“Ka cënuar besimin e publikut”/ KPK: Prokurori i Elbasanit dështoi të provonte burimet e ligjshme të pasurisë dhe shpenzimeve

Jan 18, 2022 | 17:49
SHPËRNDAJE

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 16 dhjetor 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Elbasanit, Binas Nina, pasi u konkludua se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se ka cënuar besimin e publikut në disa raste me veprimet e tij në përfitimin e dëmshpërblimeve me qëllim krijimin e të ardhurave fiktive, si dhe në qëndrimin që ka mbajtur për disa çështje të hetuara prej tij.

Screenshot_1

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se Nina ka qenë bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit, por nga ana tjetër evidentohet se kërkesa e subjektit të rivlerësimit për shtyrje të afateve apo seancave kanë lënë përshtypjen e një tentative për zvarritje të procesit të rivlerësimit të tij.

Komisioni ka gjetur probleme shkarkuese në kriterin e pasurisë, ndërsa problemet e identifikuara për figurën dhe profesionalizmin janë konsideruar në vlerësimin tërësor, në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Ashtu si ILDKPKI  që ka konstatuar se Nina ka kryer deklarim të pasaktë për pasuritë dhe se se ka mungesë dokumentacioni ligjor për justifikimin e tyre, Komisioni rendit një sërë gjetjesh që kanë sjellë penalizimin e subjektit. Nga analiza financiare përfundimtare për periudhën 2003-2016 ka rezutuar pamundësi totale për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve në shumën 3.4 milionë lekë.

Të ardhura nga kundërshpërblimet

Në vitin 2007 dhe në deklaratën “veting” subjekti ka pasqyruar të ardhura në shumën 1 milion lekë të përfituara si kundërshpërblim nga shtetasi E.K..

Me anë të një deklarate noteriale të vitit 2007, shtetasi E.K. së bashku me nënën e tij kanë deklaruar se janë pronarë të një trualli në qytetin e Elbasanit, për të cilin kanë marrë leje ndërtimi për një pallat 8-katësh, përbri pallatit në të cilin banon subjekti i rivlerësimit. Sipas deklaruesve, meqënëse subjektit të rivlerësimit që banon në katin e katërt të pallatit përbri do ti shkaktohej dëm me ndërtimin e objektit të ri, janë dakordësuar që Nina të dëmshpërblehej në shumën 1 milion lekë.

Gjithashtu, në këtë deklaratë, subjekti ka deklaruar se ka marrë shumën e sipërcituar dhe se ka hequr dorë nga e drejta e padisë për pengimin e shfuqizimin e aktit administrativ të dhënies së lejes së ndërtimit, që e kishte depozituar në gjykatë së bashku me një fqinj.

Nina ka pretenduar se e ka përfituar dëmshpërblimin për pengesën e dritës nga ndërtimi i ardhshëm, por që nuk rezuton të jetë kryer ende pas 14 vitesh. Gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit, pasi subjekti i rivlerësimit ka hequr dorë, ndërsa paditësi tjetër nuk është paraqitur. I vetmi që ka marrë të ardhura nga këto veprime ka qenë prokurori Nina, ndërsa fqinji nuk ka përfituar asnjë lloj shpërblimi.

Provat që prokurori Nina ka dorëzuar në KPK për të vërtetuar deklarimet e tij lidhur me procesin e dëmshpërblimit, kanë nxjerrë në pah se ai ka përfituar të ardhura për një dëm që nuk i është shkaktuar.

“Nga shqyrtimi i fotove të vëna në dispozicion nga subjekti, duket se ndërtimi i godinës 8- katëshe, ende dhe sot pas kalimit të më shumë se 14 vjet, nuk ka përfunduar, madje dallohet me sy të lirë se ky ndërtim është vetëm 1 kat nga toka”, konstaton Komisioni dhe vlerëson se përfitimi i shumës 1 milion lekë ka qenë një veprim fiktiv, pasi mungon arsyeja apo shkaku real i dëmit të pretenduar në të ardhmen. Ky dyshim është forcuar dhe në faktin se subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë e E.K. për dhënien e shumës 1 milion lekë.

Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se E.K. nuk ka pasur legjitimitet, pasi trualli që fillimisht ka qenë në emër të nënës së tij, është tjetërsuar. Në vendim sqarohet se në momentin e dhënies së vendimit nga gjykata, pronar i truallit nuk ka qenë E.K. apo nëna e tij, por shtetasi A.B., i cili e ka blerë për të kryer investimin. Edhe leja e ndërtimit ka dalë në emër të blerësit të truallit dhe jo për llogari të shtetasit E.K. i cili ka dëmshpërblyer Ninën.

“[…]Ngrihen dyshime se mënyra e përfitimit të këtyre të ardhurave ngjan më shumë me një dhurim apo huadhënie të kamufluar dhe/ose si tentativë fiktiviteti për të justifikuar një të ardhur me burim të ndryshëm, për sa kohë – përpos paqartësisë se cilat kanë qenë parametrat e vlerësimit të dëmit të mundshëm – në këtë marrëdhënie mungon totalisht logjika ekonomike dhe shkaku i mirëfilltë”, vlerëson Komisioni që, bazuar dhe në faktin se Nina nuk ka paguar detyrimet tatimore për këto të ardhura të përfituara, nuk e ka konsideruar shumën 1 milion lekë në analizën financiare.

Nina ka përfituar shpërblim dhe në një tjetër rast. Në deklaratat e viteve 2017 dhe 2018, ai ka deklaruar të ardhura në masat 1.5 milionë lekë dhe 1 milion e 599 mijë lekë për shkaktim dëmi pasuror e jo pasuror nga një shoqëri sigurimesh, të përfituara me një vendim të tetorit 2017 të Gjykatës së Elbasanit.

Nina ka sqaruar për Komisionin se nuk ka pasur dëme materiale, pasi mjeti me të cilin udhëtonte nuk ishte i tij, por ka theksuar se ka pasur dëme shëndetësore pasi i është thyer totalisht krahu i djathtë dhe ka pasur lëvizje të shpatullës, që sipas tij “ka lidhje me shëmtimin”.

“Unë jam trajtuar në Spitalin e Elbasanit. Familjarët e mi kanë përfituar dëmshpërblim sipas ligjit për dëmin moral dhe ekzistencial që kanë pësuar si pasojë e aksidentimit të familjarit të tyre”, ka vijuar ai sqarimet lidhur me shpërblimet nga aksidenti.

KPK vëren mospërputhje midis përcaktimit të humbjes së paaftësisë së përhershme në masën 20 % të preteduar nga subjekti gjatë procesit civil, me atë të pasqyruar në raportin mjeko-ligjor të përmendur në vendimin e prokurorisë për aksidentin në fjalë, ku dëmtimet e Ninës janë klasifikuar si “plagosje e lehtë”.

“[…]Shpjegimet e dhëna nga subjekti i rivlerësimit nuk janë plotësisht bindëse, pasi ato rezultojnë kontradiktore lidhur me masën e dëmtimit të vlerësuar nga ekspertët dhe masën e përfitimit ekonomik nga subjekti, duke ngjasuar më shumë me veprime të cilat janë kryer në mënyrë favorizuese, me qëllim përfitimin e një dëmshpërblimi më të lartë se dëmi i shkaktuar”, citohet në vendim.

Duke mbajtur në vëmendje dëmshpërblimin e pretenduar prej 1 milionë lekësh, si dhe disa transaksione të mjeteve motorrike të konsideruara pa logjikë ekonomike, trupi gjykues konkludon se veprimet dhe qëndrimet e Ninës “përkojnë me përpjekje për të gjeneruar dhe mundësuar vlerësime maksimale të përfitimit të tij, edhe përtej çka mund t’i takonte”.

Nisur nga këto kosntatime, KPK vlerëson se këto veprime të subjektit çojnë në konkluzionin se ai ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Në vlerësimin tërësor për të arritur në konkluzionin e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, janë konsideruar edhe disa rrethana të konstatuara në hetimin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Megjithëse nuk është vërtetuar që subjekti të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, Komisioni vëren se indiciet e informacioneve të klasifikuara për veprimtari të kundërligjshme dhe korrupsion lidhur me dy dosje, mund të konsiderohen të konfirmuara bazuar në dinamikën dhe konkludimin e çështjeve dhe veprimet hetimore e qëndrimet e subjektit – shpjegimet e të cilit për këto raste gjatë hetimit administarativ nuk janë konsideruar bindëse.

Po ashtu, disa problematika të evidentuara në kriterin e profesionalizmit nuk janë gjetur shkarkuese, por janë konsideruar në vlerësimin tërësor./BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura