Justina Aliaj: Si e nisëm “Mbretëreshën” ditën e largimit të Kadaresë

Jun 8, 2018 | 13:46
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Asgjë nuk mund t’ia mohojë një politikaneje të jetë edhe grua, edhe e dashur, edhe nënë. E tillë ndihej edhe Mbretëresha e Justina Aliajt. Ajo digjej prej mallit dhe merakut për të birin, dëshirës për të dashurin, i shtrydhej shpirti prej tradhtisë dhe përpëlitej mes dilemash dhe ankthesh. Sepse ajo ishte njeri. Dhe priti 30 vjet që të vinte në Tiranë, qysh në kohën kur Kadare la Shqipërinë dhe tronditi gjithë shqiptarët.

FB_IMG_1465236659954

Në datat 9 dhe 10 qershor Justina Aliaj ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar me një monodramë. Me një vepër të fortë, të titulluar pikërisht “Mbretëresha”, e shkruar nga Rexhep Qosja dhe me regji të vetë asaj. Pasi e ngjiti së pari në skenën e Korçës gjatë festivalit “Albamono”, ku edhe fitoi Çmimin e Karrierës, Aliaj vjen edhe në kryeqytet, me një vepër ku teksti i autorit përzihet me eksperiencat jetësore të aktores.

“‘Mbretëresha’ është një tragjedi dramatike, tek e cila besoj se çdo njeri e gjen veten. Është një personazh shumëplanësh. Brenda një ore mbretëreshën e sheh nënë, dashnore, kundërshtare, politikane, femër… në të gjitha planet. Ajo lakohet në të gjitha rasat”, thotë aktorja e këngëtarja, së cilës i është dashur të punojë shumë për të ndërtuar këtë karakter, të hulumtojë, të udhëtojë, të kapërcejë vështirësitë që të ofron realiteti artistik shqiptar. Ndonëse personazhi i referohet Mbretëreshës Teutë, ajo është një figurë e gjithëkohëshme dhe përtej çdo koordinate gjeografike. Sado e largët në kohë, vetë aktorja gjen pika lidhjeje me të. E gjen te shpirti i nënës. Por ajo është edhe politikane, e fortë madje.

“Është shumë femër e fortë. Armiqtë, përpara se ta zënë thonë: A është kryeneçe? Edhe nuk pendohet, sikundër na kanë thënë. Teuta, në të vetmin moment që nuk është përgjigjur për popullin e vet është: pirateria, që e ka pasur të ligjshme e gjitha bota. Edhe pse e kanë kritikuar, kur përfaqësuesit romakë kanë ardhur të flasin me të, i ka lënë që të kalonin, derisa u ka këputur kokat”. Edhe pse për Justina Alia jn teatri nuk është mesazh, ajo sërish nuk ka se si ta anashkalojë atë. Shumë elemente të veprës ajo i gjen tek aktualiteti. Është e pamundur që të mos heqësh paralele me të sotmen.

“A ekziston sot xhelozia, të pazotët, shpifësit? Patjetër që ekzistojnë. Nuk janë të gjithë, sigurisht që nuk janë. Por çdo lloj vesi, xhelozia, smira apo urrejtja e çojnë botën mbrapsht. E këtu në këtë tragjedi shtjellohen të gjitha nga goja e vet mbretëreshës”, tregon Justina Aliaj.

“Më ka pëlqyer shumë për mesazhin që përçon. Falënderoj të madhin Rexhep Qosja, që më ka dhënë mundësi të vë dorë në këtë tekst. Kam vënë dorë guximshëm”, thotë ajo. Është konsultuar me autorin, flet shpesh në telefon me të dhe ai i ka lënë dorë të lirë. “Qosja është penë e artë edhe e fortë, është krenari e letërsisë shqipe. Por, më është lyp hera-herës që të përzgjedh batutën apo më mirë të them: Të jem aktive”. Ka shtuar elemente që vepra nuk i ka, madje ka guxuar të ndryshojë edhe fundin.

PRITJA 30-VJEÇARE

“Mbretëresha” është një vepër që ajo e mban me vete prej 30 vjetësh, i kujtohet fare mirë ajo kohë. Ishte kohë e trazuar.

“Dramën e kemi nisur rreth 30 vite më parë, në natën që Ismail Kadare kërkoi azil politik në Francë. Kur e dëgjuam në televizor, Mihallaqi (im shoq) u çmend fare dhe më tha: Justa, kjo është ngjarje e madhe. Në atë kohë është e çuditshme, por kanë marrë në intervistë Rexhep Qosen, ai u tha: “Unë nuk kam çfarë t’ju them juve, ai është Ismail Kadare, është vendimi i tij, e respektoj”. Lëvizja e Ismailit e ka turbulluar komplet mendjen e shqiptarëve”, tregon Justina Aliaj, teksa kujton se si shumë njerëz në atë kohë menduan të ikin, të tjerë shpresuan se Shqipëria do të ndryshojë.

Dhe ishte pikërisht 30 vjet më parë, kur skenografi i ndjerë Ilia Xhokaxhi hodhi në letër skicat e para të skenografisë së kësaj monodrame, që sot Aliaj e ka pasuruar me të tjerë elemente, por që e sjell edhe si një homazh për Xhokaxhinë. Nuk i vjen aspak keq që vepra priti 30 vjet, përkundrazi, sipas saj, më mirë që ndodhi kështu.

“Faleminderit Zotit, pasi nuk ka më keq sesa të pendohesha shumë. Unë do të isha çmend, sepse e njoh veten që nuk i rikthehem më një gjëje. Atëherë kjo do të ishte me mangësi. A nuk ka tashti mangësi? Sigurisht që ka. Përse? E mira s’ka fund, por unë jam shumë më e lirë edhe më e hapur. Tani mendoj se kam një këndvështrim tjetër, pjekuri tjetër, eksperiencë tjetër edhe ulem edhe punoj”.

Tani duket se u poqën të gjitha kushtet që ajo të jetë me të vërtetë një Mbretëreshë. “Mendoj se është koha, buxheti… mendoj se duhet që të fryjë era, duhet pista edhe hapësira. Jo se gjithë kjo kohë ishte kohë e gabuar edhe vend i gabuar, por me siguri që tek unë la diçka, pasi unë s’e preka më me dorë.

Por, vetëm tani që mora vesh edhe më ftuan që të marr pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar në Korçë, për të bërë monodramën, thashë: Po, tani është momenti”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura