(VIDEO) Reali zhgënjen ndaj Juventusit, italianët do përballen me Barcelonën në finale, flasin trajnerët

May 14, 2015 | 10:30
SHPËRNDAJE


Alvaro Morata 1:1 | Real Madrid – Juventus 13… by EuropeanLeagueLiveGoal

UPDATE/ Barcelona dhe Juventus është çifti i finales në Kupën e Kampioneve. Në gjysmëfinalen e zhvilluar në Spanjë mes Realit dhe Juventusit, madrilenët nuk shkuan më larg se barazimi. Sfida mes Realit të Madrit dhe Juventusit përfundoi në shifrat 1-1, ndërkohë që ndeshja e parë e luajtur në Torino doli në rezultatet 2-1 për juventinët.

Portieri i Juventusit, Bufon pas kualifikimit me Realin e Madritit (Foto marre nga ANSA)

Këto shifra e çojnë rezultatin final në shifrat 3-2 për italianët, duke mundësuar edhe kalimin e bardhezive në finalen e Champion League. Një natë më parë Barcelona edhe pse u mund nga Bajerni i Mynihut, rezultati i ndeshjes së parë mundësoi kualifikimin për në finale. Në sfidën mes Realit dhe Juventusit, Kristiano Ronaldo kaloi në avantazh skuadrën e tij me penallti në minutën e 23’, ndërsa në minutën e 57’ të pjesës së dytë, Morata barazon rezultatin duke mundësuar kualifimin e juventinëve në finale. 

 

Cristiano Ronaldo 1:0 Penalty Kick | Real… by EuropeanLeagueLiveGoal

Ançeloti: Këtë sezon na ka munguar fati

Karlo Ançeloti është krenar për Real Madridin, edhe pse ekipi nuk shkoi më shumë sesa gjysmëfinalja në Ligën e Kampioneve. “Skuadra luajti mirë, bëri gjithçka që duhet të bënte në fushë. Në sulmuam shumë dhe krijuam rastet tona. Nëse duhet të shikojmë për ndonjë gabim, atëherë duhet të kthehemi te takimi i parë, pasi atëherë nuk luajtëm me kaq intensitet sa tani”.

Italiani shtoi se bardhezinjtë janë një rival i fortë. “Juvja është një ekip mjaft konkurrues. Ata kanë zhvilluar një sezon shumë të mirë në Itali. Pastaj, në këto gjysmëfinale i ecën punët mirë. Ata gjithnjë kanë luftuar”. Sezoni 2014-15 nuk ka qenë i suksesshëm për Ançelotin e “galaktikët” kanë shpresa të vakëta vetëm në La Liga (Barça larg një fitore).

Në të tillë situatë, e ardhmja e tij është në dilemë të madhe, për më tepër që pakënaqësi ka pasur gjatë gjithë këtij sezoni. “Nuk flas sot (dje) për të ardhmen, pasi nuk ka shumë kuptim. Nuk kam asgjë për të cilat të pendohem. Si fillim do të mbyll dy takimet e fundit në kampionat, pastaj do flas me drejtuesit e klubit”.

Por italiani gjithsesi mendon se një nga arsyet e dështimit të “galaktikëve” është se fati nuk qe me ta. “Fizikisht djemtë ishin shumë mirë. Ndeshja vendoset nga detajet e vogla e duhet thënë që fatin këtë herë nuk e kishim me vete. Ç’notë do i vija vetes? Dhjetë”. I pyetur se cila skuadër ka më shumë shanse ta fitojë Ligën e Kampioneve, italiani u përgjigj: “Për mendimin tim, ekipi favorit është Barcelona, por në një finale mund të ndodhë gjithçka”.

Alegri: Barça? Në një ndeshje ndodh gjithçka

Masimiliano Alegri mendon se Juvja e tij është e jashtëzakonshme. Nuk mund të mendojë ndryshe, sepse bardhezinjtë arritën që të kalonin një pengesë të vështirë si Real Madridi e tani janë në finalen e Ligës së Kampioneve pas 12 vitesh. Trajneri italian tregon se si “Zonja” arriti t’i mundte “galaktikët”, ndërkohë që beson se të njëjtin sukses, torinezët do ta arrijnë edhe në Berlin kundër Barçës. Alegri s’e fsheh ambicien për të fituar tripletë titujsh këtë sezon.

Si ndiheni që Juvja juaj u kualifikua në finalen e Champions-it?

Mendoj se kjo është një arsye e madhe që të jesh i kënaqur. Jam trajner i një grupi të jashtëzakonshëm, ne bëmë një ndeshje të bukur nga ana teknike me raste goli, si nga njëri ekip, ashtu edhe nga tjetri. Mendoj se jemi kualifikuar për në Berlin me meritë. Tani shpresojmë që edhe kjo ndeshje e fundit të na shkojë mbarë.

Si ju duk paraqitja e ekipit në “Bernabeu”?

Mendoj se ne ishim të detyruar që të ndërtonin lojën në këtë përballje. Ndoshta gjatë lojës mund edhe të kishim të tjera avantazhe, edhe pse Reali rrezikoi që të na shënonte gol. Kishin dy-tre raste të qarta. Unë nuk kam se për çfarë ta kritikoj grupin mbi atë paraqitje që ata bënë sot (dje) ndaj Realit, gjithashtu edhe për angazhimin e tyre përgjatë gjithë sezonit. Tani radhën e ka finalja e Kupës së Italisë. Do të përgatitemi sa më mirë të jetë e mundur, pasi edhe ky trofe ka shumë rëndësi.

Më në fund, një ekip italian në finalen e Champions-it…

Dua të them faleminderit për elozhet. Unë e dija mirë se kjo ndeshje nuk do të ishte e thjeshtë. Djemve u thashë që të luanin me kurajë, me saktësi dhe të kundërsulmonim sapo t’u jepej mundësia. Por ata duhet të punonin fort që të limitonin aksionet e “galaktikëve”. Në pjesën e parë ne vuajtëm, kurse në të dytën i bëmë gjërat edhe më mirë. Mendoj se është e rëndësishme për futbollin italian, që një klub vendës është finaliste e Ligës së Kampioneve.

Keni bërë edhe paqe me Sakin..

Unë kam respekt për Arrigon. Por ndodh që njeriu mund të mos jetë dakord për gjëra të caktuara dhe ndonjëherë debatet mund të bëjnë mirë.

Si ju duk loja e kundërshtarëve?

Si Isko, ashtu edhe Hamesi në mesfushë nuk janë shkatërrues. Sa më shumë t’i bënin të vraponin, aq më në vështirësi do t’i vendosnim. Kjo do të na jepte mundësi që të krijonim hapësira. Reali bëri një ndeshje ndryshe nga ajo në Torino.

Besoni se mund ta fitoni finalen kundër Barçës?

Që Barcelona është një skuadër gati e pamundur për të luajtur kundër, kjo është diçka më se e qartë. Por në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Ne duhet që të jemi në një gjendje shumë të mirë fizike që të mund të luajmë siç duhet në këtë finale. Jemi të ndërgjegjshëm për mundësitë që kemi. Në Berlin duhet që të shkojmë të bindur se mund ta çojmë në Torino kupën e Ligës së Kampioneve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura