“Ka përfunduar dita e votimit, jo zgjedhjet”- Ilir Meta: Një grup i strukturuar kriminal ka dërguar mesazhe fyese gjoja në emrin e presidentit

Apr 30, 2021 | 13:25
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë përfunduar, pasi ende nuk ka nisur procesi i ankimimeve dhe konstestimeve.

Po ashtu kreu i shtetit u kërkoi ndjesë qytetarëve teksa foli për mesazhe fyese të dërguara sipas tij nga një grup i strukturuar kriminal, në emër të Presidentit të Republikës.

“Së pari dua t’u kërkoj ndjesë gjithë qytetarëve, të cilëve një grup i strukturuar kriminal u ka dërguar mesazhe fyese gjoja në emër të Presidentit të Republikës, kryesisht gjatë ditës së djeshme, ndoshta edhe më parë, të cilat janë konfirmuar nga disa personalitete publike, por edhe të njohur të Presidentit të Republikës.

Lidhur me këtë skandal ku një grup kriminal keqpërdor të dhënat personale të Presidentit të Republikës për të shantazhuar qytetarët, i kam drejtuar kompanisë Vodafone një kërkesë teknike dhe presim përgjigjet e saj. Shumë shpejt do të nisim procedurat ligjore të hetimit vendas edhe ndërkombëtar.

Edhe ju gazetarët se mos merrni ndonjë mesash nga Presidenti Republikës, që ka marrëdhëniet më perfekte me të gjithë gazetarët”, tha Meta.

Ndërsa foli mbi zgjedhjet e 25 prillit, presidenti deklaroi: “Mos u shfokusoni nga procesi i zgjedhjeve. Mos u çorientoni me lajme të tjera. Zgjedhjet nuk kanë përfunduar, dita e votimeve po, administrimi vazhdon.

Rezultati vazhdon dhe i ka mundësitë të jetë një rezultat paraprak, sepse procesi i numërimeve nuk ka mbaruar ende por ajo që është më e rëndësishme, procesi i ankimimeve apo konstestimeve nuk ka nisur akoma, sepse kjo gjë nuk mund të ndodhi sipas Kodi Zgjedhor pa u shpallur rezultati nga KQZ.

Dua të falënderoj qytetarët e Shqipërisë që pavarësisht cfarë ndodhi deri në 26 prill iu përgjigjën thirrjes së Presidentit, morën pjesë masive në zgjedhjeve, pjesëmarrja është të paktën 74 për qind, e qytetarëve që janë rezident dhe kanë të drejtën për të votuar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura