“Ka qenë fashist i vjetër”, zbardhet dosja sekrete e Sigurimit për Kutelin: Luftoi Ushtrinë e Kuqe

Dec 20, 2019 | 15:56
SHPËRNDAJE

teatri kuteli4

Më 19 maj të vitit 1947, Prokuroria Publike e Prefekturës e ngarkuar me hetimet lëshoi një “Urdhënesë paraburgimi”.

Shkrimtari i jashtëzakonshëm, kritiku, publicisti, qëmtonjësi i folklorit, botuesi, po paraburgosej dhe shoqërohej në “burgun e armiqve të popullit”. Arsyeja ishte pjesëmarrja në luftë, thirrur nën armë gjatë kohës që ai ishte në Rumani dhe kjo e fundit u rendit në krahë të forcave fashiste. Dhimitër Pasko apo Mitrush Kuteli ishte radhitur kundër Bashkimit Sovjetik dhe kjo ishte e papranueshme për pushtetin komunist. Jo vetëm pjesëmarrja për një kohë fare të shkurtër në luftë, por edhe punësimi i tij në Bankën Kombëtare, gjatë pushtimit nazist fliste kundër tij.

Pasi kanë kaluar mbi 70 vjet që atëherë, familjarët e shkrimtarit kanë kërkuar pranë Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dosjen e tij. Në disa prej faqeve të përfshira në të lexojmë akuzën dhe marrjen në pyetje të Mitrush Kutelit, në të cilat ai sqaron se si u gjend në front, lidhjet me eksponentë të shpallur “armiq të pushtetit popullor”, punën në Bankën Kombëtare, angazhimin në gazetën “Bashkimi i Kombit”… E në fund ia beh dënimi: 5 vjet heqje lirie. Dënim ky, që më pas do të shoqërohej nga lënia e tij në hije si intelektual, heqja e të drejtës së botimit.. Një dënim me harrim, që do të duhej të kalonin disa vite, që të mund të “lehtësohej” e në qarkullim të dilnin sërish titujt e Mitrush Kutelit. Më poshtë po botojmë disa faqe nga përmbajtja e kësaj dosjeje.

Këto dokumente u publikuan në aktivitetin e mbrëmjes poetike “Nuk harrojmë Mitrush Kutelin”, moderuar nga gazetarja Raimonda Shundi ku të ftuarit u bashkuan në vlerësimin bërë veprës së madhe letrare dhe qytetare të eruditit.

kuteli1

NGA DOSJA E MITRUSH KUTELIT

SEKTORI I SIGURIMIT TË SHTETIT TIRANË MERR NË PYETJE DHIMITËR PASKON:

Ke qenë fashist i vjetër, anëtar i ‘Rojës së hekurt’, prandaj fol drejt..

Nuk kam qenë fashist, por nji socialist i turbullt, pa gjetë vijën e caktime.

Ti i kishe të gjitha mundësitë me kuptuar të mirën dhe të keqen, kishe mbaruar shkencat ekonomike dhe pse tash paraqitesh si inoçent, prandaj fol..

Universiteti ishte i shumanshëm dhe nuk jepte mundësi orientimi dhe për strukturën ekonomike, për punë që zhvilloheshin në (B.S) nuk flitesh fare, ose kur flitesh e quanin kaos. Këto ishin kurset që bënim në universitet.

Domethënë ti je rrit me tendenca reaksionare?

fevziu

Dëshira jeme ka qenë gjithnjë me gjetë nji rrugë për drejtësi shoqënore. Ambienti ishte konfuz, reaksionar dhe unë mbeta i disorientuar.

Ke qenë ti vullnetar në Bashkimin Sovjetik në 1941?

Jo, nuk kam qenë dhe as e mendonja, por më muarën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohesha, pasi ndieja se lufta që bëhej ishte e padrejtë, agresive. Atje kam ndenjur dy muaj e gjysmë dhe punonja si sekretar i dytë dhe në anën e bankës u lirova, mbasi e kërkova vetë një gjë të tillë.

Në Shqipëri kur je kthyer dhe me cilat autoritete je takuar?

Jam kthyer në shtator 1942 dhe jam takuar me plot njerëz si dhe me Dhimitri Beratin, ish-President i SASTEB-it dhe kam biseduar me të çështje familjare. Në dhjetor hyra në SASTEB dhe sikurse e kam thënë, qëndrova pesë muaj, megjithëse kontrata ishte për një vit. Dhashë dorëheqjen dhe mbasi kapitulloi Italia, kam punuar në Bankën Kombëtare.

Puna që ke bërë ti ka qenë në shërbim të okupatorëve?

teatri kuteli3

Unë kam menduar si kundra okupatorit, për mos me i dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jipte qeveria, për të sigurue rezervën e arit dhe për të mos emetuar monedhë të re etj.

Domethënë, ti e paske paralizue aparatin e shtetit nazifashist?

Po, e kam sabotuar.

Dhimitër Pasko
Dhimitër Pasko

Çfarë shkrimesh ke shkruar në kohën e gjermanëve?

Kam shkruar artikuj ekonomikë në gazetën ‘Bashkimi i Kombit’, kjo ishte e qeverisë, por artikujt e mi ishin kritikë kundra qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike.

Si të lindi ty të shkruaje kundra qeverisë si pretendon, kurse e vërteta është se ti ke qenë bashkëpunëtor i ‘Bashkimit të Kombit’ dhe i qeverisë kuislinge?

Ata nuk kuptonin. S’kishte kontroll, ishin budallenj, kishte anarshi. Tash titujt nuk më kujtohen, por ishin mbi financën, kundra shpenzimeve të kota që kalonin mundësitë financiare të vendit.

Mbas çlirimit, ç’punë ke bërë dhe pse ike nga banka?

Kam punuar në bankë dhe ika se kam qenë sëmurë dhe mandej kam punuar nja dy muaj për pregatitjen e programit të studimit të folklorit n’Institutin Pedagogjik.

Ç’marrëdhënie ke pasur me Kol Kuqalin?

Ato që rridhnin nga detyra si anëtar administrativ i bankës.

teatri kuteli1

Je takuar shpesh me të lartpërmendurin?

Në bankë kur ishte po, mandej i kam shkuar në shtëpi kur i kanë sjellë eshtrat e djalit nga Prishtina në 1946. Ky ka ardhur ke shtëpia ime një herë për urime martese. Kur erdhi më tha se nuk jam nis direkt për te ty, por mbasi isha në një shtëpi këtu afër, u ktheva për urime.

Tjetër herë, ke qenë në shtëpinë e tij?

Po, kam qenë për të bërë bibliografinë e librave të reja që më kishte ngarkuar Instituti i Studimeve në 1947. Për këtë punë kam qenë edhe në Komunitetin Mysliman dhe atë orthodhoks, në depot e librave etj.

Takoheshe me Kolën ndonjëherë tjetër, çfarë bisedonit?

Mund të jem takuar rastësisht rrugës dhe e pyesja shpesh për të birin, që i kishte vdek dhe se donja të shkruanja diçka për dëshmorët e Prishtinës. Unë kërkonja punë dhe kisha shpresë që do gjenja, por ai thoshte me ironi se ty nuk të japin punë.

Fliste ndonjëherë kundra pushtetit apo tregohej i pakënaqur Kola?

Ke mua nuk bisedonte ndonji gjë kundra, por në vete dukesh i ftohtë.

Po Kostë Binjakun, prej sa kohësh e njeh dhe ç’biseda ke pasë me të?

Kostë Boshnjakun e njof qysh në Rumani në 1931-1932 dhe shkruanim në gazetën “Shqipëria e Re”, në Kostancë e mandej jam takuar në Priskë, kur u arratisa në tetor 1944 dhe më vonë në Tiranë.

Sa herë ke qenë ke shtëpia e lartpërmendurit?

Kam qenë nja dy herë. Nji herë kam qenë për të marrë firmën e bilancit të bankës dhe nji herë tjetër për t’u takuar me një plak nga Ballkameni i Follorinës, i cili dinte shumë këngë popullore. Për këtë më kishte thënë Kosta, por mbasi plaku atë ditë ishte i sëmurë dhe banonte me një shtëpi me Boshnjakun, hyna te Kosta dhe qëndrova nja një gjysmë ore, por nuk më kujtohet çfarë kemi biseduar.

Tjetër herë je takuar me të?

teatri kuteli

Jam takuar pranë ‘Librari Argus’ dhe kishte në dorë revistën ‘Krediti’ dhe më tha nëse e kisha këndue një artikull që thoshte diçka mbi disa anëtarë të Këshillit Administrativ. Unë i thashë që nuk e kam kënduar. Ai ma tregoi dhe tha çuditem, se Ministri Financës na falënderoi kur duallmë nga Këshilli për punën e zhvilluar në bankë dhe qeshi me çudi.

Ç’ke biseduar me të kundra pushtetit, sepse neve e dimë se ti ke bashkëpunuar për të rrëzuar Pushtetin me Kostë Boshnjakun dhe Kolë Kuqalin, prandaj fol drejtë..

Tjetër gjë nuk kam biseduar përpos këtyre që tregova as me të parin, as me të dytin. Sa u than më sipër janë të vërteta dhe mbasi mu lexuan fjalë për fjalë, i firmoj me vullnet të lirë.

Hetuesi Kapiteni I-rë Beqir Ndou

I pandehuri Dhimitër Pasko

Përfunduar n’orën 1 para dite të datës I/III/1948

Kuteli: Kam sabotuar punën e qeverisë gjatë pushtimit nazist

Republika Popullore e Shqipërisë Prokuroria Ushtarake e Garnizonit Nr. 89 Regj. Them. V.F.L.P Tiranë, më 2 prill 1948 Akt-Akuzë Gjykatës Ushtarake të Garnizonit Këtu Sikurse do të konstatohet edhe nga procesverbali përkatës, që bashkangjitur ju sillet, i pandehuri Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), i biri i Pandit dhe i Poles -vdekun, vjeç 41, me profesion shkrimtar, i rreshtuarë akuzohet se:

Faksimile e procesverbalit të mbajtur gjatë ditëve të hetuesisë
Faksimile e procesverbalit të mbajtur gjatë ditëve të hetuesisë

Ka qenë anëtar i organizatës fashiste “Roja e hekurt” në Rumani, dhe më 1941 merr pjesë vullnetarisht në luftë kundra Ushtrisë së Kuqe. Në vitin 1942 ka ardhur në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me fashistët si Dhimitër Berati e të tjerë për kundra Lëvizjes NÇ. Në kohë t’okupacjonit nazist me artikujt, në fletoren “Bashkimi i Kombit” ka shfryrë urrejtjen kundra Luftës NÇ. Me çlirimin e Shqipërisë, duke mos u shkëputur fare nga e kaluara në shoqëni me Kost Boshnjakun dhe Kol Kuqalin, bashkëvepron kundra Pushtetit Popullor, aktivitet që e kryen me anë të propagandës e agjitacionit nër elementa antipushtet.

Meqë vepra e tij formon faj dhe parashikohet prej nenit… të ligjit nr.372, datë 12/XII/ 1946, mbi fajet penale kundra popullit e shtetit, është parë e nevojshme të gjykohet. Prandaj, kërkoj të gjykohet dhe mbasi t’i provohet faji për të cilin akuzohet, në përfundim të vendoset dënimi i tij në bazë të ligjit të mësipërm. Prokurori ushtarak Kapiten i Dytë Petrit Hakani

Procesverbal …

Gjykata e faktit e ka arsyetuar edhe duke u bazuar në prova konkrete vendimin e saj dhe dënimi i është dhënë në proporcion me fajin, vetëm se nuk duhesh të vendoste konfiskimin e pasurisë së tij. Prandaj, për këto arsye Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në bazë të neneve 10 dhe 17, nr.2 të ligjit nr. 308, datë 5.XI1.1946, mbi organizimin dhe kompetencat e Gjykatave Ushtarake, duke pranuar dhe kërkimin e prokurorit Vendosi: Aprovimin e vendimit nr.220, datë 7/IV/1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, që përmban ndëshkimin e Dhimitër Pandi Paskos nga Poradeci dhe banues në Tiranë, me 5 (pesë) vjet privim lirie dhe punë të detyruar, pa konfiskimin e pasurisë së tij. Ky vendim është i premë.

Tiranë, 20/V/1948

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura