“Ka ngritur lart emrin e Shqipërisë”/ Presidenti Meta vlerëson artistin Ilir Kerni me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

Sep 14, 2021 | 19:43
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar baletmaestron dhe artistin e mirënjohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Ilir Kerni me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

ilir kerni

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit shqiptar tha se Ilir Kerni ka ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe ka promovuar vlerat tona më të mira kombëtare, përmes interpretimeve të tij, në shumë skena dhe teatro të botës.

“Ilir Kerni është një personalitet i shquar, shumë i njohur për të gjithë ne dhe shumë prezent veçanërisht gjatë viteve ’80 e deri në hapjen e Shqipërisë, por gjithashtu shumë i shquar në këto 30 vite, sidomos në skenat botërore.

Ai ka arritur gjatë këtyre katër dekadave, të shkëlqejë me një repertor jashtëzakonisht të pasur në karrierën e tij, tij, ku mund të përmendim interpretimet e tij në një sërë rolesh si: Azem Galica tek vepra “Shota dhe Azem Galica”,  Halili tek “Halili dhe Hajria”,  Basilio tek “Don Kishoti”, e shumë e shumë role të tjera, të cilat kanë shpalosur talentin  artistik të Ilir Kernit dhe janë mirëpritur nga artdashësit vendas por dhe publiku i huaj.

Për talentin dhe karrierën e tij të suksesshme si balerin, ai është vlerësuar me shumë çmime dhe tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Vlen për t’u përmendur se Ilir Kerni mban titullin ‘Ambasador i Kombit’ falë promovimit që ai i ka bërë vlerave të jashtëzakonshme të artit e kulturës shqiptare, në shumë skena europiane dhe botërore.

Talenti i tij u shqua edhe në Kroaci, ku ai kërceu si balerin kryesor në Teatrin Kombëtar të Zagrebit, duke interpretuar shumë role të baletit modern dhe klasik.

Përgjatë 30 viteve karrierë jashtë vendit, ai ka bashkëpunuar me shumë emra të njohur të baletit europian dhe botëror.

Ilir Kerni u shqua për punën e tij pedagogjike si pedagog në Akademinë e Baletit në Tiranë, por puna e tij pedagogjike është e shtrirë edhe në shumë vende të tjera, si Japoni, Tajvan, Francë dhe Kroaci.

Në tetor të vitit 2019, ai u emërua drejtor baleti i ‘Teatrit Kombëtar Kroat, në Split’, duke u bërë kështu artisti i parë shqiptar, të cilit i besohet një post drejtues në një teatër kombëtar prestigjoz jashtë vendit.

Një balerin i talentuar në skenat tona dhe ato botërore, koreograf i disa baleteve të njohura, pedagog, drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, dhe tashmë drejtor baleti i Teatrit Kombëtar Kroat, në Split, karriera e pasur e Ilir Kernit është dëshmi e punës së palodhur, e përkushtimit dhe e talentit të tij, por mbi të gjithë pasionit për baletin”, u shpreh ndër të tjera Presidenti.

Në mbyllje të fjalës së tij, presidenti Meta u shpreh se artistë të tillë, janë e do mbeten gjithmonë Nderi i Kombit tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura