“Ka aparat fotografik në syrin fals”- Akuzat e Sigurimit për babain e Ilia Lekës: Sa herë vinin delegacione të huaja si Hrushovi dhe Çu En Lait, i thonin mos dalësh nga shtëpia

Aug 19, 2022 | 18:33
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI/Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjinë nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës. Familja e Ilia Lekës nga viti 1945 jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i zbulimit grek”.

Ilia Leka-syri-sigurimi

Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë dhe arratisja e Ilias, së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku iu kërkonte që ta nxirrnin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e djalin, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.

Grevë, e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes dy vendeve, pasi sensibilizoi jo vetëm Parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultranacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote, me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte dhe të deklaronte publikisht: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.

Zoti Ilia, a mund të na thoni si dhe përse filluan për herë të parë problemet e familjes suaj me regjimin komunist të Enver Hoxhës?

Familja e babait tim ka jetuar në fshatin Glinë të Gjirokastrës, prej nga është dhe origjina jonë, e cila është zonë e minoritetit grek. Në periudhën e luftës, babai, Theodhori, apo Dhosi siç e thërrisnim ne, ka qenë vullnetar me partizanët dhe ai është plagosur në 2 gusht të 1943. Nuk u mor vesh se kush e qëlloi, se luftë ishte, por ka qenë duke ndihmuar partizanët, kur e kanë plagosur dhe këtë gjë e ka ditur gjithë fshati. Në vitin 1944, iku vëllai i tij më i vogël, Jorgo, që ishte vetëm 13 vjeç dhe doli në Greqi. Atëherë ishte luftë dhe nuk merrej vesh se kush hynte dhe kush dilte nga kufiri, që në e kishim shumë afër, kështu që ikja e tij nuk i shkaktoi asnjë problem familjes së babait. Problemet filluan menjëherë pas mbarimit të luftës në vitin 1945, kur iku vëllai tjetër i babait, Anastasi apo Tasho Leka si e thërrisnin, pra, duke u arratisur për në Greqi, gjithmonë aty nga fshati ynë që kufiri ishte shumë afër dhe nuk kishte asnjë pengesë.

memorie

Në ç’rrethana u arratis xhaxhai juaj?

Vëllai i babait, Tasho, që u arratis gjatë luftës, ishte vetëm 15 vjeç dhe ishte sekretar rinie për komunistët. Pas lufte, diku aty në fshat, ai gjeti një pushkë të vjetër që e kishin hedhur se nuk bënte dhe luante me të. Por, se kush e spiunoi një nga ata të Partisë dhe më pas atë e thërrasin në Jorgucat duke e marrë në pyetje, jo ku e gjete, jo ku s’e gjete, kush ta dha etj. Në fillim kur ia gjetën pushkën e vjetër, nuk i thanë gjë, por kur erdhi aty një funksionar policie nga Gjirokastra, Jonuz Abdullai quhej ai, e pyeti vëllanë e babait, si e ke emrin ti, dhe kur ai i tha “Tasho Leka”, atëherë e morën dhe e rrahën shumë, e torturuan aq shumë sa volli gjak nga goja.

Pse e torturuan?

Po e torturuan sa e morën vesh se ishte vëllai i Jorgos, që kishte ikur në Greqi pa mbaruar Lufta.

Ç’ndodhi më pas me Tashon, si mundi të arratisej ai?

Pasi e rrahën barbarisht në Jorgucat, Tashon e lanë të lirë se nuk kishte bërë gjë dhe se ajo pushkë që kishte gjetur nuk bënte, ishte e hedhur, por nga frika ai vendosi që të arratisej, pasi mendonte se do ta merrnin prapë atje ku e kishin rrahur. Në atë kohë, në rrethin tonë të Gjirokastrës, nga varfëria në vend të këpucëve, ne kishim patiqe, d.m.th., çorape me llastiqe poshtë, dhe Tasho vajti te një kushërirë e babait për t’ia qepur ato, por ajo nuk ia qepi. Dhe ai iku zbathur në Greqi, me ato patiqe të shqepura ku gishtat dhe shputat e këmbës më shumë i kishte jashtë. Dhe nuk zgjati shumë nga arratisja e tij në 1945-ën, sepse në 1951-in bënë vendim që të na internonin.

Para se të dalim tek internimi i familjes suaj, deshëm t’ju pyesim lidhur me disa dokumente që janë nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ka deklarata të ndryshme që thuhet se: Theodhori Leka dyshohej si agjent i Zbulimit Grek dhe se që nga 1945 e më pas, ka hyrë e ka dalë disa herë në Greqi, ka pasur lidhje me dy vëllezërit e tij të arratisur, Jorgon dhe Anastasin, apo ka ndihmuar persona të tjerë që të arratiseshin nga Shqipëria në Greqi, gjë e cila bëri që ai të arrestohej pas disa vitesh kur ju ishit të internuar në Kolonjë të Lushnjës. Si qëndron e vërteta rreth këtyre akuzave që gjenden në ato dosje që ju na i keni vënë në dispozicion?

Si fillim desha t’ju them se: Sigurimi i Shtetit ka shkruar aty si ka dashur dhe çfarë ju ka ardhur për mbarë atyre. Me dy vëllezërit e arratisur, Jorgon dhe Tashon, familja e babait tim ka pasur lidhje vetëm me letra, një herë në dy vjet, ose në tre vjet, jepnim e merrnim letra me ta.

Në Greqi ka shkuar babai juaj në atë kohë?

Patjetër që ka dalë, meqë babai nuk dinte shqip, në vitet 1947-‘48 ai shkonte në fshatrat grekë përtej kufirit edhe për të blerë ndonjë gjë. Dhe jo vetëm babai im, por të gjithë nga ajo zonë iknin, se deri në atë kohë në mal nuk kishte klon kufiri dhe hynin e dilnin lirshëm. Ata shkonin fshehurazi atje, sepse në 1955-ën u vu për herë të parë kloni. Po dhe për të ndihmuar duhet të ketë ndihmuar njeri për të dalë në Greqi, se kishte plot që ikin pasi i priste arrestimi dhe ai i ndihmonte ata për të dalë. Jo vetëm babai im, por ka pasur plot nga fshati që ndihmonin këta që donin të arratiseshin për të dalë në Greqi, për të mos rënë në duart e Sigurimit të Shtetit që i ndiqte.

Kjo ishte arsyeja që ju internuan juve në fshatrat e Lushnjës?

Jo, nuk ishte kjo arsyeja kryesore, pasi siç ju thashë në atë kohë iknin të gjithë fshehurazi se nuk kishte klon dhe dalja në Greqi aty në afërsi të fshatit tonë nuk përbënte asnjë vështirësi. Por ne na internuan, pasi ata të Sigurimit të Shtetit, thoshin se dy vëllezërit e babait, Jorgo me Tashon, do vinin fshehurazi në fshat për të na marrë ne të gjithëve dhe do të na çonin në Greqi ku jetonin ata. Dhe fshati firmosi që: ‘Të dy vëllezërit e babait, do të vijnë nga Greqia, dhe do të na marrin neve’. Pas kësaj, u mor vendimi për internimin tonë, pra, duke pasur frikë se do vinin dy vëllezërit e babait për të na marrë dhe për të na çuar në Greqi, gjë e cila ishte një sajesë e përhapur me qëllim nga këta të Sigurimit të Shtetit, siç bënin zakonisht për të justifikuar punën e tyre, ose për t’i paraprirë një gjëje që ata mendonin se mund të ndodhte.

Si e kujton internimin e familjes suaj nga Glina në fshatrat e Lushnjës, ju keni qenë i vogël dhe normalisht s’e mbani mend, por si jua kanë treguar prindërit tuaj?

Në prillin e vitit 1951, pra, disa vjet pas arratisjes së vëllezërve të babait, ne si familje na marrin me një karrocë, dhe na çojnë në Savër, sepse ishte marrë vendimi i internimit për ne.

Nga sa pjesëtarë përbëhej familja Leka në atë kohë që u internuat në Savër?

Isha unë, babai, nëna, vëllai i vogël, vëllai i babait dhe halla. Mua më morën të vogël në djep.

Çfarë ju lanë të merrnit me vete nga shtëpia që kishit në Glinë?

Asgjë, me rrobat e trupit dhe ndonjë gjë e futëm në çanta apo strajce që kishim atëherë, pra, çfarë mund të mbanim në krahë prindërit, se ne ishim të vegjël. Një miku ynë, Muço Kalo, erdhi në këmbë nga Gjirokastra dhe na solli bagëtitë neve atje, se pa to do kishim vdekur urie.

Si ju pritën Savër?

Myzeqarët na pritën mirë se ata ishin njerëz shumë të mirë dhe shumë të butë, por Sigurimi i Shtetit bëri shumë të këqija, sidomos nga 1967-ta me luftën e klasave.

Sa kohë qëndruat në Savërm ku ju u vendosët fillimisht?

Më pas, nga Savra ne na çuan në Rrapëz. Atje ishte një kasolle përdhese me rrogoz dhe kallama. Atje unë vajta në shkollë në Halilaj. Më pas nga aty, na çuan në Gjoras, tek aneksi i Sali beut. Ata të Këshillit Popullor, që Saliu i thoshin se na ka pirë gjakun, organizuan një mbledhje për ta demaskuar dhe e morën duke e hipur në gomar për së prapthi dhe e qëllonin. Mirëpo, para se të ndodhte kjo, pasi na lajmëruan përpara se çfarë do të ndodhte me të, babai më tha që: “Ti të mos e qëllosh, në asnjë mënyrë”.

Ku e sistemuan me punë familjen tuaj, e futën në kooperativë bujqësore?

Në kooperativë u futën ata që nuk punonin dot privatisht në tokat e tyre. Në atë kohë që po organizoheshin këto kooperativat, mua më tha një djalë nga Gjirokastra, se: në një mbledhje, kishin thënë se kush ka lopë, dele, etj., do t’i vetofrojnë në kooperativë. Por një grua kishte thënë: “Çfarë do të jepni ju, ju s’keni asnjë gjë”?!. “Epo…, ata që nuk kanë asnjë gjë, ata do qeverisin sot”, ia kishin kthyer në atë mbledhje. Atje ku u vendosëm, xhaxhai im punonte në fermë, ndërsa edhe babai, Dhosi, ndihmonte xhaxhain, te kujdesej për derrat. Nëna ime ishte rrobaqepëse, dhe qepte rroba me kallëpe letre. Nga këto punë që bënim, si dhe me bagëtitë që kishim e ndonjë bletë, ne jetonim shumë e shumë më mirë se ata fshatarët myzeqarë vendas. Dhe sot them: i lumtë dora atij që firmosi internimin tonë, pasi atje, për ironi të fatit, ne jetonim më mirë, sepse merreshim gjithë ditën me bagëti, dhe nuk na mungonte asnjë gjë. Dhe jua them me bindje të plotë, që po të ishim në Gjirokastër, nuk do të jetonim ashtu siç jetuam në Lushnje, por nuk na linin rehat këta të Sigurimit të Shtetit.

Përse, çfarë ju bënin?

Po, nisur nga ajo që ne vinim nga një zonë kufitare dhe po ashtu për faktin që dy vëllezërit e babait ishin jashtë dhe quheshin të arratisur politik, ne ishim të gjithë kohën në vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit. Kështu, sa herë vinin delegacione të huaja, si p.sh. kur erdhi delegacioni i Hrushovit dhe Çu En Lait, e ndalonin babanë tim, dhe i thoshin tri ditë para: nga e premtja, deri në të hënën, të mos dalësh nga shtëpia, izolim. Edhe kështu detyrohesha unë të shkoja me bagëtitë, ato nja 10-15 kokë dele që kishim.

Ankohej dhe fliste babai juaj, Dhosi, në familje lidhur me regjimin komunist?

Babai im nuk fliste se ishte shumë i kujdesshëm, por, të them të drejtën, atë sistem nuk e ka dashur kurrë. Se po ta donte, do të ishte me Sigurimin e Shtetit dhe nuk do të ishte arrestuar dhe të përfundonte në burg, siç përfundoi ai dhe ne të tjerët që hoqëm gjithë ato vuajtje, deri sa u detyruam të arratiseshim nga Shqipëria.

Kur dhe pse ndodhi arrestimi i babait tuaj?

Babanë e arrestuan në 22 janar të vitit 1978, por ai ndiqej prej kohësh dhe këtë gjë ne e kemi parë dhe në dokumentet që kemi marrë në Tiranë tek Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku janë me qindra fletë ku flitet qartë se si dhe prej sa kohësh është ndjekur babai nga Sigurimi. Atje është e përshkruar me hollësira se çfarë kanë bërë ndaj babait tim dhe atë libër (pasi siç e shihni ne e kemi lidhur si libër), duhen ditë të tëra që ta lexosh, çfarë t’ju them më parë, shikojeni vetë, ja ku e keni, kjo kopje është për ju.

Si e kujtoni arrestimin e babait?

Kur e arrestuan babanë, ishte Skënder Korriku hetues, ndërsa Kristaq Pleqi, Operativ i Sigurimit. Ata shkuan në Manastirin e Ardenicës, atje ku ishte babai im me dele dhe e arrestuan. Babai im ishte gati 2 metra i gjatë dhe atë e pa i gjithë fshati Kolonjë me pranga në duar kur e arrestuan. Qëllimi ishte që të frikësoheshin të tjerët, pra, që të terrorizonin fshatin që të mbyllnin gojën dhe të ulnin kokën e të shikonin vetëm belin e lopatën që punonin gjithë ditën në bujqësi. Në atë kohë, në 26 rrethet e Shqipërisë, ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, u kishte thënë, që: ‘Çdo rreth duhet të ketë në plan që të më sjelli një numër të caktuar personash të arrestuar’, dikush 10, dikush më shumë, dikush më pak, sipas rretheve. Këto që po ju them, nuk janë nga mëndja ime, por m’i kanë thënë njerëz të Sigurimit të Shtetit, kur i kam takuar pas viteve ‘90-të që jam kthyer për herë të parë në Shqipëri. Dhe siç dihej, kontingjenti i parë për t’u arrestuar ishin ata që kishin të afërm të familjes jashtë shtetit të arratisur, siç ishte dhe babai im, Dhosi. Pasi dhe akuzat që ngriheshin më pas ndaj tyre, dukeshin më të besueshme kur përhapeshin në popull. Kështu ndodhi dhe me babanë tim pas arrestimit, kur njerëzit filluan të thoshin: ‘Jo kishe aparat fotografik te syri fals, jo kishte radiomarrëse’, e lloj-lloj fjalësh të tjera.

Ju, në njëfarë mënyre, e prisnit apo e ndjenit arrestimin e babait tuaj?

Jo vetëm që e ndjenim, pra, që do na kanosej diçka, por kur ndodhi arrestimi i babait, unë nga urrejtja që kisha për ta, gjithë natën nuk më zinte gjumi dhe herë pas here më shkonte mendja të dilja e të shkoja te një magazinë që ishte atje në Manastirin e Ardenicës, ku doja të merrja automatikun, dhe t’i qëlloja ata që ia kishin bërë atë gjë babait tim.

Me çfarë akuzash u arrestua babai juaj?

Pas arrestimin të babait, u mbush dosja plot me dëshmitarë, që thoshin: ‘Ka thënë s’kemi bukë, ka thënë s’kemi vaj, jo do vijë Kina, jo do vijë Vorio-Epiri, jo do vijë ky, jo do vijë ai’, etj. etj. Të gjitha ishin gënjeshtra, gënjeshtra, pasi babai im vërtet kishte 4 klasë fillore dhe nuk e donte atë regjim, por ai ishte kujdesshëm dhe nuk fliste kurrë me asnjë të tilla gjëra me zarar.

Sa kohë e mbajtën babanë në hetuesi dhe si e kanë trajtuar aty?

Atë e mbajtën në hetuesi nga 22 janari deri në 30 prill të 1978-ës. Në hetuesi e kishin torturuar, sepse kur gruaja ime i lante rrobat, ato ishin me gjak. I bënin inskenime, që gjoja do ta pushkatonin dhe e nxirrnin natën duke e çuar gjoja te vendi i pushkatimit, që ai të pohonte ato që i kërkonin ata.

Si e kujton gjyqin e babait?

Gjyqin e bënë në Lushnje dhe ai zgjati 3-4 ditë. Unë shkova në gjyq dhe vetëm qaja, nuk duroja. Babai, thoshte që unë nuk kam bërë gjë dhe nuk pranonte, se vërtet nuk kishte bërë asgjë. Ndërkohë që vazhdonte gjyqi, mua s’më mbante vendi tek shikoja babanë në atë gjendje të mjerueshme dhe vendosa të vija në Tiranë, ku takova Aranit Çelën, Eleni Selenicën, Skënder Myftarin, dhe Sofokli Krongon. Unë i thashë Eleni Selenicës që: ‘babain ma keni marrë kot’. ‘Kujt i thua kot ti…’?!, më tha ajo. ‘Ty të them, moj…’ i thashë. Bëmë debate, por prapë nuk zgjidha gjë. Atëherë unë vendosa t’i bëj letër Ramiz Alisë.

Çfarë i shkruanit në letrën që i bëtë Ramizit, morët përgjigje nga ai?

I shkruajta që: ‘Nëse nuk na duroni dot ne minoritarëve, atëherë na lini që të ikim në Greqi’, por nga që nuk mora përgjigje, vendosa që të shkoja vetë ta takoja në Tiranë.

E takuat…?

Unë shkova që të takoja Ramiz Alinë, por ai nuk më doli, dhe në vend të tij më doli një tjetër. Më tha roja: “Ti je Ilia Leka”? ‘Po’ i them, më thotë: “Ik ul kokën dhe puno me kazmë, sepse ti nuk je në dijeni se çfarë pune bëjnë xhaxhallarët e t’u në Greqi”. Për çfarë e kishte fjalën, kishit dijeni ju atëherë, por dhe më vonë për ndonjë aktivitet të xhaxhallarëve tuaj, kundra regjimit komunist? Atëherë nuk kishim, por nga sa kemi mësuar më vonë, pra kur ne u arratisëm, asnjë lloj aktiviteti nuk kishin bërë dy xhaxhallarët kundra regjimit të Enverit dhe ato ishin thjesht gënjeshtra, pasi dy xhaxhallarët nuk i kisha në Greqi, por në SHBA. Pra, dhe kjo ishte gënjeshtër.

Pas arrestimit të babait, çfarë problemesh patët ju?

Mua më lanë pa punë. Më takoi Operativi i Sigurimit dhe më thotë: “Do që të kesh punë…”? ‘Po’, i them. “Atëherë, nesër në orën 12:00 të vish në Degë të Brendshme”. Kur shkoj atje, gjej Operativin, Kryetarin dhe zv/Kryetarin e Degës së Lushnjës. Më thonë: “Po deshe punë, do punosh me neve, ndryshe e ke vendin te babai”. Dhe më zgjatën formularin që ta firmosja. ‘Do të mendohem’, i thashë. Mora formularin dhe ika në shtëpi te gruaja dhe e grisa menjëherë formularin. Unë këto gjëra i dija dhe nuk mund të ma hidhnin mua fort kollaj.

Nga i dinit…?

Unë kisha punuar shumë kohë në Elbasan si mekanik etj., dhe njihja shumë njerëz që më lidhte puna dhe kur ndodhi arrestimi i babait, shkova në Elbasan dhe takova një shef Sigurimi, Nikolla Binjaku quhej, tek i cili kisha shumë besim, se ai kishte dhënë prova, duke ndihmuar edhe të tjerë para meje. Edhe sot nuk kam mundur t’ia shpërblej ndihmën që më ka dhënë ai.

Çfarë ju tha ai, si ju ndihmoi?

Pasi ia tregova situatën ku ndodhesha, pra, krejt realitetin se ç’kishte ngjarë me ne, Nikolla Binjaku në mirëbesim më thotë: “Shiko, Ilia, ty do të marrin këto ditë. Ik merr pasaportën, por kujdes mos afro asnjë të burgosur politik apo kulak, që mund të të ofrohet vetë të bisedojë me ty dhe shko ankohu te Lenka Çuko, se të kanë lënë pa punë”. “Mirë’, i them, dhe shkoj në Lushnje me xhaxhanë tim që të takonim Lenka Çukon. Pas arrestimit të babait, Ilias i ofrojnë të bëhej bashkëpunëtor “E grisa formularin për të bashkëpunar me Sigurimin” Ilia Leka: Kryetari i degës së Brendshme të Lushnjes më tha se nëse nuk do të shkosh në burg te babai, bashkëpuno me ne

Marrë nga Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura