“Ka bërë komente provokuese, por nuk ka mbështetur gjakderdhjen”- Akademia suedeze mbron vendimin për Nobelin ndaj Peter Handkes

Oct 17, 2019 | 16:38
SHPËRNDAJE

Akademia Suedeze i doli në mbrojtje vendimin e saj për t’i dhënë çmimin Nobel për letërsinë për vitin 2019, shkrimtarin austriak Peter Handke. Sipas Akademisë ai ka bërë komente provokuese, por nuk ka mbështetur gjakderdhjen.

Vendimi për t’i dhënë zotit Handke çmimin është pritur me kritika, përfshirë këtu edhe nga të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës të vitit 1995 të cilët kanë bërë thirrje që akademia të anulojë vendimin e shpallur javën e kaluar.

ace68940-66b8-4d5a-9fef-eb173d1d88a6_w1023_r1_s

Në vitin 2006 zoti Handke kishte mbajtur një fjalim në funeralin e udhëheqësit të ndjerë serb Slobodan Milosevic, i cili vdiq në paraburgim në pritje të procesit gjyqësor në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, lidhur me rolin e tij në luftërat në Ballkan në vitet 1990.

Peter Handke kishet shprehur gjithashtu mbështetje për udhëheqësit serbë të Bosnjës Radovan Karadzic dhe Ratko Mladic, të cilët u dënuan për genocid si dhe vrasje të më shumë se 8 mijë burrave e djemve myslimanë në eklavën e Srebrenicës të mbrojtur nga OKB.

Në një artikull të botuar të enjten në të përditshmen suedeze

“Dagens Nyheter”, drejtuesi i Akademisë Suedeze Mats Malm pranoi se zoti Handke kishte bërë “komente provokuese, të papërshtatshme e të paqarta”.

Por ai tha se autori i “The Goalie’s Anxiety at the Penalty Kick” dhe “Slow Homecoming ” nuk ka mbështetur gjakderdhjen dhe se e kishte dënuar qartë masakrën e Srebrenicës.

Akademia nuk ka gjetur asgjë në shkrimet e tij që përbën një sulm ndaj shoqërisë ose ndaj respektimit të barazisë së të gjithë njerëzve”, ka shkruar zoti Malm.

Akademia citonte një artikull të viti 2006 në gjermanisht të botuar në gazetën “Suddeutsche Zeitung” në të cilën Peter Handke shkruante se Masakra e Srebrenicës ishte krimi më i rëndë kundër njerëzimit që Evropa ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në vitin 2018 Akademia u detyrua të shtyjë dhënien e çmimit për letërsinë pas një skandali që çoi në dënimin për përdhunim të bashkëshortit të një prej anëtareve të Akademisë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka akuzuar Akademinë për “zhvleftësimin e çmimit” duke ia dhënë atë Peter Handkes

dhe “duke bërë një skandal tjetër që do ta dëmtojë reputacionin e Akademisë për dekadat e ardhshme”, siç shkruante ai.

Vendimi i Akademisë është kritikuar gjerësisht në Shqipëri dhe Kosovë ku rreth 10 mijë shqiptarë janë vrarë si dhe rreth 1 milion u detyruan të largohen gjatë luftës së vitive 1998-99 zhvilluar nga forcat e Millosheviçit.

Munira Subasic, presidente e shoqatës Nënat e Srebrenicës

e cila përfaqëson të mbijetuarit e masakrës së 1995-s, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se vendimi i Akademisë Suedeze ishte “i turpshëm”./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura