“Ka mësues mbi normë në shkolla, do lënë punën”

Oct 14, 2013 | 8:20
SHPËRNDAJE

Ministrja e Arsimit, Nikolla: Në Elbasan, në 7 shkolla 32 mësues tepër.

Mësuesit e futur në punë gjatë fushatës elektorale dhe ata që nuk plotësojnë kriteret e pozicionit të punës, do të largohen. Ministria e Arsimit ka nisur auditin nëpër shkollat e vendit, ku është evidentuar një numër i konsiderueshëm punonjësish mbi normë. “Vetëm në Elbasan, në 7 shkolla që janë kryer kontrolle, janë gjetur 32 mësues mbi normë. Është e papranueshme. Mësuesit duhet t’i kthehet dinjiteti dhe jo kushdo mund të jetë pjesë e radhëve të arsimtarëve. Ne do depolitizojmë shkollat dhe këtë premtim të bërë herët do ta mbajmë sa më shpejt”, ka deklaruar ministrja Lindita Nikolla.

E pyetur nëse ka një bilanc për numrin e mësuesve mbi normë në rang vendi, ajo sqaroi se grupi i punës është ende në proces. “Nuk e dimë ende me siguri, por nisur nga ajo që kemi parë në disa qytete, problematika ekziston. Shkollat nuk ka asnjë arsye pse të kenë mësues mbi normë. Kanë një numër të caktuar nxënësish, orësh mësimore që u korrespondon një numri punonjësish. Personel të panevojshëm që paguhet me paratë e shtetit, të taksapaguesve, nuk do të ketë më në shkolla”, tha Nikolla. Ajo shprehu angazhimin e saj personal në krye të MAS, për t’i dhënë fund njëherë e mirë frikës nga politika apo mbështetjen prej saj për të ruajtur vendin e punës. “Institucionet arsimore duhet të jenë të depolitizuara. Jashtë orarit të punës gjithkush është i lirë të angazhohet me cilëndo forcë politike. Dua të theksoj se ka ardhur koha të marrin fund njëherë e përgjithmonë presionet apo daljet me urdhër në fushata”, tha Nikolla.

REKRUTIMI ME LIGJIN E RI
Me ligjin e ri të arsimit parauniversitar rrezikojnë vetëm mësuesit që janë punësuar muajt e fundit pa konkurs. Pjesa tjetër janë pranuar në bazë të standardeve dhe mbrohen nga kontrata kolektive, që Sindikata e Arsimit të Shqipërisë ka nënshkruar kohë më parë me ish-ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas sindikatës, arsimtarët nuk mund të pushohen nga puna për arsye politike.

“De jure ka qenë e zgjidhur, de facto ka ndodhur që ka pasur ankesa vazhdimisht. Një pjesë i kemi korrigjuar. Kjo bëhet për motive të ndryshme, janë motive politike, por edhe presione nga ana e mësuesve. Kontrata kolektive mbron të gjithë mësuesit që janë punësuar më kontratë kolektive, të emëruar si mësues të përhershëm, dhe këto janë rreth 35 mijë”, janë shprehur drejtuesit e Sindikatës. Sipas tyre, me zbatimin e ligjit të ri për sistemin parauniversitar, vitin tjetër shkollor emërimet dhe pushimet nga puna do të varen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura