Kadare “Komandant i Legjionit të Nderit”, Presidenti francez: Jeni avokat i Europës

May 31, 2016 | 8:00
SHPËRNDAJE

“Europian në zemër dhe universal në shpirt”. Kështu e ka quajtur Presidenti Francez, François Hollande, shkrimtarin Ismail Kadare, të cilit i dorëzoi dje personalisht urdhrin e “Komandantit të Legjionit të Nderit”.

13339574_10206551887944082_2539221801761590484_nKjo ceremoni përbën një nga ato rastet e rralla, kur Presidenti i Republikës zhvillon një aktivitet të veçantë vetëm për një nga të dekoruarit e 1 janarit.

Pasi ka takuar më parë Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në një ceremoni të veçantë Presidenti francez ka pritur në Pallatin “Elysee”, shkrimtarin e madh shqiptar, pretendent për çmimin “Nobel” për letërsinë, Ismail Kadare.

Siç raportojnë mediat franceze, që kanë përcjellë ceremoninë, kreu i shtetit është shprehur me superlativa për shkrimtarin, të cilin e quajti shqiptar e francez njëkohësisht, por mbi të gjitha një “shkrimtar të mrekullueshëm të historisë së Ballkanit”.

“Ju jeni një avokat i pasionuar i Europës dhe i kulturës, dhe unë i thashë Kryeministrit: sa mirë që ka europianë që nuk i përkasin ende Europës, por që e duan Europën”, u shpreh Hollande, në prezencë të Kryeministrit shqiptar Edi Rama.

“Ju jeni njëkohësisht shqiptar dhe francez, europian në zemër dhe universal në shpirt”, ka vazhduar më tej Hollande, duke e quajtur Kadarenë “shkrimtarin e mrekullueshëm të historisë së Ballkanit”. Pasi i ka vendosur vetë dekoratën, Hollande ka përqafuar përzemërsisht shkrimtarin shqiptar, duke e drejtuar për te foltorja.

Kadare nuk ka dashur që të flasë gjatë në këtë ceremoni, duke mos mbajtur fjalë të shkruara në letër, por të shprehë falënderimet e sinqerta kundrejt Presidentit Francez për këtë nder që iu bë, në atdheun e tij të dytë tashmë.

Ismail Kadare, gjatë ceremonisë në Elysee
Ismail Kadare, gjatë ceremonisë në Elysee

Gjatë viteve të diktaturës, Ismail Kadare do të shndërrohej në një dritare e Shqipërisë komuniste në botë. Kur ai vendosi të lërë Shqipërinë, ishte tashmë i njohur në Francë përmes romaneve të tij të përkthyera në gjuhën frënge.

13319698_10206551889624124_571593199848796101_n

URDHRI

Nderimi i Kadaresë me këtë titull të lartë të shtetit francez u bë i njohur në ditën e parë të vitit, pikërisht më 1 janar, duke hapur kështu edhe vitin, që në Shqipëri do t’i kushtohej pikërisht shkrimtarit të madh në 80-vjetorin e lindjes.

Përveç shkrimtarit shqiptar, i cili e ndan jetën tashmë mes Parisit dhe Tiranës, u nderuan si “Komandant i Legjionit të Nderit” shkrimtari francez 91– vjeçar Michel Tournier, si edhe muzikanti Michel Legrand, ndërsa këngëtarja Vanessa Paradis ka marrë urdhrin e “Kavalierit të Legjionit të Nderit”.

Aktorja Mireille Darc u dekretua me urdhrin e “Oficerit”. Emmanuelle Béart dhe Emmanuelle Bercot, që kanë marrë çmimin e interpretimit femëror në Festivalin e fundit të Kanës janë emëruar kavalierë, ashtu edhe aktori Christophe Malavoy. Piktori Gérard Garouste u emërua “Oficer”, ndërsa krijuesi i modës Kenzo Takada u emërua “Kavalier” si i huaj që jeton në Francë.

Ceremonia tradicionale e 1 janarit ka nderuar edhe viktimat e disa prej sulmeve të janarit të vitit 2015. Urdhri “Komandant i Legjionit të Nderit” është vlerësimi më i lartë që Franca jep për një personalitet. Nderimi më i lartë kombëtar në Francë është krijuar nga Napoleon Bonaparti në 1802 dhe numëron 93 mijë anëtarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura