Ka ardhur koha për një Panteon Kombëtar

May 21, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE

SHPËTIM IDRIZI

   Ku duhet të varrosen eshtrat e Isa Boletinit? Në kullën e tij, apo në Vlorë, pranë varrit të babait tjetër të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit? Apo ka një zgjidhje tjetër, përfundimtare, ajo e grumbullimit të të gjitha figurave të mëdha të kombit në një lloj Panteoni kombëtar, në Tiranë, si banesa e fundit e tyre? Nuk pretendoj se kam monopolin e së vërtetës në lidhje me këtë çështje, ndaj si në një bisedë të qetë po i hedh dhe po i pres të gjitha argumentet pro dhe kundër një ideje të tillë dhe gjithë ideve alternative.
Nëse do ta mendonim opinionin publik të Shqipërisë dhe Kosovës si një të vetëm, atëherë ka një çështje që po krijon sot një farë debati. Është ajo e rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit, njëlloj babai të kombit shqiptar, krahu i armatosur i Lëvizjes për pavarësi, organizator i disa kryengritjeve në disa pjesë të viseve të banuara nga shqiptarët.
Një pjesë e opinionit publik, që vjen nga Kosova, e quan të drejtë rivarrosjen në varrezën familjare, në kullën e Boletinëve, territor që gjendet sot në Kosovën veriore. Ka shumë argumente pro kësaj zgjedhjeje: tradita familjare, me gjasë një lloj amaneti që duhet të ketë lënë vetë ai, heroi ynë kombëtar. Duket logjike dhe nevoja që në atë pjesë të territorit të Kosovës të ketë një monument shqiptarësie, për ta theksuar përkatësinë kosovare, apo sovranitetin e Kosovës, atje, nëpërmjet një monumenti të një figure që njihet botërisht si hero i shqiptarizmit. Kundër kësaj zgjidhjeje, pro së cilës flasin një pjesë e familjarëve, disa figura politike të Kosovës, si Haradinaj, Pacolli, disa drejtues të LDK-së etj., ka një argument kryesor, përveç vështirësive të lëvizjes për gjithë shqiptarët në atë zonë. Bashkësia ndërkombëtare mund të ketë imponuar shmangien e një krize të re në një zonë të Kosovës, që është shumë sensitive. Organizimi i një ceremonie, prania e shumë zyrtarëve të lartë të Kosovës, e FSK-së, pelegrinazhi i shqiptarëve mund të krijonte një atmosferë shpërthyese për stabilitetin ndëretnik. Ndoshta dhe pas ngjarjeve të Kumanovës, e gjithë kjo ngjan e justifikuar.
Një delegacion i Kosovës me familjarë të Isës sonë, me në krye Hashim Thaçin, që takoi Kryeministrin tonë, e paraqiti si kërkesë të tij, pra të Edi Ramës, atë për varrosjen e eshtrave të tij pranë varrit të Ismail Qemalit në Vlorë. S’kemi arsye të dyshojmë se ka ndodhur kështu. Vlora është një qendër e pelegrinazhit kombëtar Ditën e Flamurit. Aty vijnë më 28 Nëntor nga të gjitha viset e Shqipërisë. Simbolika e dy figurave të Pavarësisë, dy miqve të mëdhenj që vinin njëri nga Kosova dhe tjetri nga Vlora, është më e plotë kështu. Si deputet i Vlorës për një legjislaturë, i lidhur shpirtërisht me atë krahinë, edhe mua do të më pëlqente një gjest i tillë.
Por asnjë zgjidhje nuk është perfekte, përveç njërës, që unë mendoj se i zgjidh në mënyrë përfundimtare dilemat si kjo e rivarrimit të Isa Boletinit. Pse vallë varri i Skënderbeut duhet të jetë në Lezhë ku vdiq dhe jo ku lindi, dhe pse jo në Tiranë? Po vëllezërit Frashëri pse janë në Tiranë? Pse Hasan Prishtina, një figurë tjetër e madhe e disa periudhave, jo vetëm e Pavarësisë, por e Rilindjes, apo e qeverive të para shqiptare të jetë në Kukës? Po Hoxha Tahsini, Hoxha i madh, çami ynë, themeluesi i shkencës moderne turke, pse të mos jetë dhe ai në Tiranë? Ka dhe plot figura të tjera të mëdha, që s’po i përmend këtu, që i kanë varret të shpërndara në gjithë territorin e Republikës sonë, apo jashtë saj.
Duke e ndier mungesën e një logjike në këtë shpërndarje, duke parë shembullin e vendeve të civilizuara, ë në programin e parë të PDIU-së ne kemi propozuar idenë e Panteonit tonë kombëtar në Tiranë. Skënderbeu duhet të jetë pranë Ismail Qemalit, vëllezërve Frashëri, pranë Isa Boletinit, pranë Hasan Tahsinit dhe Hasan Prishtinës, Fan Nolit dhe Faik Konicës etj. etj. Një Panteon i madh do të ishte monumenti kryesor i kombit në një shesh qendror në Tiranë, e pse jo në vend të Piramidës së diktatorit. Ajo do të ishte pikë pelegrinazhi për të huajt që na vizitojnë, por edhe për brezat e rinj. Jo diçka grandomane si sheshi i statujave të Shkupit, por diçka përbashkuese e gjithë figurave që do të lidhte periudhat e ndryshme të historisë, viset tona të ndryshme kombëtare në një shtëpi të vetme të përjetshme të heronjve tanë. Ne si PDIU do të vazhdojmë të insistojmë që të bindim mbarë klasën tonë politike shqiptare për një zgjidhje kaq gjithëpërfshirëse, që do fashiste çdo lloj polemike si kjo që po karakterizon çështjen e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, apo të tjera të ngjashme.
   Dhe një moment tjetër në fund. Ky monument do të ishte simboli kryesor i kujtesës sonë kombëtare, por kjo kujtesë ka nevojë për një itinerar të dokumentuar të veprave të këtyre heronjve për pavarësi, përparim dhe paqe. Ka ardhur koha që të sillemi me respekt ndaj këtyre veprave duke vendosur pllaka të thjeshta, dhe nesër monumente, apo shtëpiza-muze me përshkrim skematik video a audio të këtyre betejave apo pikëtakimeve të historisë kudo ku ka një gjurmë të tyre. Le të nisë që nga fushëbetejat e Skënderbeut deri në udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës. Për të vazhduar më tej me momente të tjera historike. Ky jetësim, kjo shkarkesë elektrike në kujtesën tonë kombëtare s’do të ishte vetëm nderim për heronjtë dhe veprat, por edhe ushqim i prekshëm për brezat e rinj. Dhe më në fund do të mbetej si një listë etapash në udhëtimin e turistëve të huaj në një vend të vogël si ky yni, ku dielli është njëlloj si në vende të tjera, por ku historia është e veçantë për sakrificat, theroritë, por edhe për nga dendësia e konsumimit të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura