“Ka ende armë në duart e të papërgjegjshmëve”, Xhafaj paralajmëron aksionin e ri

Sep 20, 2018 | 17:57
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi sot se armët janë ende një problem i prekshëm për Shqipërinë dhe se qeveria do të angazhohet për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta duke nisur nga viti i ardhshëm. Duke folur në një takim të zhvilluar sot në kuadër të luftës kundër trafikimit të armëve, Xhafaj tha se puna për krijimin e një strategjie dhe planiveprimi ka nisur dhe do të prezantohen në 2019 në Paris.

2-1537432843

“Keqpërdorimi i armëve dhe mandej trafikimi i paligjshëm i tyre përbëjnë një shqetësim vërtet serioz. Shfrytëzimi i tyre nga organizatat kriminale dhe më tej nga celulat terroriste, mbetet problematik. Shqetësimi kalon kufijtë rajonalë. Është ngritur një komision kombëtar për të kordinuar dhe monitoruar të gjitha aktivitetet në vend që kanë lidhje me armët e vogla dhe të lehta. Komisioni kombëtar dhe ekspertët po punojnë për të hartuar një strategji dhe plan veprimi që do prezantohen në takimin e dhjetorit në Paris”, tha ministri.

Xhafaj theksoi se armët janë në duart e njerëzve të papërgjegjshëm.

Sipas Xhafajt, viti 1997 ka lënë pasojat e veta me humbje njerëzore pas hapjes së depos së armëve dhe  se armët janë akoma në duart e njerëzve të papërgjegjshëm.

“Jemi të ndërgjegjshëm se armë të tilla gjenden akoma në duar të njerëzve të papërgjegjshëm. Tragjedia kombëtare e vitit 1997 që zhvendosi në masë armë nga depot në duart e qytetarëve ka prodhuar e vazhdon të prodhojë fatkeqësi me humbje jetësh njerëzore. Është dashur një punë e jashtëzakonshme në vitet për të zbutur efektet e asaj çmendurie. Shqipëria ka arritur rezultate të mira në luftën kundër trafikimit të armëve.

Janë ndëshkuar rastet e armëmbajtjeve pa leje, kjo ka çuar në ulje të ndjeshme të vrasjeve me armë zjarri. Këto shifra janë shumë më të ulëta edhe në këtë vit që jemi. Por përsëri me mesetare të ulët në krahasim me standartet e BE. Fushata ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve ka rezultuar përgjithësisht pozivite. Ministria e Brendshmme është e angazhuar që në vitin 2019 të nisë operacionin për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta. Reformat e vëna në lëvizje kanë pikërisht këtë qëllim”.

Xhafaj tha se policia e shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese është përfshirë në operacion të gjerë në kontrollin e  territorit për identifikimin, goditjen dhe ndëshkimin e grupeve kriminale që janë përfshirë në përdorimin dhe trafikimin e armëve të zjarrit të të gjitha llojeve.

Sipas Ministrit të Brendshëm, megjithëse legjislacioni penal është ndër më të ashprit në rajon, ekziston një problematikë reale përsa i përket armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve.

Një kuadër ligjor më i qartë dhe kryesorja implementimi i duhur do të ndihmojë më mirë në parandalimin e ngjarjeve të kronikës së zezë në këtë fushë”.

Takimi i sotëm ishte organizuar nga BE dhe lançuar nga Gjermania dhe Franca.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura