Kadare: Enveri lejoi kritikat për “Dimrin”, i ndaloi kur po teprohej

Nov 30, 2015 | 13:07
SHPËRNDAJE

Nuk ka qenë thashemnajë dhe as amplifikim. Tashmë, dokumentet e dëshmojnë se Ismail Kadare ka qenë shkrimtari më i denoncuar gjatë viteve të diktaturës. Jo vetëm i ndjekur, i përgjuar, por i denoncuar edhe nga vetë kolegët e tij shkrimtarë e artistë. Duke marrë shkas nga libri me dokumente me autor Dashnor Kaloçin, “Kadare i denoncuar”, gazetari Ferdinand Dervishi ka ndërtuar një dokumentar mbi këtë temë.

Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

Dje, në “ABC News”, në “ABC Story”, ishte vetë shkrimtari Ismail Kadare që do të fliste jo vetëm rreth librit, por edhe për çështje që lidheshin me krijimtarinë e tij nën diktaturë. Kadare tregon mbi “konfliktin” me shkrimtarin Bilal Xhaferri, çfarë ndodhi me romanet e tij “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, si dhe pozicionin që kishte letërsia në një regjim diktatorial. A mundej ajo të zgjaste jetën e regjimit. Të gjitha këto po i sjellim në formën e një interviste, mbështetur mbi çështjet që ka trajtuar Dervishi në dokumentar dhe përgjigjeve të Kadaresë

Sapo ka dalë një libër me dokumente nga autori Dashnor Kaloçi, ç’menduat për të kur e lexuat?

Ky libër është për gjithë letërsinë shqipe, nuk jam vetëm unë atje, por kur ngrihet një emër atje, vetvetiu të vete mendja sikur është ai kryesori. Kjo ka qenë drama e përbashkët e gjithë shkrimtarëve shqiptarë që jetuan në komunizëm. Atje ka dhjetëra emra shkrimtarësh, ndërsa ka dhjetëra dokumente të tjera, ende të pazbuluara. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e tablosë së zymtë të papërfytyrueshme për Europën e sotme, se si mund të ndodhte në shek. XX një dramë e tillë gjatë 40 vjetëve.

Ishit i vetëdijshëm se përgjoheshit?

Për herë të parë e kam ndier veten pjesë të kësaj ndjesie të keqe, absurde, kur jam kthyer nga studimet jashtë shtetit. Ishte një faktor i rëndësishëm që unë u ktheva nga një institut ku studiohet letërsia botërore, ku kishte shkrimtarë nga shumë kombësi, dhe një nga bisedat e rezervuara që trajtoheshin atje ishte edhe përgjimi i shkrimtarëve. Ndaheshin përvojat si përgjohej në Letoni, si përgjohej në Shqipëri, Poloni etj. Pra, kur u ktheva, e kisha njëfarë përvoje dhe vija re se çfarë ngjante nga ato që kisha dëgjuar atje. Dy vjet para meje ishte kthyer Dritëro Agolli, pak më pas Fatos Arapi dhe ne kishim krijuar përnjëherësh një shoqëri, dhe një nga bisedat e përsëritura, apo një nga kujdeset tona, ishte përgjimi.

Ç’është e vërteta, në atë kohë, sado që mund të duket paradoksale, pasi më vonë Dritëro Agolli u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, kemi qenë shokë dhe flisnim hapur për rezervat tona për komunizmin në përgjithësi, për komunizmin dhe stalinizmin shqiptar. Shumë njerëz mund të mos e besojnë sot se si ishte e mundur. Po ja që ishte e mundur! Në fillim të viteve ’60 kishte një atmosferë, një prirje, çuditërisht liberale, sepse po dënoheshin gjerësisht krimet e Stalinit dhe kjo krijonte vetvetiu një atmosferë antidiktatoriale. Pastaj, më vonë, nën ndikimin e Revolucionit Kulturor Kinez, gjatë miqësive me Kinën, u shua dalëngadalë dhe nuk u ndez më.

Në librin e Kaloçit, një vend të rëndësishëm zë “përplasja” juaj me shkrimtarin Bilal Xhaferri, i cili jo vetëm ju ka kritikuar në një mbledhje të Lidhjes, por i ka çuar letër edhe Enver Hoxhës. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Për të qenë i sinqertë, kjo histori nuk ia vlen të diskutohet gjatë. Nga njëra anë, e rëndomtë dhe nga ana tjetër, e bezdisshme. Ka brenda një gjë, jo fort të pastër e të ndershme. Unë nuk kisha asnjë konflikt me të, nuk kam pasur asnjëherë me askënd ndonjë konflikt. Ai nuk ishte as më i ri se unë, përkundrazi ishte pak më i moshuar se unë, edhe pse imagjinohej si më i ri.

Ishte një shkrimtar që po çante me vështirësi dhe për të çarë në Shqipëri në atë kohë duhej ndihma e një shkrimtari që ishte pak a shumë i njohur për kohën. Dhe unë ndihmën time ia kam dhënë. Kaq. Më ka kritikuar rëndë në një mbledhje. Kritika ka bërë përshtypje jo të mirë, për një arsye shumë të thjeshtë. Kritikat ishin dy në atë kohë: njëra mbi mendimin e partisë, që shoku filan s’është mirë nga ana politike, ka ndikime dekadente; tjetra ishte më e rrallë, kritikë më e guximshme, më e ndershme, që bëhej aq sa mund të lejohej, që vepra juaj e bën rozë realitetin, e zbukuron…

Ai zgjodhi anën e keqe të kritikës. Më kritikoi si shkrimtar me prirje dekadente. Kjo ishte e pakuptueshme, sepse ai ishte një njeri i vuajtur, mezi po pranohej në “shoqërinë socialiste”. Kjo më bëri përshtypje, një lloj mosmirënjohjeje. Njerëzit me probleme në biografi përpiqeshin që ta ndreqnin. Ishte shumë e vështirë t’i ndreqje problemet me punë. Për shkrimtarët ishte shumë e vështirë, nuk u pranoheshin veprat, mezi e çanin rrugën.

Ndaj, ai u përpoq duke treguar një shenjë besnikërie ndaj shtetit dhe Partisë se ndoshta merrej parasysh, nuk ishte e sigurt, por qëllonte që merrej parasysh. Me një fjalë, i tregoi shtetit se: unë mund të shërbej, që të kritikoj qoftë edhe një shkrimtar të njohur, në emër të partisë, pa pasur frikë. Paradoks, që një shkrimtar me probleme biografie të hiqej ca më shumë komunist se vetë komunistët, disa herë.

Një tjetër goditje për ju do të ishte ai për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Një fushatë e tërë u ngrit për të, çfarë fshihej pas saj?

“Dimri i vetmisë së madhe”, mund të jetë një vepër e rrallë, ndoshta dhe e vetmja në botë që është botuar pa asnjë vërejtje. Ky roman prej 600 faqesh, për habinë time, u botua pa asnjë vërejtje. Unë ende nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur. Si shtëpia botuese, çoi për botim një roman kaq delikat, pa bërë asnjë vërejtje? Kush ka mbetur gjallë nga shtëpia botuese, mund të na e sqarojë, ose e ka lënë diku të shkruar. Ai ka vetëm një ndryshim. Është ndryshuar vetëm një fjalë me sugjerimin e klasës punëtore. Është për të qeshur, ta tregoj.

Pas tri ditësh që doli nga shtypi, u hap një fushatë e ashpër kundër tij. Kërkohej ndalimi i tij. Është mister se çfarë ka ndodhur. Nuk e kam të qartë ende. Me sa duket, në fillim, është marrë një vendim që ky roman të zhduket nga faqja e dheut, pastaj një mendim i dytë ka qenë të botohet dhe të kritikohet. Fitoi i dyti. Kjo tregon që, me sa duket, Enver Hoxha ka qenë në dijeni për këtë dysi. Ai e lejoi, ai tha të kritikohej dhe ai e ndaloi kritikën kur e pa se po teprohej.

Si u arrit më vonë që ai të ribotohej me ndryshime?

Romani, duke pasur një reagim të fortë partiak, thuajse u ndalua. Mbeti në heshtje disa vjet dhe mua më vinte keq që vepra po zhdukej dalëngadalë, nuk kujtohej më, dhe më e keqja ishte se botuesit e huaj donin ta botonin dhe ne bënim të gjitha përpjekjet që ta ndalonim. Atëherë, për të dalë nga ky ngërç, unë vetë kam propozuar: që a mund t’i bëj disa nga këto vërejtjet e popullit shqiptar për veprën. Kjo m’u duk fare e lehtë, madje shumë komode për të mbajtur gjallë veprën. Bëra disa ndryshime, duke filluar nga titulli. Ishte i detyrueshëm ndryshimi i titullit, që të mos jepte përshtypjen se Shqipëria ishte një vend i vetmuar.

S’ka ndonjë shkrimtar që të marrë seriozisht në një diktaturë apo në një tirani, ndryshimin e titullit. Madje, më i njohur bëhej kur ndërrohej titulli. Atëherë doli “Dimri i madh”. U bënë disa ndryshime, por që nuk prekën asgjë nga thelbi i romanit. Asgjë delikate, ankthin që përshkruhej, kohën e shtrirë, dimrin e madh që kishte përfshirë Shqipërinë, skenat që u quajtën diabolike disa herë, ku në një pritje në Pallatin e Brigadave shfaqej zëvendësi i Enver Hoxhës me plagë në trup, i pushkatuar.

Po me romanin “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, çfarë ndodhi, si u ndalua?

Ky roman u dënua dhe u ndalua publikisht. Kjo është historia. Mirëpo, diktatura përdorte metoda djallëzore vërtet. Kur nuk i intereson shtetit diktatorial të bëjë zhurmë për një vepër, ai e mbyt. Nuk i interesonte shtetit të thoshte se në këtë roman bëhen aluzione kundër socializmit. E pa dhe u përpoq të harrohet, sepse bën efekt të kundërt. Romani ishte 20 mijë kopje dhe imagjinoni 20 mijë lexues, apo 100 mijë, nëse libri kalon dorë më dorë, lexojnë që të gjejnë aluzionet kundër shtetit, prandaj u përpoqën që ta mbytin. U ndalua tërësisht. Dhe kjo ka ndodhur në vitet ’81-’82, në vitet më të zeza të socializmit në Shqipëri.

Emri juaj është përmendur edhe në dosjen e ish-ministrit të dënuar të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti. Ai pranon se ju ishit rekrutuar nga Mehmet Shehu për të punuar në drejtim të artit dhe kulturës, për rrëzimin e regjimit në Shqipëri. Ç’ndjesi ju krijon?

Për Llambi Ziçishtin, unë nuk kam asnjë ndjesi të keqe. Ai ishte një viktimë e llahtarshme e regjimit. I copëtuar nga torturat, ai ka pranuar gjëra që çdokush do t’i pohonte. I kanë thënë ndër të tjera që, në komplotin e Mehmet Shehut për të rrëzuar shtetin shqiptar dhe Enver Hoxhën, ishte rekrutuar edhe Ismail Kadareja. Dhe ai sigurisht ka pranuar. Ishte një dosje absurde, por ama hynte në punë për një gjë konkrete. Pas saj vinte plumbi.

Kemi dëgjuar të thuhet se letërsia ka ndihmuar në zgjatjen e jetës së diktaturës, a mund të ndodhte kjo?

Ky libër jep një sinjal për një gjë të rëndësishme, hedh poshtë atë tablo idilike, që partia i ndihmonte shkrimtarët, i donte etj. Janë dokrra. Letërsia shqipe e periudhës së realizmit socialist ka qenë në përgjithësi një letërsi e martirizuar, ka qenë përballë regjimit më të egër në Europë. Ka qenë e shikuar me dyshim nga mëngjesi deri në darkë dhe është e padrejtë që disa herë, disa nga krimet e diktaturës t’i faturohen letërsisë, se gjoja letërsia është shkaktarja kryesore e zgjatjes së diktaturës shqiptare. Këto janë shpifje të shëmtuara. Këto heqin përgjegjësinë nga fajtori kryesor i terrorit në Shqipëri, i dhunës, krimeve, vrasjeve… Këto i bëri tjetër kush.

Nuk bëhen kurrë me vjersha e roman. Regjimet tiranike kërkojnë të shkarkojnë fajin mbi të tjerët, disa mbi popullin, disa mbi fatalitetin e kohës. Një popull, në çdo regjim këndon, shkruan letërsi, i bie pianos. Arti ndjek rrugën e vet. Vuan bashkë me popullin, por ama nuk mund të thuash që ky është shkaku i shtypjes dhe terrorit. Kjo ka ndodhur në Shqipëri. Letërsia shqipe kishte përballë monstrën më të madhe që ka pjellë kombi shqiptar, Sigurimin e Shtetit, i cili nuk duhej ndarë kurrë nga partia. Ishin bashkë.

FERDINAND DERVISHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura