“Ka bronkit për shkak të duhanit”/ Kardiologu: Pse e neglizhuan mjekët sëmundjen e Enver Hoxhës! Ç’shkruante Nexhmija për dhimbjet që ndiente në gjoks

Jan 27, 2021 | 14:59
SHPËRNDAJE

Kardiologu i njohur, Ahmet Kamberi, pjesë e ekipit special të mjekëve pranë udhëheqësit komunist, Enver Hoxhës, në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë”, del në përfundimin se që nga viti 1965 ka pasur shenja të sëmundjeve koronare, por që nuk është vlerësuar nga mjekët që e ndiqnin atë deri në vitin 1973-shin kur ai iu bashkua këtij ekipi.

enver hoxha ahmet kamberi

Duke parë elektrokardiogramet që i ishin bërë ndër vite Hoxhës, profesor Kamberi arrin në konkluzionin se ato tregonin për probleme me zemrën, ndërsa justifikimi i mjekëve ishte se problemet e lodhjes vinin nga pirja e shumë cigareve gjatë ditës, të cilat kishin dëmtuar bronket.

Sipas kardiologut të njohur, edhe në gusht të 1973- shit pak muaj para se Enver Hoxha të pësonte infarktin, i cili do ta linte disa muaj të izoluar nga puna dhe aktiviteti normal, elektrokardiogramet përsëri tregonin për prani të iskemisë së miokardit, por që edhe kjo nuk ishte vlerësuar nga mjeku personal i liderit komunist, Isuf Kalo.

“U binda se deri në gusht të vitit 1973 ai kishte pasur një anginë të qëndrueshme kraharori. Ajo nuk ishte vlerësuar si e tillë, për më tepër, ngaqë vetë Pacienti ishte mësuar t’i lidhte me duhanpirjen dhe bronkitin. Atij ashtu i ishte thënë. Përveç kësaj, ai kishte bezdi të madhe të shihej nga mjeku. Por nga gushti deri në tetor të 1973-shit ai kishte qenë qartësisht në kushtet e një angine të paqëndrueshme kraharori, me kriza anginore të shpeshta, të cilat kishin ardhur duke u rënduar dhe duke u shfaqur edhe në qetësi ose natën.

Përfundimin e kësaj gjendjeje kardiologët e dinë mirë se si mund të jetë. Kjo ka qenë edhe periudha kur ai ka pasur nevojë për një kujdes mjekësor kardiologjik të afërt”, shkruan profesor Kamberi në librin e tij. Për të përforcuar këtë konstatim të tij, profesor Kamberi sjell në vëmendje pasazhe nga libri i Nexhmije Hoxhës “Jeta ime me Enverin”, kur flitet pikërisht për këto ekzaminime të mjekëve pranë Enver Hoxhës.

AHMET KAMBERI

DY PROBLEMET MADHORE TË SHËNDETIT TË PACIENTIT SËMUNDJA ATEROSKLEROTIKE KARDIOVASKULARE

Që në javët e para, kur fillova punën në ekip (Ekipi Mjekësor i Enver Hoxhës) mora të studioj dosjen e tij mjekësore. Nxora prej andej ndodhitë më të rëndësishme dhe i mbajta shënim. Më tërhoqi vëmendjen se ai kishte pasur shenja të sëmundjes koronare, në formën e shtrëngimeve ose diskomforteve (parehative ose shqetësimeve) të shkurtra të kraharorit që nga viti 1965, por ato ishin interpretuar si shfaqje të “bronkitit”, meqë ai pinte më shumë se 60 cigare në ditë, ose si “ftohje”. M’u kujtua prova e tij ushtrimore në vitin 1967.

Elektrokardiogramet e bëra para dhe pas kësaj prove deri në gusht të vitit 1973, të cilat i shqyrtova me vëmendje, ishin brenda caqeve normale. Por nuk kishte asnjë elektrokardiogram të bërë gjatë ndodhisë së shtrëngimit ose shqetësimit të kraharorit që ai kishte pasur gjatë ecjes më këmbë, sidomos kur e rrihte era ose ishte ftohtë dhe që i ishin shpjeguar si të lidhura me “duhanin”, me “bronkitin” ose me “të ftohtin”. Në më të shumtën ai nuk ia tregonte mjekut këto ndodhi.

Ai e thërriste më kollaj atë për “zuqamin”, kështu e quante ai rrufën bezdisëse, sesa për shtrëngimet e kraharorit. Prandaj në dosjen e tij deri në gusht të vitit 1973 nuk kishte dokumentim të qartë të ankimeve që lidheshin me zemrën. Në atë kohë, elektrokardiogramës i jepej besim më shumë se ç’duhej. Por ishte e qartë se që nga viti 1965 ai kishte pasur anginë kraharori të qëndrueshme, çka mbështetej nga rezultati i provës ushtrimore.

Në fund të javës së dytë të gushtit 1973 (natën midis 12 dhe 13 gushtit) Pacienti kishte pasur një krizë anginë kraharori të fortë dhe kishte kërkuar mjekun e tij, dr. Isuf Kalon. I kishin regjistruar edhe një elektrokardiogram. Në atë kohë unë ndodhesha me shërbim në njësinë e Klinikës Speciale të plazhit, Durrës. Rreth orës një pas mesnate më pati ardhur Isufi, i cili më tregoi elektrokardiogramin e saporegjistruar, pa më thënë se kujt i përkiste.

Ajo kallëzonte në mënyrë të qartë praninë e iskemisë së miokardit. Unë thjesht i pata thënë Isufit se ajo elektrokardiogram fliste për një problem serioz të arterieve të zemrës dhe se duhej trajtuar në mënyrën e duhur. Të nesërmen vura re ardhjen e prof. Fejzi Hoxhës, prof. Nikolla Shurbanit, dr. Hajro Shytit dhe dr. Ylli Popës. Nuk pata marrë vesh se çfarë kishte ndodhur, por mbaja mend se ditën tjetër Pacienti u largua nga Durrësi dhe kishte shkuar në Malin e Dajtit.

Në dosje ndodhej si shënimi i konsultës mjekësore të 13 gushtit, ashtu edhe shënimi i mjekut pas një krize angine kraharori duke ecur në rrugicat e pyllit në Dajt. Elektrokardiogrami i bërë menjëherë pas kthimit në vilë fliste për iskemi miokardi.

Pas kthimit në Tiranë, në dosjen e tij nuk kishte shënime për ndonjë ndodhi të përfillshme deri më 16 tetor 1973, kur ai pati pësuar infarktin akut të miokardit dhe qe vënë nën një ndjekje mjekësore të përforcuar, siç e kam përmendur më sipër. Mbi bazën e këtyre të dhënave, unë krijova opinionin tim për ecurinë e sëmundjes së tij aterosklerotike kardiovaskulare.

Retrospektivisht, gjendja kardiovaskulare e Pacientit në gjysmën e dytë të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70 m’u kthjellua tërësisht kur lexova librin e Nexhmijes “Jeta ime me Enverin, kujtime 2”, ku mësova gjëra që nuk kisha nga t’i dija atëherë. U binda se deri në gusht të vitit 1973 ai kishte pasur një anginë të qëndrueshme kraharori. Ajo nuk ishte vlerësuar si e tillë, për më tepër, ngaqë vetë Pacienti ishte mësuar t’i lidhte me duhanpirjen dhe bronkitin. Atij ashtu i ishte thënë.

Përveç kësaj, ai kishte bezdi të madhe të shihej nga mjeku. Por nga gushti deri në tetor të 1973-shit ai kishte qenë qartësisht në kushtet e një angine të paqëndrueshme kraharori, me kriza anginore të shpeshta, të cilat kishin ardhur duke u rënduar dhe duke u shfaqur edhe në qetësi ose natën. Përfundimin e kësaj gjendjeje kardiologët e dinë mirë se si mund të jetë.

Kjo ka qenë edhe periudha kur ai ka pasur nevojë për një kujdes mjekësor kardiologjik të afërt. Ky kujdes do t’i sigurohej atij vetëm pasi pësoi infarktin në zemër. Megjithatë, mjetet që kishte mjekësia e asaj kohe ishin shumë më të pakta se ato që ajo ka sot. Për më tepër, në Shqipëri nuk kishte filluar të bëhej koronarografia. Mjekët që i shërbyen atij gjatë ndodhisë së infarktit e shfrytëzuan këtë rast për të propozuar ngritjen e repartit të reanimacionit pranë Shërbimit të Kardiologjisë në Spitalin nr. 1, Tiranë, si edhe ndërtimin e spitalit kardiokirurgjikal, ndërkohë që Klinika Speciale e kishte Njësinë e saj të Kujdesit Intensiv, por ajo nuk u shfrytëzua për këtë rast. Vila ku ai u ndodh kur u sëmur, brenda rrethimit të parkut të Pallatit të Brigadave, mundësonte edhe ruajtjen e sekretit për sëmundjen e tij.

Çdokush që lexon librin e Nexhmijes, do ta kishte fare të qartë çfarë thashë këtu më sipër, sepse ajo i përshkruan ndodhitë e tij shëndetësore në mënyrë të tillë që do ta kishin pasur zili edhe pedagogët që u shpjegojnë studentëve të mjekësisë karakteristikat klinike të anginës së kraharorit dhe të përfundimeve të saj. Njëherësh, ajo shpjegon mënyrën se si i perceptonin Pacienti dhe ajo vetë këto ndodhi shëndetësore, për të cilat duhej kërkuar kujdesi mjekësor dhe jo të shihej si bezdi.

JA SI I PËRSHKRUAN AJO KËTO NDODHI:

“Shqetësimet e para të zemrës Enveri i ndjeu në verën e vitit 1973, në formë stenokardie, shtrëngime në gjoks. Të tilla shtrëngime por më të lehta e të kalueshme brenda një kohe të shkurtër ai i kishte ndjerë edhe ndonjë vit më parë. Meqë në elektrokardiogram (EKG) nuk dilnin shenja jonormale, mjeku këto shtrëngime i shpjegonte me pirjen e tepruar të duhanit, që i shkaktonte Enverit njëfarë vështirësie në frymëmarrje dhe shtrëngime në gjoks, gjatë shëtitjeve, sidomos kur e rrihte era, ose kur bënte shumë ftohtë”. (Nënvizimi është imi).

Krizën e fortë në mes të gushtit ajo e përshkruan kështu: “Ishte fundi i korrikut kur një ditë u zgjua nga një dhembje në gjoks. I thashë të kërkonim doktorin. Në fillim nuk desh se ishte ora një pas mesnate, por kur pa se shqetësimi nuk po kalonte, më në fund pranoi që të vinte mjeku i tij personal, Isuf Kalo. Ky flinte në mjediset e oficerëve shoqërues, i bëri një EKG, por edhe kjo nuk dha ndonjë shenjë shqetësuese”. (Nënvizimi im).

Në të vërtetë, elektrokardiogrami për të cilin ajo bën fjalë, është ajo që Isufi ma pat treguar mua, siç e kam thënë më sipër. Ajo nuk ishte normale dhe tregonte qartësisht praninë e iskemisë së miokardit. Përshkrimi që Nexhmija i bën gjendjes së Pacientit gjatë qëndrimit në Dajt është me të vërtetë mbresëlënës:

“Pasi përcollëm miqtë aty nga ora 16, Enveri tha: ‘Koha për të fjetur pak, iku. A bëjmë një shëtitje nëpër ato rrugica te pyllit?’. Unë nuk ia prisha, megjithëse dëshiroja që ai të shtrihej ca për të pushuar, siç bënte pas drekës çdo ditë, duke fjetur nja një orë. Dhe dolëm për nga pylli. Nuk kishim ecur as dhjetë minuta, kur ai u ndal papritur. ‘Ulemi pak te ky shkëmbi këtu, – më tha, – se po ndjej një si shtrëngim në gjoks…’. U ulëm aty, por mua më hipi shqetësimi. Ashtu e mërzitur i thashë: ‘U lodhe shumë sot, fole gjatë, edhe cigare pive shumë. Edhe pasdreke nuk pushove fare…’.

Ai vetëm tundte kokën në shenjë pohimi për ato që po i thosha. Deri në këtë kohë unë nuk dija asgjë se si shfaqeshin dhembjet në zemër. Siç thashë më parë, këto shtrëngime zemre që kishte ndjerë Enveri, mjekët ia vishnin pirjes së duhanit. Megjithatë, shqetësimi im po rritej. Ndenjëm aty pak, sa Enveri u çlodh dhe dhembja dalëngadalë i kaloi. Unë prisja të më thoshte ‘vazhdojmë shëtitjen’, por ai tha: ‘Kthehemi në shtëpi’. Kjo nuk m’u duk shenjë e mirë. Enveri e kishte qejf shëtitjen në ajrin e pastër e të freskët të pyllit. Por fakti që u kthyem tregonte se ai nuk ndihej mirë. Menjëherë fola me mjekun për gjithçka ndodhi dhe ai kërkoi të bënte EKG-në që në atë çast.

Aty për herë të parë mjeku konstatoi se kishte të bënte me një stenokardi. Ai i dha Enverit një shishe të vogël me disa kokrra trinitrinë dhe i tha që sa herë të ndjente dhembje, të vinte një kokërr nën gjuhë, në qoftë se shtrëngimet kalonin, kjo do të thoshte se dhembjet kanë lidhje me zemrën. Kështu, në xhepin e jelekut të Enverit, ku gjendej përherë një kuti e vogël me dy peta sheqeri, që i mbante kundër hipoglicemisë (rënies së sheqerit), u shtua edhe kjo shishe me trinitrinë.

‘Në Dajt ndenjëm edhe dy ditë dhe u kthyem në Tiranë, por jo në shtëpinë tonë të vogël e modeste… Kur u kthyem nga pushimet, Enveri filloi rregullisht punën. Deri në tetor nuk pati ndonjë dhembje shqetësuese, përveç një shtrëngimi që ndjente në gjoks, sa herë ngjiste shkallët, pas ngrënies së drekës, për në katin e dytë, ku pushonte një orë e pak, për të vazhduar pastaj punën e pasdites, sipas planeve që kishte”.(Nënvizimet janë të miat).

Ajo e quan të qetë periudhën e kthimit nga Dajti në Tiranë. Por kjo nuk mund të konsiderohej aspak e tillë, sepse ai ndiente një shtrëngim në kraharor “sa herë ngjiste shkallët, pas ngrënies së drekës, për në katin e dytë”. Pra, ai kishte anginë kraharori tipike, përditë, duke ngjitur shkallët e katit të dytë, menjëherë pas ngrënies së drekës.

Më tutje ajo tregon ecurinë e anginës së paqëndrueshme të kraharorit drejt njërit nga përfundimet e saj të natyrshme. Kjo anginë, siç e kam thënë më sipër, kishte nisur natën e 13 gushtit 1973 dhe kishte marrë pastaj karakter progresiv. Tregimi fillon me natën e koncertit që jepej për nder të 65-vjetorit të lindjes së tij:

“Këtu po nënvizoj faktin se Enveri emocionohej lehtë nga një takim a bisedë e ngrohtë, nga një muzikë e bukur e deri nga recitimet e fëmijëve. Atë natë, në lozhë, unë isha disa karrige larg tij, por me bishtin e syrit pashë që në një moment futi nën gjuhë një trinitrinë. Kur mbaroi koncerti dhe u nisëm për në shtëpi, i tha shoferit: ‘Ec me ngadalë dhe evito gropat’. Dukej që ndjente dhembje. I thashë: ‘Merre edhe një trinitrinë tjetër’. Ai, duke buzëqeshur, më tha: ‘Ku më pe ti?!

Sa u mundova ta marr fshehurazi! Në shtëpi i bënë EKG dhe u dukën shenja të stenokardisë. Të nesërmen kishte pritje të grupeve nga organizatat e partisë, ato të masave, të institucioneve shtetërore, kulturore etj., për urimet e rastit”. (Nënvizimet janë të miat).

Nuk mund të thuhet se këmbëngulja, në qoftë se ka pasur një të tillë, për ta ndaluar atë të angazhohej në veprimtaritë zyrtare të ditës së nesërme ka qenë bindëse për rrezikun e madh që po i paraqitej. Ishte në natyrën e tij që të mos pranonte asnjë lloj këshille, e cila nuk shoqërohej me argumente bindëse. Por, kur ai bindej, bëhej shumë i disiplinuar dhe bashkëpunues.

Dhe Nexhmija do të vinte në përfundimin e përpiktë, përfundimin e natyrshëm të anginës së paqëndrueshme të kraharorit:

“Pas kësaj ai hëngri dhe fjeti. Të nesërmen gjatë pritjes në një sallë të KQ-së ai ka qenë i detyruar të takonte shumë njerëz, të bisedonte e t’i falënderonte. Madje atij i ishte propozuar të anulonte takimet, por nuk kishte pranuar. Pas kësaj ai u kthye në shtëpi dhe atë pasdite ai pësoi infarktin akut të miokardit, fundi i një procesi që kishte nisur që në gushtin e atij viti në Durrës”

Infarkti në zemër që pësoi atë ditë u ndërlikua me aritmi dhe prishje akute të funksionit të zemrës. Grupi i mjekëve që drejtuan kujdesin e tij mjekësor, dr. Hajro Shyti, prof. Nikolla Shurbani, dr. Ylli Popa, prof. Fejzi Hoxha dhe dr. Isuf Kalo, së bashku me ekipin e mjekëve kinezë, u përballën me situata të vështira, të cilat i kapërcyen. Ai u mbajt në shtrat dhe në kushte të një kufizimi të rreptë të aktivitetit fizik për disa muaj. Kur e mori veten, rifilloi aktivitetin e tij.

Jo vetëm në vitet ’70, por edhe në gjysmën e parë të viteve ’80, të kaloje një infarkt akut në zemër, qoftë edhe të pandërlikuar, konsiderohej katastrofë. Kjo nuk ishte e tillë vetëm për njeriun e zakonshëm, por edhe për vetë mjekësinë, e cila nuk ishte shkëputur ende nga mendësia tradicionale dhe i mbante të sëmurët me infarkt miokardi, të paktën dy muaj të shtruar në spital. Në Shqipëri të sëmurët e shëruar nga infarkti, pasi dilnin nga spitali, merrnin një pushim mjekësor 6-mujor. Më pas ata i referoheshin KEMP-it për invaliditet, grupi dhe kohëzgjatja e të cilit përcaktohej në varësi të sëmundjes dhe aktivitetit të mëparshëm të të sëmurit. Në ato vite infarkti akut i miokardit nuk ishte një ndodhi e zakonshme, siç është sot. Prandaj dalja në punë e Enver Hoxhës pas shërimit të infarktit.

Nuk ishte një gjë që merrej lehtë me mend. Këto mund të kenë qenë edhe arsyet që i çuan dy sekretarët e KQ-së të Partisë së Punës, Hysni Kapo dhe Haki Toska, të merrnin vendimin e brendshëm për krijimin e Ekipit Mjekësor për Enver Hoxhën, për të cilin po bëjmë fjalë

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura