim aq mund të bënim!”. Në këtë betejë me indiferencën ndaj së shkuarës, e vetmja që duket se do t’ia dalë është letërsia, sepse letërsia është ajo që nuk e braktis njeriun. Dhe Shkëlqim Çela, një shqiptar që prej kohësh nuk jeton në dheun e tij, vjen e ndërfutet me prozën letrare në këtë betejë, duke na dhënë disa foto të rëndësishme të rrënimit të njeriut nga një sistem, ku njeriu u kthye thjesht në një numër, në një matrikull pa identitet.

Pafuqia e shoqërisë për të zbardhur të shkuarën, nuk është diçka që ka mbetur vetëm muzeore. Pasojat e kësaj heshtjeje i kemi provuar në këto 25 vite me mungesën e theksuar të dëshirës së shoqërisë për të respektuar ligjin, pronën, tjetrin. Sepse ai sistem e zhveshi njeriun nga vetvetja, nga ligji, nga prona dhe e bëri armik me këdo që qëndronte pranë tij, duke e kthyer në hije të zezë të vetvetes.

“Unë e kundërshtoj të drejtën e doktrinës për të përligjur krimet e kryera në emër të saj. Unë e kundërshtoj të drejtën e atij njeriu bashkëkohës për të gjykuar sipas kritereve të veta të kaluarën dhe të ardhmen, ndërsa harron se është krejt i mjerë me atë çka njeriu mund të jetë”, shkruan në librin e tij “Mendja e robëruar” nobelisti Çesllav Milosh, duke pohuar pasojat në shoqëri të bashkëpunimit të tij dhe të miqve të tij me sistemin komunist në Poloni, edhe pse për vetëm pak kohë.

Ndërkohë, në Shqipëri, jo vetëm ish-bashkëpunëtorët e ish- Sigurimit, por as njerëzit e letrave, nuk denjuan të përshkruanin qoftë edhe heshtjen e tyre për krimet, duke i lënë ata në burgun e pafuqisë së tyre për të parë një herë të vetme drejt së vërtetës.

Dhe heshtja e tyre është e madhe pasi tashmë dihet që institucionet artistike ishin edhe leva më e rëndësishme e sistemit diktatorial, ku gatuhej dehumanizmi i shoqërisë, përmes ndërtimit të njeriut të ri. Ndaj, zëri i Çelës, që vjen sot si fitues i çmimit “Kadare”, merr një rëndësi të veçantë, pasi bashkë me estetikën letrare, duket se fiton edhe gjuha e kujtesës, duke na lënë të paktën një dritare të rëndësishme për të parë të shkuarën.

E ndoshta letërsia dhe artet e tjera, që kanë rrokur historinë e njeriut në atë sistem, do të mbeten edhe muzeu i vetëm nga ku do të mundet më pas të hyhet në botën e absurdit të regjimit të së shkuarës, ku askush nuk ishte më dikush, por vetëm një prej atyre që Partia e kish në listë për vrasës apo për ta vrarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura