Kabina elektrike “rrezik vdekje”/ Ankohen banorët: Ka pasur shumë raste kur bagëtitë kanë mbetur të ngordhura pranë kabinës

Oct 12, 2021 | 19:00
SHPËRNDAJE

kabina elektrikeKabina elektrike në fshatin Majtarë të Njësisë Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës, nuk ka asnjë element sigurie për banorët e zonës.

Kabina është vendosur në tokë dhe është lehtësisht e prekshme nga çdo njeri, përfshirë këtu edhe fëmijët. Sa herë ka reshje shirash, banorët shprehen se zona elektrizohet duke i rrezikuar jetën e tyre edhe në distancë të largët.

Po ashtu, rrezik potencial kjo kabinë elektrike është edhe për fëmijët që shkojnë në shkollë, pasi kalojnë ngjitur me këtë objekt.

Banorët shprehen se kërkesat e tyre për ta siguruar këtë kabinë elektrike kanë rënë në vesh të shurdhër deri tani, pasi Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk ka marrë asnjë masë. Ata kërkojnë që të ndërhyhet sa më parë, sa ende nuk është humbur ndonjë jetë njerëzore. Nga ana tjetër, banorët shprehen se ka patur shumë raste kur bagëtitë kanë mbetur të ngordhura pranë kabinës pasi kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike. a.l.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura