Juristi i njohur: Pse Llalla duhet të qëndrojë në detyrë derisa të mblidhet KLP

Nov 27, 2017 | 20:44
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, juristi i njohur Çlirim Gjata, shprehet se mandati i Prokurorit të ri të Përgjithshëm është në dorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas tij, duhet të mblidhet ky organ i ri i Reformës në Drejtësi, që të vendosë mbarimin e mandatit të prokurorit aktual dhe të emërojë prokurorin e ri.

gjata

Në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”, Gjata shprehet se debati aktual për një zgjatje të mandatit apo vendosjes së një prokurori të përkohshëm, nuk parashikohen në kushtet aktuale, kur Prokurori i Përgjithshëm është në detyrë dhe nuk është larguar për shkak të dorëheqjes apo të largimit nga vetingu.

Gjata shprehet se Prokurori do të duhet të qëndrojë në detyrë, derisa për të të shprehet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili ende nuk është ngritur për shkak të mungesës së anëtarëve të tij. Sipas tij, kjo është një dispozitë kushtetuese dhe nuk mund të shkelet. Për juristin e njohur, debati i ditëve të fundit për një prokuror të përkohshëm, nuk përputhet me përcaktimet që ligji ka vendosur.

“Dispozita kalimtare që po diskutohet sot, për një komandim të Prokurorit të përkohshëm nga Parlamenti, ka të bëjë si përjashtim, vetëm nëse mandati do të mbaronte para kohe, si p.sh. Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen apo rrëzohet në veting. Në kushtet e sotme nuk jemi para kësaj dispozite. Parlamenti është i detyruar të zbatojë procedurat kushtetuese, ndryshe kalojmë në shtet autoritar dhe joligjor”, shprehet Gjata në intervistën e tij.

Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 3 dhjetor. Ndërkohë që ka lëvizje, të cilat tentojnë që nga zgjatja e këtij mandati e deri te largimi i tij. Cila nga të dyja alternativat përputhet me përcaktimet kushtetuese?

Mandati i Kryeprokurorit, si çdo mandat kushtetues, mbaron sipas përcaktimeve kushtetuese. Mandatet nuk mbarojnë me numërim, por me procedurë. Mandati në fjalë, që të mbarojë, duhet të deklarohet me vendim të KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë). Neni 148/c i Kushtetutës, në pikën 2, sanksionon se: “Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Pra, po nuk u mblodh KLP-ja që të deklarojë me vendim mbarimin e mandatit, ai nuk quhet i mbyllur. Kjo është procedura kushtetuese. Kundër kësaj procedure, nuk mund të dalë askush, as Parlamenti, sepse do të shkelte jo vetëm këtë dispozitë kushtetuese, por edhe parimin e ndarjes së pushteteve. Dispozita kalimtare që po diskutohet sot për një komandim të Prokurorit të përkohshëm nga Parlamenti, ka të bëjë si përjashtim, vetëm nëse mandati do të mbaronte para kohe, si p.sh. Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen apo rrëzohet në veting. Në kushtet e sotme nuk jemi para kësaj dispozite. Parlamenti është i detyruar të zbatojë procedurat kushtetuese, ndryshe kalojmë në shtet autoritar dhe joligjor.

Sa pengon në zgjedhjen e prokurorit të ri mosngritja e organeve të reja, siç është KLP-ja?

Patjetër që e pengon dhe këto janë pasojat e një reforme të ngutshme në drejtësi dhe eksperimentale. Ata që i hartuan këto dispozita kushtetuese, duhet t’i kishin menduar pasojat. Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë që të shkelim Kushtetutën me zgjidhje alla deuxmachine. Mendoj se ky prokuror që është, duhet të qëndrojë në detyrë derisa të krijohet KLP-ja dhe do të jetë kjo e fundit, pastaj që do të marrë vendimin për të. A ju duket paradoks mosplotësimi i vendit të anëtarit të shoqërisë civile në Këshillin e Emërimeve, për të bërë të mundur funksionimin e tij, ndërkohë që shoqëria civile ka qenë më e interesuara për këtë reformë? Si e shpjegoni këtë indiferencë? Absolutisht që është një paradoks, por një paradoks kushtetues, që duhet zbatuar medoemos. Kur e hartuan këtë dispozitë, pse nuk shtruan pyetjen: Po nëse shoqëria civile nuk paraqet kandidat, cila është zgjidhja ekuilibruese?! E pra, askush nuk e detyron dot shoqërinë civile që të paraqesë kandidatë për një problem qoftë edhe kushtetues, sepse në këtë rast nuk ka penalitete, por vullnet. Shoqëria civile nuk e ka këtë vullnet, atëherë çfarë bëhet? Në fund të fundit, kush është shoqëria civile si përcaktim, që ta detyrojë atë?!

A ka Prokurori i ri i Përgjithshëm më shumë kompetenca se ai aktuali dhe a do të shmangë ai përkatësinë politike të tij?

Nuk është kjo më e rëndësishmja. Kryesore mbetet zbatimi me përpikëri i Kushtetutës. Vërtet që Prokurori i Përgjithshëm sot nuk i ka ato kompetenca që ka pasur dhe Prokuroria është një organ i decentralizuar tashmë, por ligji është ligj. Një fakt është i vërtetë; kushdo që do të komandohet Prokuror i Përgjithshëm nga ky parlament, qoftë edhe si i përkohshëm, po u anashkaluan procedurat kushtetuese, do të jetë i paragjykuar politikisht. Edhe sikur të jetë prokurori më i ndershëm dhe më i aftë, nuk do t’i shpëtojë dot kësaj. Nuk ka besim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura